Aktualitet

Përplasja në KP për ekspertizën e OSBE/ODIHR! Vasili dhe Bylykbashi kërkojnë takim nesër, ‘ndërhyn’ Meta. Gjiknuri refuzoi mbledhjen e Këshillit Politik: Të premten ju pres për draftin

Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi kërkojnë mbledhje të Këshillit Politik ditën e nesërme në orën 10:00. Presidenti Ilir Meta kërkon konsensus nga të gjitha palët për ndyshimet që do të bëhet në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë Damian Gjiknuri në përgjigjen e tij thekson se takimi do të mbahet në datën të premten e kësaj jave 18.09.2020 dhe jo ditën e nesërme 16.09.2020.
Featured image of article: Përplasja në KP për ekspertizën e OSBE/ODIHR! Vasili dhe Bylykbashi kërkojnë takim nesër, ‘ndërhyn’ Meta. Gjiknuri refuzoi mbledhjen e Këshillit Politik: Të premten ju pres për draftin Palët politike dhe tryeza e Këshillit Politik

TIRANË– Dy anëtarët e Këshillit Politik, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi kanë kërkuar mbledhje ditën e nesërme në orën 10:00. Dy përfaqësuesit e opozitës së bashkuar jashtëparlamentare, duan sërish mbledhje me qëllim gjetjen e konsensusit për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR, për çështjet që palët nuk bien dakord.

“Në këtë mbledhje Opozita e Bashkuar do të prezantojë kërkesën për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR. Përsa më lart, mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj për mbledhjen e ditës së nesërme,”-shkruhet në letër.

Presidenti Ilir Meta kërkon konsensus nga të gjitha palët për ndyshimet që do të bëhet në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë Damian Gjiknuri në përgjigjen e tij thekson se takimi do të mbahet në datën të premten e kësaj jave 18.09.2020 dhe jo ditën e nesërme 16.09.2020, datë e cila është kërkuar nga opozita. Gjiknuri thotë se opozita po mundohet që të zvarrisë procesin, dhe bën thirrje se të premten pret edhe draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pas takimit të djeshëm të Këshillit Politik, opozita propozoi të merret mendimi i OSBE/ODIHR për çështjen e koalicioneve, por është shprehur gati për hapjen 100% të listave. Ndërsa, Gjiknuri u shpreh se opozita duhet të dorëzojë draftet deri të premten, dhe të mos vonojë me qëllim implementimin e të gjitha ndryshimeve Kushtetuese.

(k.m/dosja.al)

  • 21:43

    Gjiknuri refuzoi mbledhjen e Këshillit Politik/ Opozita: Konfirmoi njëanshmërinë e akteve që PS po bën gati të miratojë

    Petrit Vasili, Oert Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri

    Opozita e Bashkuar ka reaguar pas përgjigjes së Damian Gjiknurit, i cili pasditen e sotme u shpreh se mbledhja e radhës e Këshillit Politik do të zhvillohet sipas planifikimit, të premten në orën 10:30. Sipas opozitës, Partia Socialiste ka refuzuar kërkesën e tyre për të kërkuar ekspertizën e OSBE/ODIHR.  Ndër të tjera PD-ja del në konkluzionin se me refuzimin për t’u takuar ditën e nesërme, Damian Gjiknuri konfirmoi njëanshmërinë e akteve që PS po bën gati të miratojë.

    POSTIMI I PLOTË I OPOZITËS:

    PS refuzon kërkesën e Opozites për të kërkuar ekspertizën e OSBE/ODIHR. Nuk merr pjesë në mbledhjen e nesërme. Në përgjigjen për opozitën, për kërkesën me temë “marrjen e ekspertizës së OSBE-ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik”. përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, mes të tjerash shprehet: “Nuk mund të kërkoni që anëtarët e tjerë të Këshillit Politik, për të cilët zbatimi i Kushtetutës është një çështje që as vihet në diskutim, as zvarritet dhe as anashkalohet, të bëhen pjesë e kësaj kërkese, aq më tepër të kërkoni që ekspertiza e OSBE/ODIHR-it të keqpërdoret me prapamendim.”  Duke refuzuar kërkesën për të mRrë opinionin e OSBE/ODIHR, Gjiknuri rendit pikat për të cilat duhet vazhduar puna. “Puna e do që ne të shtrojmë në tavolinë jo vetëm idetë, por mbi të gjitha propozimet tona të detajuara, pse jo draftet tona të plota e ezauruese për pragun zgjedhor, për formulën dhe procedurën për numërimin, tabulimin dhe kalkulimin e votave parapëlqyese, për regjistrimin e të drejtat proceduriale dhe materiale të koalicioneve zgjedhore, për pasqyrimin në fletën e votimit, për numërimin e votave, tabulimin dhe kalkulimin e votave parapëlqyese të listës së koalicionit”. Damian Gjiknuri konfirmoi njëanshmërinë e akteve që PS po bën gati të miratojë.  “Ju informoj se ekipi i PS-së është në punë për të konkretizuar dispozitat e Kushtetutës dhe për t’ireflektuar ato respektivisht në Kodin Zgjedhor. Në cilësinë e përfaqësuesit e mazhorancës, në mbledhjen e ditës së Premte unë do të paraqes draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor për çështjet e sipërcituara.”

  • 18:48

    Damian Gjiknuri refuzon Opozitën: Harrojini taktikat e pengimit, ju pres të premten për draftin

    Damian Gjiknuri, PS

    Ditën e sotme opozita ka pritur në selinë e Partisë Demokratike Ambasadorët ndërkombëtarë ku edhe kanë kërkuar ndërmjtësimin për përplasjet mbi çështjet e koalicioneve.  Ndërkohë pas kërkesës së propozuar nga opozita që të merret mendimi i OSBE/ODIHR, ka ardhur edhe  përgjigjja e Damian Gjiknurit, i cili në përgjigjen e tij thekson se takimi do të mbahet në datën të premten e kësaj jave 18.09.2020 dhe jo ditën e nesërme 16.09.2020, datë e cila është kërkuar nga opozita. Më tej përfaqësuesi i PS-së ka hedhur poshtë edhe kërkesën e dytë të Opozitës jashtëparlamentare për marrjen e ekspertizës nga OSBE/ODIHR-it. Gjiknurit thotë se opozita po mundohet që të zvarrisë procesin, dhe bën thirrje se të premten pret edhe draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor.  “Në cilësinë e përfaqësuesit e mazhorancës, në mbledhjen e ditës së Premte unë do të paraqes draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor për çështjet e sipërcituara. Sinqerisht, Damian Gjiknuri. Përfaqësues i Partisë Socialiste.”- ka thënë Gjiknuri.

    Fjala e Plotë e Gjiknurit: 

    Të nderuar kolegë. Sapo u njoha me kërkesën Tuaj për organizimin e një mbledhjeje jashtë radhe të Këshillit Politik, me temë “marrjen e ekspertizës së OSBE-ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik”. Në vijim të diskutimeve të kryera në mbledhjen e mbrëmshme, më lejoni të ju ritheksoj se nëse ju kërkoni të shfrytëzoni ekspertizë të huaj për qartësimin e pozicioneve tuaja lidhur me implementimin e dispozitave të reja të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që bëjnë fjalë për zgjedhjet, ju mund ta bëni këtë me këdo që ju e gjeni të përshtatshme, por nuk mund të kërkoni që anëtarët e tjerë të Këshillit Politik, për të cilët zbatimi i Kushtetutës është një çështje që as vihet në diskutim, as zvarritet dhe as anashkalohet të bëhen pjesë e kësaj kërkese, aq më tepër të kërkoni që ekspertiza e OSBEO/DIHR-it të keqpërdoret me prapamendim.  OSBE/ODIHR ka qenë gjithmonë gati të përfshihej me ekspertizë teknike për shqyrtimin dhe përpumimin e propozimeve dhe drafteve tona të reformës. Ne kemi qenë mirënjohës sa herë që nga OSBE/ODIHR na kanë ardhur komente dhe sugjerime, sikurse kemi qenë po aq të keqardhur, kur për shkak të insistimit tuaj, sugjerimet e tyre janë neglizhuar e sakrifikuar pa asnjë shkak të llogjikshëm.  Ne jemi të bindur se ekspertiza e OSBE/ODIHR-it lidhur me teknologjinë në zgjedhje dhe barazinë gjinore do ta kishte bërë reformën zgjedhore vërtet cilësore, sikurse jemi të sigurtë se nëse nuk do i ishim nënshtruar refuzimit tuaj për ta përfshirë ekspertizën e ODIHR-it në debatin për administratën zgjedhore, sot kuadri ligjor për administrimin e zgjedhjeve do të formonte model për një administratë zgjedhore neutrale, të përgjegjshme dhe profesionale që në zgjedhjet e ardhshme.  Ju referoni tek marrëveshja e 14 Janarit për të mbështetur kërkesën Tuaj, por Ju nuk mund të bëni sikur sjellja Juaj e mëparshme ndaj ekspertizës së OSBE/ODIHR-it nuk ka qenë e Juaja. Me sjelljen tuaj të deritanishme, Ju e keni abroguar më shumë se sa një herë këtë pikë të marrëveshjes, pa motiv, pa shpjegim dhe me arrogancë. Unë nuk mund të mos ta kujtoj këtë fakt.  Gjithësesi, ne duam bashkëpunimin me synim arritjen e një konsensusi sa më të gjërë. Ne duam që opozita jashtëparlamentare të jetë e përfshirë, të ndjehet e përfillur në këtë proces, të jetë kontribuese. Që kjo të ndodhë duhet që të gjithë bashkë të punojmë për implementimin e dispozitave të reja të Kushtetutës për zgjedhjet. Puna e do që ne të shtrojmë në tavolinë jo vetëm idetë, por mbi të gjitha propozimet tona të detajuara, pse jo draftet tona të plota e ezauruese për pragun zgjedhor, për formulën dhe procedurën për numërimin, tabulimin dhe kalkulimin e votave parapëlqyese, për regjistrimin e të drejtat proceduriale dhe materiale të koalicioneve zgjedhore, për pasqyrimin në fletën e votimit, për numërimin e votave, tabulimin dhe kalkulimin e votave parapëlqyese të listës së koalicionit. Këto janë lëndë e bollshme për amendamentet që duhen hartuar në zbatim të Kushtetutës. Kërkohet punë dhe përkushtim, sepse koha nuk pret. Lidershipi juaj ka deklaruar pas miratimit të dispozitave të reja të Kushtetutës, se nuk do t’i njihte ato. Ju i qendruat të njejtës linjë me letrën tuaj zyrtare të datës 14.09.2020 dhe në debatin vijues në Këshill. Ka ardhur koha që të deklaroni besnikërinë dhe respektin ndaj Kushtetutës së vendit Tuaj, ashtu siç bëjnë të gjitha partitë simotra të Evropës demokratike ndaj kushtetutave të vendeve të tyre. Po ashtu ka ardhur koha që të tregoni me prova vullnet të mirë ndaj këtij procesi që po zhvillojmë bashkarisht. Taktikat e pengimit, zvarritjes, bllokimit dhe konfliktualitetit artificial nuk pijnë më ujë. Unë ju ftoj përzemërsisht të futeni në rrugën e duhur, në rrugën e drejtë.  Si përfaqësues i Partisë Socialiste Ju konfirmoj se, sa na takon ne, nuk do ketë asnjë produkt të punës sonë të përbashkët që nuk do t’i nënshtrohet ekspertizës së OSBE/ODIHR-it. Por, përpara se kjo të ndodhë ne duhet të fillojmë të prodhojmë produkte konkrete, jo të pengojmë.  Në vazhdim të diskutimit të mbledhjes së fundit, unë mirëpres propozimet tuaja, qoftë dhe fillestare, për çështjet e sipërcituara, në mbledhjen e planifikuar për ditën e Premte datë 18.09.2020, ora 10:30. Ndërkohë ju informoj se ekipi i PS-së është në punë për të konkretizuar dispozitat e Kushtetutës dhe për ti reflektuar ato respektivisht në Kodin Zgjedhor.  Në cilësinë e përfaqësuesit e mazhorancës, në mbledhjen e ditës së Premte unë do të paraqes draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor për çështjet e sipërcituara. Sinqerisht, Damian Gjiknuri. Përfaqësues i Partisë Socialiste. 

  • 17:52

    Nesër mblidhet Këshilli Politik, ndërhyn edhe Meta: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të realizohen me konsensus, mos refuzoni kërkesën e opozitës

    Ilir Meta, president

    Presidenti Ilir Meta ka kërkuar konsensus nga të gjitha palët politike për të gjitha ndryshimet në Kodin Zgjedhore. Pas kërkesës nga opozita jashtëparlamentare për një mbledhje të Këshillit Politik, Meta ka reaguar duke kërkuar respektimin pikë për pikë të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit. Më tej, kreu i shtetit ka shtuar se kërkesa e opozitës për ekspertizë nga OSBE/ODIHR nuk duhet refuzuar.

    Tani që data e zgjedhjeve është dekretuar pas konsultimit me forcat politike, është domosdoshmëri që Këshilli Politik të realizojë sa më parë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me konsensus dhe duke respektuar pikë për pikë Marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit. Kërkesa legjitime dhe parimore e opozitës për të kërkuar ekspertizën e ODIHR nuk duhet refuzuar. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë domosdoshmëri absolute për çeljen e negociatave”, shkruan Meta.

  • 16:49

    Pas takimit me ambasadorët në selinë blu, Vasili dhe Bylykbashi kërkojnë takim të Këshillit Politik nesër: Duam ekspertizë nga OSBE!

    Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili

    Pas takimit me diplomatët ndërkombëtarë, dy përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik kanë kërkuar një tjetër takim ditën e nesërme. Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi në një letër dërguar anëtarëve të tjerë kanë kërkuar takim nesër në orën 10:00 me qëllim gjetjen e konsensusit për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR, për çështjet që palët nuk bien dakord.

    PAS TAKIMIT ME AMBASADORËT, OPOZITA KËRKON THIRRJEN E MBLEDHJE SË KËSHILLIT POLITIK

    Të nderuar kolegë, Në vijim të mbledhjes së ditës së hënë, me qëllim gjetjen e konsensusit për kërkesën e Opozitës së Bashkuar, për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik, siç parashikohet edhe në Marrëveshjen e 14 Janarit, kërkojmë: Thirrjen e mbledhjes së Këshillit Politik nesër, e mërkurë, në orën 10:00. Në këtë mbledhje Opozita e Bashkuar do të prezantojë kërkesën për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR. Përsa më lart, mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj për mbledhjen e ditës së nesërme. Oerd Bylykbashi Petrit Vasili

Shto Koment