Politike

Përplasja me Spartak Brahon, flet Sabit Brokaj: Agron Tufa, mendje e molepsur me patologji ballisto-fashiste

Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, Sabit Brokaj thotë se Agron Tufa është një mendje e molepsur me patologji ballisto-fashiste, duke vënë në diskutim antifashizmin e Luftës Nacionalçlirimtare.
Featured image of article: Përplasja me Spartak Brahon, flet Sabit Brokaj: Agron Tufa, mendje e molepsur me patologji ballisto-fashiste Spartak Braho, dhe Agron Tufa

Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, dënon qëndrimet e kreut të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, në lidhje me Luftën Nacionalçlirimtare.

Sipas Brokajt, Agron Tufa është një mendje e molepsur me patologji ballisto-fashiste, duke vënë në diskutim antifashizmin e Luftës Nacionalçlirimtare.

Një deklaratë e deputetit Spartak Braho, që e cilësonte Institutin e Studimeve të Pasojave të Komunizmit, të drejtuar nga Agron Tufa, një seksion të Ballit Kombëtar, ka ngjallur shumë debate në media. Ju pajtoheni më këtë deklaratë?

Qëndrimet e Brahos për muaj janë korrekte dhe bëri shumë mirë që u shpreh sepse kur mbahen qëndrime të tilla politike, në kundërshtim me vlerat tona historike, kuptohet që duhet të reagojë dikush.

Megjithëse kur ka persona të tillë si Tufa e të tjerë, mendjet e mençura e principale thonë “ç’të merresh me të”.

Mirëpo, duhet të merresh, sepse ai flet në emër të një Instituti dhe ky është problemi. Është një Institut që objektin e ka studim të krimeve të komunizmit dhe merret me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Nuk ka asnjë vend demokratik, për fat të mirë, sot, kur janë hapur arkivat dhe gjërat janë bërë të njohura, por vetëm në Shqipëri disa mi gjirizesh, që kërkojnë të dalin ndryshe fitimtarët e Luftës dhe duan të rivarrosin heronjtë. Kjo ndodh vetëm te ne siç është së prapthi, edhe politika e ditës.

Pra, Instituti duhet të studiojë krimet e komunizmit pas luftës?

Deri në 1945-n bëhet fjalë për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo është një vlerë e patjetërsueshme dhe ishte fat i madh i këtij vendi, që pati disa djem dhe vajza, që dolën të luftonin kundër fashizmit dhe nazizmit që të ekzistojë kjo Shqipëri.

Mjerisht, këta që e trajtojnë luftën në të kundërtën e vlerave të saj, besoj se duhet të flasin greqisht, serbisht apo italisht, por jo shqip.

Sepse ajo padrejtësi që i ka ndodhur shqiptarëve, siç dihet, Traktati i Shën Stefanit, Londra etj., nuk do të ndodhte pas Luftës së Dytë Botërore në qoftë se ne do të ishim bashkëpunëtorë të fashizmit. Madje, ne ishim një vend me kontribut të shquar, sepse u çliruam vetë nga pushtuesi, madje me ndikim internacional sepse çuam brigadat tona për të çliruar troje edhe jashtë vendit. Megjithatë, në Konferencën e Paqes në Paris, delegacioni ynë, me zor, ka marrë vlerësimin si forcë antifashiste për shkak të paragjykimeve që ekzistonin ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Në këto kushte, çdo mendje, mbi mesataren, ose të paktën jo e molepsur nga ndonjë patologji ballisto-fashiste, këtë fakt do ta vlerësonte. Shyqyr, e ritheksoj se disa djem dhe vajza, pavarësisht se morën emrin e Partisë Komuniste, çliruan vendin.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Nëse do t’i hyjmë fakteve historike, deri në 1949-n, në Shqipëri ka pasur revolucion demokratiko-borgjez, edhe konfiskimet, edhe dënimi i fashistëve apo i bashkëpunëtorëve të fashizmit, ka qenë një fenomen që ka ndodhur në të gjitha vendet e përfshira në Luftën e Dytë Botërore. Madje, edhe Partia Komuniste, u evidentua me vonesë, sepse nuk mund të krijonte frymën e komunizmit pa patur emrin e vet.

Kështu që kur vjen puna për krimet e komunizmit, le të flasë Tufa, por dhe të tjerët për të parë se sa të mira dhe të këqija bëri komunizmi. Kështu që, ai ka ngatërruar objektin e Institutit të Studimeve që drejton.

Të merresh me figura të tilla, si Baba Faja i Martaneshit, Mustafa Matohiti dhe si shumë heronj të tjerë që nuk e jetuan periudhën e pas ’44-’45- s kjo është vetëm të jesh një mendje e marrë, e molepsur aq keq nga fashisto-ballizmi sa nuk ia vlen fare të merresh me të.

Por meqenëse është një Institut, të cilin e paguan Kryeministri dhe, mesa duket, Ramës nuk i dhemb qëndrimi i atij Instituti, vetiu që ai do të kakarisë.

Qëndrimi i zotit Braho mos ishte pak i tepruar, duke e cilësuar zotin Tufa fashist?

Nëse ti godet antifashizmin e shqiptarëve, automatikisht ti merr pozitat e një fashisti. Sepse demokratët janë antifashistë në vetvete.

Me Luftën është mbyllur ai kapitull, e gjithë Lufta ka qenë antifashiste. Nuk mund të ngrihen tani ballistët, që edhe pas 70 vjetësh nuk kanë fituar asnjë betejë, nuk kanë as 1% të elektoratit shqiptar dhe nuk kanë përfaqësim.

Kjo shpjegohet me faktin se Shqipëria në shumicë ishte antifashiste, nacionalçlirimtare dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve e njeh vlerën e asaj Lufte, që ishte ekzistenciale për vetë shtetin shqiptar.

Me mençuri, Shqipëria u lidh me një koalicion fitues, mjerë ne shqiptarët sikur të ishim me palën tjetër, te të humburit e luftës. Edhe fuqitë e mëdha na inkuadruan te kampi i fitimtarëve.

Sot, pas 30 vjetëve, kur nuk ka më sekrete, janë hapur arkivat dhe ne e njohim historinë siç është shkruar, madje dhe nga arkivat e huaja, dimë shumë mirë se kush ishin bashkëpunëtorët e pushtuesit, si forcë politike apo dhe si persona se kush i mbështeti ata.

Këtë na i dëshmojnë dhe arkivat gjermane, arkivat e pushtuesit. Shqiptarët janë shquar për antifashizëm, e cila është cilësuar vlerë e shoqërisë njerëzore. Marrë nga Panorama.com

Shto Koment