Politike

Përkeqësimi i lirisë së medias, Meta krah gazetarëve: Apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me përkeqësimin e lirisë së medias. Kreu i Shtetit ka inkurajuar gazetarët që të vijojnë misionin e tyre, ndërsa ka apeluar për heqjen dorë nga praktikat abuzive dhe autoritariste.
Featured image of article: Përkeqësimi i lirisë së medias, Meta krah gazetarëve: Apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste Ilir Meta

TIRANË -Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën e lirisë së medias në Shqipëri. Sipas Metës, denocnimet ndaj censurës dhe presioneve janë tepër alarmuese.

Kreu i Shtetit shkruan, se Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, vëren përkeqësim të situatës gjatë dy viteve të fundit. Duke iu referuar studimit, presidenti thekson, se pushteti politik është shumë influencues në media, veçanërisht në atë online, për shkak edhe të mungesës së transparencës.

Meta ka theksuar edhe raportet e “Reporterëve pa kufij” dhe DASH, ku tërhiqej vëmendja, se veprimet e qeverive kundër pandemisë, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve. Në fund Kreu i Shtetit dënon presionet dhe censurën ndaj gazetarëve, si dhe apelon për heqjen dorë nga praktikat abuzive dhe autoritariste.

Reagimi i plotë

Reagim i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta për situatën aktuale të lirisë së medias në Shqipëri 4 gusht 2020

Faktet tronditëse të censurës dhe presioneve në rritje ndaj medias së pavarur dhe kritike me qeverinë, që po konstatohen çdo ditë dhe po denoncohen periodikisht nga organizata prestigjoze ndërkombëtare, janë tepër alarmuese dhe kërkojnë një përgjigje të menjëhershme. Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, me fokus sistemin dhe lirinë e mediave në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian, vëren stanjacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet. Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet në internet, rreziku sipas konkluzioneve, rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale.

Tepër alarmant ështe përfundimi se “për sa i përket mbrojtjes themelore të pluralizmit, mediat shqiptare paraqiten në rrezik të mesëm, apo 53%, rreziku i pluralizmit të tregut mediatik klasifikohet tepër i lartë në 80%”.Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, i bërë publik në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij” ku theksohej se pasojat e rënda të fatkeqësive natyrore nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias; Qëndrimi i Departamentit Amerikan i Shtetit, ku ndër të tjera tërhiqej vëmendja se “veprimet e qeverive kundër epidemisë së COVID-19, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve”, konkluzionet e “Freedom House” dhe shqetësimet e bëra publike nga organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve, dëshmojnë se Shqipëria po shënon seriozisht hapa pas, përsa i përket lirisë së medias dhe transparencës.

Ky regres është thellësisht shqetësues dhe i patolerueshëm! Për shkak se liria e shprehjes dhe informimit është kusht thelbësor për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, dhe duke dënuar me forcë censurën, presionet, shantazhet dhe masat shproprocionale ndëshkuese ndaj gazetarëve dhe medias së pavarur e kritike me qeverinë, apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste që na kthejnë dekada pas në kohët më të errëta, me pasoja tepër të rënda për të ardhmen europiane të vendit.

Inkurajoj gazetarët kritikë të vijojnë pa u trembur misionin e tyre, dhe i ftoj organizatat prestigjoze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri. Shqiptarët janë ndarë 30 vite më parë nga neni 55 i “Agjitacionit dhe Propagandës” dhe askush të mos mendojë që duke përdorur forma të reja shantazhi e presioni do mundet dot ta rikthejë atë.

Ky reagim i Metës, vjen në një kohë, ku SPAK ka sekuestruar pasuritë e pronarit të “Ora Neës” Ylli Ndroqi, ku në mesin e tyre janë edhe 60 % e kuotave të televizionit.

(g.sh./dosja.al)

Shto Koment