FactcheckPolitike

Përfundimi i ekskluzivitetit 15-vjeçar të kazino Tajvanit, Ministria e Financave: E gjykuam vetë që ta shtyjmë licensën me 3 muaj për shkak të pandemisë

Brenda afatit të lejuar nga ligji për të drejtën e informimit, Zyra e Shtypit në Ministrinë e Financave iu përgjigj Dosja.al, duke i grumbulluar disa nga pyetjet bashkë në një, por duke sqaruar se në fakt, Regency Casino vazhdon aktivitetin në bazë të një vlerësimi nga ministria.
Featured image of article: Përfundimi i ekskluzivitetit 15-vjeçar të kazino Tajvanit, Ministria e Financave: E gjykuam vetë që ta shtyjmë licensën me 3 muaj për shkak të pandemisë Kazino Tajvani

TIRANË– Ministria e Financave shtyn deri më 30 shtator 2020 lejen për të vazhduar aktivitetin kazinoja “Regency Casino” e njohur edhe si Tajvani. Dosja.al denoncoi disa ditë më parë faktin se Tajvani, vazhdon të punojë në kohën kur bizneset e lojërave të fatit, ende nuk kanë marrë “OK” nga qeveria për të rinisur aktivitetin për shkak të pandemisë. Jo vetëm kaq, por Tajvani ka arritur ta shtyjë me një leje të posaçme aktivitetin përtej datës 28 qershor 2020, kur ishte afati final i lejes 15 vjeçare që mori në vitin 2005.

Ne i kërkuam informacion zyrtar, ministrisë së Financave në lidhje me këtë çështje, ku i adresuam 4 pyetje për përgjigjie. Brenda afatit të lejuar nga ligji për të drejtën e informimit, Zyra e Shtypit në Ministrinë e Financave iu përgjigj Dosja.al, duke i grumbulluar disa nga pyetjet bashkë në një, por duke sqaruar se në fakt, Regency Casino vazhdon aktivitetin në bazë të një vlerësimi nga ministria.

“Vlerësoi si të arsyeshme shtyrjen e afati të ushtrimit të veprimatrisë së këtij subjekti për aq kohë sa nuk është lejuar të ushtrojë aktivitet për arye të diktuar nga gjendja e fatqesësisë natyrore”, thuhet në reagim. 

Në lidhje me kazinotë e tjera që do të lejohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, MF thotë se kjo do të rregullohet me vendim të këshillit të Ministrave.

PËRGJIGJIA E PLOTË  E MINISTRISË SË FINANCAVE: 

Pasi u njohëm me pyetjet ju sqarojmë si më poshtë:

1. Në lidhje me pyetjet nëse ka shtyrje të afatit të licensës së subjektit “Regency casino Tirana” SHA dhe nëse ka një shtyrje të licencimit, kur ka ndodhur, nga cili autoritet dhe në bazë të cilit ligj;  Ministria e Financës dhe Ekonomisë pasi ka shqyrtuar kërkesën e subjektit “Regency Casino Tirana” SHA në lidhje me shtyrjen e afati te licensimit vlerësoi si të arsyeshme shtyrjen e afati të ushtrimit të veprimatrisë së këtij subjekti për aq kohë sa nuk është lejuar të ushtrojë aktivitet për arye të diktuar nga gjendja e fatqesësisë natyrore dhe akteve të dala nga institucionet shtetërore që kanë rregulluar këtë situatë. Nëpërmjet urdhërit të Ministrit të Financeve dhe Ekonomisë nr. 129/1, date 04.06.2020 “Për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së lejes për ushtrimin e veprimtarisë për Kazino Tirana, nr.1, datë 25.06.2005” është vendosur zgjatja e afatit të ushtrimit të veprimtarisë deri me 30.09.2020.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

2. Në lidhje me pyetjen se kur do të fillojë aktivitetin Apex dhe cfarë kushtesh ka për zhvillimin e aktivitetit;

Shoqëria Adriari Entertainment (më parë me emrin APEX al) është pajisur me licence për ushtrim veprimtarie lojra fati nr.1, datë 19.05.2020 në kategorinë “Kazino të vendosura në hotele me 5 yje”. Në lidhje me fillim e aktivitetit është në të drejten e subjektitqë ta ushtroj këtë veprimtari sipas përcaktimeve të ligjit nr.155/2015 “Për lojrat e fatit ne RSH”.

3. Në lidhje me pyetjen se a do të ketë aktivitet të kazinove në qendrat e banuara dhe në çfarë forme;

Në pikën 1 dhe 2 të nenit 34 të ligjit nr.155/2015 “Për lojrat e fatit ne RSH” përcaktohet se: “1.Në secilën zonë të përcaktuar si me rëndësi kombëtare lejohen të jepen një licencë për kategorinë “Kazino” dhe një licencë për kategorinë “Resort kazino. 2. Zonat me rëndësi kombëtare, ku do të vendosen kategoritë “Kazino” dhe “Resort kazino”, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”

Ndërsa në pikën 1 të nenit 35 të ligjit përcaktohet se: “Lojërat e fatit “Kazino” dhe “Resort kazino” lejohen të organizohen vetëm në zonat me rëndësi kombëtare duke respektuar distancat nga territori administrativ i njësisë vendore, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”

Në kuptim të dispozitave të sipërcituara zonat me rëndësi kombetare dhe distanca nga territori administrative ku do të lejohet organizimi i lojrave në kategorinë kazino dhe resort kazino do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment