Sport

Për trajnerin Ahmataj, pritja e penalltisë përcaktoi fatin e ndeshjes…

“Kemi shumë të rinj, që kanë nevojë për kohë për t‘u shprehur më mirë, por për momentin duhet t’i falënderoj për sakrificën dhe punën me kokën ulur. Një skuadër nuk bie dhe nuk mbijeton në letër, por vetëm në fushën e lojës”
Featured image of article: Për trajnerin Ahmataj, pritja e penalltisë përcaktoi fatin e ndeshjes…

BALLSH – Në javën e 3-të të kampionatit të Superiores, Skënderbeu arriti të befasojë Bylisin në Ballsh dhe t’i marrë fitoren me rezultatin e pastër 0-2. Trajneri Julian Ahmataj pranoi për “Supersport” se e kishte përgatitur në këtë mënyrë ndeshjen dhe është i kënaqur që skuadra reagoi mirë në fushë.

Duket si një fitore e parashikuar, bazuar edhe te strategjia që përdorët…
E kishim ndërtuar ndeshjen në mënyrë të atillë që të kishim shumë futbollistë me tipare ofensive në fushë, duke marrë përsipër rrezikon, por për të zbritur shpejt në kundërsulm dhe për të vënë në rrezik kundërshtarin. Terreni nuk ishte në cilësinë e duhur dhe kjo ndikoi jo vetëm në lojën tonë, por duhet të tregojmë më shumë qetësi gjatë ndeshjes.

Sa e rëndësishme ishte pritja e penalltisë nga Dajsinani?
Ishte një moment shumë i rëndësishëm, pasi morali i skuadrës u rrit edhe më shumë, ashtu si edhe besimi për të dalë me sukses. Nga ana tjetër trondit moralin dhe besimin e kundërshtarit, ndaj mendoj se ishte vendimtare në fatin e lojës.

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për të ardhmen?
Shumë e rëndësishme, pasi do të na ndihmojë të rritim vetëbesimin dhe moralin e skuadrës. Jemi një ekip me djem të rinj, të cilët kanë nevojë për fitore e rezultate të mira, që të rriten sa më shumë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Cilët janë liderët e Skënderbeut?
Boshti i skuadrës nuk është komplet i plotë, por kemi lojtarë si Meksi, Bicaj e Dajsinani, të cilët kanë luajtur edhe më herët në Superiore dhe e bëjnë rolin e liderit në dhomat e zhveshjes. Gjithsesi kemi shumë të rinj, që kanë nevojë për kohë për t‘u shprehur më mirë, por për momentin duhet t’i falënderoj për sakrificën dhe punën me kokën ulur.

Ju bezdis ideja që opinioni e fut Skënderbeun te skuadrat që do të luftojnë për mbijetesë?
Unë jam mësuar të drejtoj skuadra për të cilat ndërtohet një opinion i tillë, por ne kemi punuar mirë dhe shpresojmë që të rritim akoma më shumë performancën, për t’u dalë kundër këtyre parashikimeve. Një skuadër nuk bie dhe nuk mbijeton në letër, por vetëm në fushën e lojës.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment