Sport

Për teknikun Ndreu, 3 pikët ndaj Apolonisë, objektivi i vetëm për Kastriotin

“Ne nuk kemi bërë asgjë, jemi vetëm në hapat e parë. Është jashtë logjike që ne ta nënvlerësojmë Apoloninë. Na del për detyrë të marrim 3 pikët e radhës dhe për të vazhduar sa më lart”
Featured image of article: Për teknikun Ndreu, 3 pikët ndaj Apolonisë, objektivi i vetëm për Kastriotin

KAMEZ – Në javën e 3-të të Kampionatit të 82-të Superiores, nesër në stadiumin e Kamzës, në orën 13:45, përballë njëra-tjetrës do të vihen edhe Kastrioti-Apolonia, dy skuadra që kanë ardhur nga Kategoria e Parë.

Njē sfidë, ku me gjasa duket se do të përsëritet finalja e edicionit të shkuar. Trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu në intervistën para kësaj ndeshjeje e vlerëson maksimalisht skuadrën fierake të Apolonisë, pa fshehur faktin, se objektivi i Kastriotit janë 3 pikët për këtë ndeshje.

“Është një kundërshtar si të gjithë të tjerët, madje do të thosha edhe më i vështirë. Apolonia merr vlerësimin maksimal nga ana jonë. Fatmirësisht kemi zhvilluar dy takime miqësore me ta dhe i njohim mirë. Kështu që na del për detyrë ta përgatisim ndeshjen me vlerësim maksimal, sidomos nga ana psikologjike”,- u shpreh fillimisht Ndreu, i cili më pas kërkoi nga skuadra e tij që të sillet si duhet në fushë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Duke qenë një skuadër e vogël, mendoj unë, duhet të jemi punëtorë në fushë, të hyjmë në fushë me dëshirën e madhe për të marrë pikë dhe me mendimin se të gjithë kundërshtarët janë njëlloj. Ne nuk kemi bërë asgjë, jemi vetëm në hapat e parë. Është jashtë logjike që ne ta nënvlerësojmë Apoloninë. Na del për detyrë të marrim 3 pikët e radhës dhe për të vazhduar sa më lart”,- shtoi tekniku krutan Ramazan Ndreu, duke qenë i palëkundër në synimin e tij për ta fituar ndeshjen ndaj fierakëve.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment