Politike

PËR HERË TË DYTË! Maxhoranca paralajmëron shkarkimin e Presidentit, nisin përplasjet. Balla: Do e nxjerrim në pension. Meta: Afrohu se do e marrësh përgjigjen, ti dhe bandat

Balla shkruante se me Metën nuk i dihet se i ka lëshuar pëllumbat, por që sapo të mbarojë procesi i numërimit të votave do të bëjnë gati letrat e ‘pensionit të tij’. Meta shkroi se kërcënimi i fundit që vjen nga ana e Ballës dhe bandave të Elbasanit, ka vetëm një përgjigje, firmosjen e dekretit për mbrojtjen e Republikës.
Featured image of article: PËR HERË TË DYTË! Maxhoranca paralajmëron shkarkimin e Presidentit, nisin përplasjet. Balla: Do e nxjerrim në pension. Meta: Afrohu se do e marrësh përgjigjen, ti dhe bandat Taulant Balla, Ilir Meta dhe Erion Veliaj

TIRANË– Presidenti Ilir Meta, i cili paralajmëroi dorëheqjen e tij nëse kryeministri Edi Rama do të merrte mandatin e tretë, vijon të jetë në zyrën e tij. Më 27 prill, di dytë pas zgjedhjeve, Meta, përmes një video-mesazhi për të gjithë shqiptarët i cilësoi zgjedhjet parlamentare si fitore të sovranit, duke e quajtur të përmbushur misionin e tij.

Kreu i Shtetit pranoi edhe rezultatin e nxjerrë nga votat e hedhura më 25 prill, që i dha mandatin e tretë kryministrit Rama, por kërkoi nga të gjitha palët politike që të reflektojnë deri në shtator kur të kostituohet edhe Kuvendi i ri. 

E ndërsa dyshimet për dorëheqjen e Metës si President sa vinin e shtoheshin, sot Presidenca sqaroi zyrtarisht se Kreu i Shtetit do të vijonte të qëndronte  në zyrën e tij deri në përfundim të mandatit, më 24 korrik 2022, kohë kur mandati i presidentit skadon zyrtarisht. Në një status në faqen e tij në Facebook, Blushi shkruan se Meta kishte bërë të qartë se nëse zgjedhjet do të fitoheshin në mënyrë demokratike do të largohej, duke lënë të kuptohet se ka ndodhur e kundërta.

Ky vendim u komentua edhe nga pala e maxhorancës. I pari ishte kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili në një intervistë për Neës 24 tha se nuk u surprizua nga mosdorëheqja e Metës, duke e quajtur këtë të fundit një gënjeshtar kronik. Më pas, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla lajmëroi nisjen e një procesi të dytë për shkarkimin e Metës.

Me anë të një postimi të bërë në ‘Facebook’, Balla shkruante se me Metën nuk i dihet se i ka lëshuar pëllumbat, por që sapo të mbarojë procesi i numërimit të votave do të bëjnë gati letrat e ‘pensionit të tij’, në mënyrë që të pijë raki me çifteli me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi iu përgjigj Ballës duke e ftuar të afrohej, sepse ashtu do ta merrte përgjigjen së bashku me të gjithë armiqtë e Shqipërisë. Pas Blushit reagoi vetë Meta. Në një postim në Facebook, Meta shkroi se kërcënimi i fundit që vjen nga ana e Ballës dhe bandave të Elbasanit, ka vetëm një përgjigje, firmosjen e dekretit për mbrojtjen e Republikës.

“Shqipëria e Shqiptarëve! Vdekje tradhëtarëve!”- shkroi Meta më tej.

Më 28 prill 2017, Parlamenti i Shqipërisë, Edi Rama kryeministër dhe shumica socialiste bashkë me deputetët e LSI i dhanë Ilir Metës votëbesimin për tu bërë President i Republikës. “Një president i opozitës”, u cilësua Meta asokohe ndërsa historia tregoi se ai drejtoi presidencën në një formë atipike, e rrallë për postin simbolik të kreut të shtetit. Nga mbështetësi kryesor i opozitës në parlament në kohën kur LSI qeveriste me PS dhe Meta drejtonte Kuvendin, presidenti u kthye në zërin kryesor kundër Edi Ramës. Kulmi arriti kur Presidenti Meta nuk pranoi të dekretonte ministrin Gent Cakaj si Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Sandër Lleshajn për postin e Ministrisë së Brendshme.

Lleshaj u dekretua më vonë ndërsa Cakaj mbeti gjithminë ministër në detyrë pasi kompetencat e MEPJ i mori vetë kryeministri Rama. Por, Meta kundërshtoi sërish…

Këtë herë, Presidenti nuk pranoi të dekretonte 30 qershorin si datën e zgjedhjeve. Edi Rama dhe të gjithë eksponentët e PS u shprehën se Meta nuk duhet të qëndrojë në zyrë dhe në këtë mënyrë miratuan një rezulotë, ngritën Komisionin Hetimor dhe dosjen e dërguan për opinion në Komisionin e Vencias.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, doli në konkluzionin, se kreu i shtetit ka shkelur kushtetutën me dy dekretet e tij, por nuk çojnë domosdoshmërisht në shkarkimin, e tij, por duhet marrë masa për të evituar situata të tilla në të ardhmen. Sipas Komisionit, veprimet e Metës nuk kanë pasur pasoja të rënda për vendin. Pas deklaratës së Komisionit, Meta dhe Ruçi zhvilluan një takim dhe u zotuan se do të vijonin punën së bashku.

Por cilat janë fazat për shkarkimin e Presidentit?

Që të bëhet shkarkimi i Presidentit Ilir Meta nga detyra është një procedurë e cila kalon në 5 faza.

Etapa e parë është kërkesa ndaj parlamentit ku kërkohen firmat një e katërtës të së gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kërkesa duhet të paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë.

Etapa e dytë është shqyrtimi i kësaj kërkese nga Komisioni i Ligjeve. Pasi Komisioni i Ligjeve harton raportin, ai votohet nga Kuvendi në seancë plenare.

Etapa e tretë është pas shqyrtimit nga komisioni i ligjeve ngrihet Komisioni Hetimor.
Kështu në rast se “Ligjet” propozojnë vazhdimin e procedurës së shkarkimit dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor ndaj presidentit, kjo duhet të miratohet nga Parlamenti, pa u specifikuar numri i votave, pra me shumicë të thjeshtë.  Nëse kjo procedurë kalon me sukses brenda dy ditëve ngrihet komision hetimor për këtë çështje. Ky komision dëgjon argumentet e Presidentit dhe në përfundim të hetimit, duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e tij.

Etapa e katërt është, pasi përfundojnë të gjitha etapat e mësipërme arrihet në votim në seancën plenare, ku do të duhen të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota.

Etapa e pestë është Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të miratojë shkarkimin e presidentit.  “Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij”. Pra pas kësaj procedure jo aq të shkurtër si nga ana procedurale edhe kohore, vendimi përfundimtar merret nga Gjykata Kushtetuese.

(f.m/Dosja.al)

  • 15:55

    “Afrohu se do e marrësh përgjigjen”, Balla: Likja e paska tharë që në mëngjes shishen e rakisë së dëllinjës, vazhdo me kumbullën e rrushin se LSI-së s’ke ç’a i pi më

    Taulant Balla dhe Ilir Meta

    Kreu i grupit parlametar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka vijuar replikat me Presidentin Ilir Meta pasi paralajmëroi nisjen e procedurave për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Balla shkruan se Meta, bazuar në reagimet e tij, ka tharë një shishe raki dëllenje dhe tashmë duhet të vijojë me të rrushit dhe kumbullës, por me Elbasanin s’duhet të merret.

    “Likja e paska tharë që në mëngjes shishen e rakisë së dëllinjës! Tani vazhdo me kumbullën Like dhe në darkë kalo ke rrushi, se LSI-së s’ke ça i pi më! Po Elbasanin mos e kujto fare se do të duhet raki pishe pastaj!”- shkruan Balla.

  • 15:16

    Balla paralajmëroi shkarkimin e tij, Meta: Kërcënimi i fundit vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit!

    Ilir Meta

    Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në lidhje me shkarkimin e tij. Meta shkruan se ky është kërcënimi i fundit që vjen nga ana e Ballës. Ndër të tjera, kreu i shtetit thotë se presidenti është gati për të firmosur dekretin për mbrojtjen e Republikës.

    POSTIMI:

    Kërcënimi i fundit, që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ka vetëm një përgjigje: Presidenti, gati për të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës!Shqipëria e Shqiptarëve!  Vdekje tradhëtarëve!

  • 15:01

    Presidenca i përgjigjet Ballës: Afrohu! Se do ta marrësh përgjigjen ti dhe të gjithë armiqtë e Shqipërisë!

    Tedi Blushi dhe Taulant Balla

    Presidenca iu është përgjigjur deklaratës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, pas deklaratës së shkarkimit. Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi shkruan në ‘Facebook’, duke iu përgjigjur Ballës që të afrohet. Më pas, Blushi i drejtohet duke i thënë se Balla do të marrë përgjigjen së bashku me të gjithë armiqtë e Shqipërisë.

    POSTIMI:

    Tao Tao AFROHU AFROHU! Se do ta marrësh përgjigjen ti dhe të gjithë armiqtë e Shqipërisë!

  • 14:46

    Balla njofton nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës: Të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit

    Taulant Balla

    Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka paralajmëruar shkarkimin e Metës nga presidenca. Me anë të një postimi të bërë në ‘Facebook’, Balla shkruan se me Metën nuk i dihet e se i ka lëshuar pëllumbat. Balla shkruan se në momentin që të mbarojë procesi i numërimit të votave do të bëjnë gati letrat e pensionit të tij, në mënyrë që të pijë raki me çifteli.

    POSTIMI I BALLËS:

    Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!”

  • 14:00

    “Ne që tani mund të fillojmë një bashkëpunim me Bashën”, Veliaj ironizon Metën dhe Dumën: Nuk e japin dorëheqjen, janë gënjeshtarë kronikë!

    Erion Veliaj

    Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i ftuar përmes një lidhje direkte me studion e lajmeve në “News 24”, u ndal në deklaratat e Presidentit të Republikës Ilir Meta disa ditë para zgjedhjeve, ku tha se nëse kryeministri Edi Rama shpallet fitues, ai do të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit. Veliaj tha se nuk u surprizua nga mosdorëheqja.

    E prisnit dorëheqjen e Metës?

    Erion Veliaj: Unë jo, se kam pritur kurrë, ai se mban fjalën dhe s’ka burrëri. Ai njeri që thotë mbaj fjalën, jam burrë, janë pikërisht mashtruesit kronikë. Një njeri që e mban fjalën s’e thotë, por e mban fjalën. Unë s’e kam pritur kurrë, s’e kam pritur kurrë. Grida Duma tha po humba në Kavajë jap dorëheqjen, por nuk e jep në Kavajë, është e sigurt. Ata janë gënjeshtarë kronikë. Për ne është përgjegjësi e madhe, që në ato bastione që kemi ftuar, që është Astriri të mbarojmë unazën. Do të punojmë fort në Kavajë, që Kavaja të ketë sezon të mirë turistik. I gjithë rrjeti i hotelerive në Kavajë, janë të rezervuar.

    Erion Veliaj: Kryebashkiaku gjithashtu u ndal edhe tek ftesa për bashkëpunim që i kanë bërë Partisë Demokratike. Ai tha se jo e gjitha ka të bëjë me politikën dhe si shembull mori turizmin dhe shëndetësinë. Veliaj tha se të gjithë së bashku mund të promovojnë turizmin e këtij sezoni dhe të nxisin njerëzit që të bëjnë pushimet në Shqipëri.

    I keni shtrirë dorën e bashkëpunimit Bashës, si do të bashkëpunonit?

    Erion Veliaj: Ne që tani mund të fillojmë një bashkëpunim, të promovojmë plazhin, janë gjëra që s’janë politike. Mund të bashkëpunojmë në çështjen e shëndetësisë, që shumica e njerëzve të vaksinohen. Ku ka vullnet ka rrugëzgjidhje, nëse në këto fusha ka vullnet dhe të kemi një sezon turistik të mirë, ku ka vullnet për bashkëpunim gjenden mënyrat. Unë i jam gëzuar fitoreve tona dhe kam bërë thirrje që të shtrijmë dorën me kundërshtarët tanë, s’janë armiqtë tanë. Unë besoj fort që pasi të bie tensioni i zgjedhjeve, unë besoj që s’ka të humbur dhe të ulim dozën e agresiviteti që ka fushata dhe të bashkëpunojmë. Shqiptarët na dhanë fitore të pastër.

    A kaloi sfida për Veliajn?

    Erion Veliaj: Ishte e bukur, bastione që s’i kemi pasur ndër vite dolën tek PS. Sfida s’ka mbaruar, kam kontaktuar me të gjitha KZAZ dhe kam kërkuar që të kemi një proces korrekt. Të gjithë anëtarët e listës tonë kanë mbledhur vota, por duhet të them që në listën tonë s’ka humbës. Vërtetë 18 veta do të shkojnë në Parlament, ndërsa të tjerët do të angazhohen në pjesë të tjera të ekipit. Ekzekutivi ka mjaft vende për të gjithë.

    Luftë brenda llojit kjo?

    Erion Veliaj: Nuk është dhe s’ka pasur, për të gjithë kandidatët ka vota dhe kjo e bën procesin e ngadaltë, krahasuar me rivalët tanë tek ne ka një rivalizim. Kemi kërkuar vëmendje maksimale dhe deri tani gjithçka ka shkuar mbarë. Votat janë në kuti, disa kanë të drejtën që të marrin DVD dhe të dinë sa vota kanë, probabiliteti për ndërhyrje është zero. Pjesa më e madhe e KZAZ të kenë përfunduar këtë proces.

  • 13:50

    Kishte premtuar largimin nëse Rama merrte mandatin e 3-të, PRESIDENCA: Dihet si fitoi “Babloku”, QETËSOHUNI, nuk ka dorëheqje!

    Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit Meta

    Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka sqaruar pozicionin dhe premtimin e bërë nga kreu i shtetit për t’u dorëhequr nga posti nëse kryeministri Edi Rama do të merrte mandatin e tretë. Në përgjigje të kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj, Blushi shkruan se Meta kishte bërë të qartë se nëse zgjedhjet do të fitoheshin në mënyrë demokratike do të largohej, duke lënë të kuptohet se ka ndodhur e kundërta. Ndaj si përfundim nga kreu i shtetit nuk ka largim!

    “Për të gjithë sahanlëpirësit e Bablokut: Presidenti Meta di vetëm TË MBAJË FJALËN! Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nëse Edi Rama fiton 71 mandate në mënyrë demokratike do të japë dorëheqje. E gjithë Shqipëria e di si i ka fituar Babloku këto zgjedhje, ndaj qetësohuni: NUK KA DORËHEQJE!,”-shkruan Blushi.

Shto Koment