Politike

Sazan Guri dhe dy organizatorët e tjerë nën hetim për protrestën/ PD: Regjimi i Edi Ramës po cënon të drejtat e qytetarëve

PD thekson se Regjimi i Edi Ramës po cënon të drejtat e qytetarëve. Në deklaratë thuhet se demokratët dënojnë me ashpërsi përndjekjen e qytetarëve që kërkojnë kthimin e të drejtave kushtetuese, të kufizuara padrejtësisht kaq gjatë nga qeveria.
Featured image of article: Sazan Guri dhe dy organizatorët e tjerë nën hetim për protrestën/ PD: Regjimi i Edi Ramës po cënon të drejtat e qytetarëve

Tiranë- Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme për protestën që u organizua dje në “Sheshin Skënderbej” nga aktivistët e Shoqësisë Civile, ku 7 prej tyre u proceduan penalisht. Në një deklaratë për mediet PD thekson se dënon me ashpërsi përndjekjen e qytetarëve që kërkojnë kthimin e të drejtave kushtetuese, të kufizuara padrejtësisht kaq gjatë nga qeveria.

Sot, qytetarëve po u cenohen të drejtat me lehtësi nga regjimi i Edi Ramës, sepse kryeministri anti-shtet po pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim kontrollin politik të saj.”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Reagimi i plotë:

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Partia Demokratike dënon me ashpërsi përndjekjen e qytetarëve që kërkojnë kthimin e të drejtave kushtetuese, të kufizuara padrejtësisht kaq gjatë nga qeveria. Ngritja e zërit nga disa aktivistë, që nuk pajtohen me vendimet antikushtetuese të parlamentit ilegjitim për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, është garanci për themelin e çdo shoqërie demokratike. Urdhrat e Edi Ramës për të përndjekur kundërshtarët e vendimeve të tij antikushtetuese e shndërrojnë Shqipërinë nga një vend kandidat për Bashkimin Europian në një vend që drejtohet prej një regjimi dhe kryeministër autoritarist. Sot, qytetarëve po u cenohen të drejtat me lehtësi nga regjimi i Edi Ramës, sepse kryeministri anti-shtet po pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim kontrollin politik të saj. Partia Demokratike është në krah të çdo qytetari që ngre zërin për liritë dhe të drejtat, që ngre zërin për shëndetin dhe punën e tij. Asnjë vendim antikushtetues nuk mund të bëjë që Edi Rama të marrë shqiptarët peng dhe të zëvendësojë demokracinë me regjimet autoritariste.

Policia e Shtetit njoftoi sot se për protestën që u zhvillua dje në Sheshin Skënderbej nga Shoqëria Civile për heqjen e karantinës, janë proceduar penalisht 7 persona, mes tyre edhe 3 organizatorët, Klajdi Bello, Zaçe Islami dhe Sazan Guri. 3 organizatorët e protestës janë gjobitur edhe me 500 mijë lekë gjobë, pasi nuk kishin marrë autorizim për të dalë nga shtëpia.  Kjo ishte protesta e parë e organizuar në Shqipëri dy muaj pasi vendi ndodhet në karantinë totale. Protestuesit kërkuan heqjen e karantinës dhe hapjen e bizneseve për të vijuar jetën normalisht, pasi siç tha edhe njëri prej tyre, rregullat po vendosen nga “Despoti Edi Rama”. Gjatë protestës protestuesit bënë edhe rezistencë, madje disa prej tyre u tërhoqën zvarrë nga Policia.

J.V/Dosja.al

Shto Koment