Aktualitet

PD nxjerr formularët e përfshirjes së administratës në zgjedhje në Fier, Baçi: Mitro e Subashi për ndjekje penale, ja dokumentet e plotësuara me emra, ID dhe numra telefoni (FOTOT

VIDEO
Baçi publikoi dy formularë, që sipas tij, drejtorët Mirela Mitro dhe kryebashkiaku Armando Subashi iu kanë dhënë nëpunësve për të plotësuar. PD kërcënoi se do të ketë padi penale për këdo që kërkon të marrë vota përmes presionit.
Featured image of article: PD nxjerr formularët e përfshirjes së administratës në zgjedhje në Fier, Baçi: Mitro e Subashi për ndjekje penale, ja dokumentet e plotësuara me emra, ID dhe numra telefoni (FOTOT Luan Baçi, ish-deputet i PD

TIRANË- Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka nisur presionet tek administrata për të siguruar vota për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, tha se ka prova konkrete të përfshirjes së administratës në zgjedhje në qarkun e Fierit. Baçi publikoi dy formularë, që sipas tij, drejtorët Mirela Mitro dhe kryebashkiaku Armando Subashi iu kanë dhënë nëpunësve për të plotësuar. PD kërcënoi se do të ketë padi penale për këdo që kërkon të marrë vota përmes presionit.

DEKLARATA E PLOTË

Partia Socialiste e mohoi pak ditë më parë aktin e saj të paligjishëm dhe kriminal të përfshirjes së administratës publike në fushatë elektorale. Si për çdo gjë tjetër, mashtruan. Ne po ju sjellim sot fakte të përfshirjes së drejtorëve të administratës në fushatën e partisë në pushtet. Këtë janë 2 formularë të plotësuar nga persona realë që punojnë në administratë. Ata janë kërcënuar me largim nga puna, nëse nuk përmbushin detyrimin për të siguruar një numër të caktuar votuesish, që deklarohen pro Partisë Socialiste. Njëri formular është plotësuar në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier, nën drejtimin e Mirela Mitros. Formulari tjetër i përket Bashkisë Fier me Kryetar Armando Subashin. Në të dy këta formularë janë shënuar emra nga punonjësi i administratës. Përbri emrit është numri personal i kartës së identitetit, numri i telefonit dhe njësia ku voton. Ka vetëm një arsye pse Edi Rama e ka ndërmarrë këtë operacion të paligjshëm, duke kryer një krim elektoral, qe dënohet nga Kodi Penal. Është humbja e thellë dhe largimi nga pushteti në 25 Prillin e ardhshëm. Edi Rama nuk u ka besën as socialistëve, sepse e di që ata e refuzojnë në masë këtë kryeministër të dështuar. Nuk ka asnjë makinacion, asnjë pazar, asnjë shkelje ligji që do të ndryshojë vullnetin e shumicës së shqiptarëve për ndryshim! Askush nuk do t’i shpëtojë përballjes me ligjin! Që nga Armando Subashi dhe tek kushdo që guxon t’u bëjë presion votuesve të administratës, në Fier dhe kudo në Shqipëri! Si fillim, për Armando Subashin dhe Mirela Mitron po bëjmë gati kallëzimin penal për “Përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të parashikuar në Kodin Penal. Partia Demokratike garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshëm, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Përfitoj nga rasti të përshëndes veprimin kurajoz të naftëtarëve, që po protestojnë sot në Tiranë për të fituar atë çfarë u takon nga djersa e mohuar. Rafineria e Ballshit është një nga vatrat më të mëdha të korrupsionit të kryeministrit në ikje. Ata nuk e zgjidhin dot hallin e naftëtarëve, sepse kanë marrë pjesën e tyre gjigande në kurriz të naftëtarëve dhe pasurisë kombëtare. Mashtrimet, shantazhet, dhuna policore e kësaj qeverie nuk i ndalin dot më shqiptarët, të cilët duan ndryshimin, duan një jetë më të mirë dhe me dinjitet!

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

 

 

Që prej të shtunës, Partia Demokratike ka publikuar disa raste, ku sipas demokratëve, punonjësve të administratës iu bëhet presion për të siguruar vota për PS. Nëpunësve u kërkohet të dorëzojnë listat me emrat, adresat dhe numrin e kartës së identitetit, të 20-50 pesonave (sipas funksionit) që ata marrin përsipër të sjellin për të votuar për Partinë Socialiste, në të kundërt, ata shantazhohen me largim nga puna.

(f.g/dosja.al)

Shto Koment