Politike

“Përdor helikopterët e FA-së për fushatë”/ Xhaçka reagon për herë të parë pas akuzave të PD-së: Histori “alla babale” e fabrikuar nga një ish-ushtarak i diskretituar, në kohën tuaj i merrnit për video-klipe këngëtarësh

Ministria e Mbrojtjes sulmon PD-së teksa shkruan se në kohën e tyre helikopterët përdoreshin për videoklipe këngëtarësh, dhe merreshin deri në 7.000 euro ryshfet nga djemtë e vajzat në uniformë që kërkonin të merrnin pjesë në misionet e NATO-s në Afganistan, por tashmë ajo kohë ka mbaruar.   
Featured image of article: “Përdor helikopterët e FA-së për fushatë”/ Xhaçka reagon për herë të parë pas akuzave të PD-së: Histori “alla babale” e fabrikuar nga një ish-ushtarak i diskretituar, në kohën tuaj i merrnit për video-klipe këngëtarësh

TIRANË– Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për herë të parë, pasi prej ditësh Partia Demokratike e akuzon Olta Xhaçkën për përdorimin e helikopterëve të Forcave të Armatosura për fushatë. Disa orë pas deklaratës së Albana Vokshit, e cila u shpreh se për një rrugë vajtje-ardhje nga Tirana në Peshkopi, Xhaçka harxhon plot 10 mijë euro, kjo e fundit i ka hedhur poshtë këto akuza.

Në një reagim zyrtar Ministria e Mbrojtjes shkruan se këto janë inskenime të ulëta dhe histori alla ‘Babaleje’ të inskenuara nga një ish-ushtarak i diskredituar, pasi helikopterët e FA-së, absolutisht nuk mund të përdoren për arsye fushate. Më tej, Ministria sqaron se edhe sikur të përdoreshin, 10 mijë euro një rrugë vajtje-ardhje Tiranë-Peshkopi, nuk do të ishte e përballueshme nga buxheti i tyre.

Ministria e Mbrojtjes sulmon PD-së teksa shkruan se në kohën e tyre helikopterët përdoreshin për videoklipe këngëtarësh, dhe merreshin deri në 7.000 euro ryshfet nga djemtë e vajzat në uniformë që kërkonin të merrnin pjesë në misionet e NATO-s në Afganistan, por tashmë ajo kohë ka mbaruar.   

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Reagimi i plotë: Ndoqëm sot me habi dhe indinjatë një deklaratë të znj. Albana Vokshi, e cila përsëriste pa menduar disa akuza të pabaza për përdorimin e helikopterëve të FA për të bërë fushatë elektorale, ngritur nga një individ, i cili pasi dështoi të përfshihet në listat e kandidatëve për deputet të PD, sepse u refuzua me përbuzje nga anëtarësia e kësaj partie ne qarkun e Dibrës, të cilët e njohin shumë mirë atë, karakterin dhe bëmat e tij, tenton tani të fitojë pikë me kryesinë e PD duke sajuar histori ala babale me helikopterë.Akuza si këto, në fakt nuk meritojnë përgjigje, sepse janë inskenime të ulëta dhe përpjekje për të hedhur baltë e për të nxirë punën e mirë që është bërë në FA në këto vite. Por, në respekt të qytetarëve, duam të sqarojmë që në asnjë rast, as Ministri dhe asnjë zyrtar i lartë civil apo ushtarak i Dikasterit të Mbrojtjes, nuk ka përdorur për qëllime politike, elektorale apo personale, asnjë mjet të FA, e jo më pastaj helikopterët. Duam t’i sqarojmë po ashtu qytetarët që jo vetëm Ministri, por edhe drejtuesit e FA kanë të drejtë, bazuar në ligj e procedura të mirëpërcaktuara, që të përdorin në përmbushje të detyrave funksionale mjetet e FA, përfshirë helikopterët. Në bazë të një plani lëvizjesh, helikopterët e FA, përdoren në mënyrë të rregullt, çdo ditë, për një sërë funksionesh, siç janë stërvitjet, evakuimet, monitorimet, inspektimet, emergjencat ajrore, udhëtimet e transporti për nevoja të FA etj. Gjithmonë në respekt të ligjit dhe gjithmonë duke lënë gjurmë të pakompromentueshme në sistem. E në këtë pikë, ia vlen të theksohet që ky përdorim do të kishte qenë i papërballueshëm për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes nëse do të kushtonte 10.000 euro për fluturim siç pretendohet në akuzat e PD.
Jemi të keqardhur, që Partia Demokratike ka kthyer sot në kauzë të vetën, akuzat e pabaza e me motive politike, të një ish-ushtaraku të diskretituar, në kohën e të cilit vërtet mjetet e FA përdoreshin për qëllime personale e elektorale, nga kërkimi për thesare e deri tek video-klipet e këngëtarëve me helikopterët e ushtrisë. Për të mos folur pastaj, për skandalin e ëikileaks, ku po ky zotëri, raportohej nga aleatët strategjikë të Shqipërisë se kërkonte 7.000 euro ryshfet nga djemtë e vajzat në uniformë që kërkonin të merrnin pjesë në misionet e NATO-s në Afganistan. Sot FA përjetojnë një realitet krejt tjetër. Ato gëzojnë besimin e partnerëve dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët i vlerësojnë FA ne anketime si institucionin më të besuar për shqiptarët. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në rrugën e nisur, duke çuar përpara modernizimin dhe profesionalizimin e FA, larg modelit të së kaluarës, të cilit i përket autori i këtyre akuzave.

Sot paradite në një deklaratë për mediat, Vokshi përsëriti akuzat e ngritura më parë nga Xhemal Gjunkshi për përdorimin e helikopterëve nga Xhaçka.

(a.k;f.m/dosja.al)

Shto Koment