Politike

Parlamenti bën 154 ndryshime ligjore me urgjencë/ Alarmohen Organizatat e Shoqërisë Civile: U prek reforma në drejtësi

Përmes një deklarate për shtyp të publikuar të mërkurën, 64 organizata të shoqërisë civile shprehën alarmin për këto ndryshime u miratuan pavarësisht se askush nuk ka pasur kohë t’i analizojë për të parë se çfarë efektesh mund të kenë.
Featured image of article: Parlamenti bën 154 ndryshime ligjore me urgjencë/ Alarmohen Organizatat e Shoqërisë Civile: U prek reforma në drejtësi Pamje nga Kuvendi

TIRANË – Edhe një herë, një numër deputetësh socialistë hodhën një mori propozimesh për ndryshime ligjore në ligjet kryesore të vendit, përfshirë kodin penal, kodin e procedurës penale, ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe disa ligje të tjera mbi sistemin e drejtësisë, gjithsej 154 ndryshime, të cilat janë hedhur në procedurë të përshpejtuar parlamentare, në një veprim që organizatat e shoqërisë civile e konsiderojnë në shkelje të kushtetutës dhe të tillë që cënon besimin e publikut te reforma në drejtësi. Ligjet në fjalë u miratuan së fundmi në seancë plenare.

Përmes një deklarate për shtyp të publikuar të mërkurën, 64 organizata të shoqërisë civile shprehën alarmin për këto ndryshime u miratuan pavarësisht se askush nuk ka pasur kohë t’i analizojë për të parë se çfarë efektesh mund të kenë.

“Shoqëria civile shpreh shqetësimin se procesi i ndjekur për shqyrtimin dhe miratimin e këtyre projektligjeve krijon precedent negativ, pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe Rregulloren e Kuvendit,” thuhet në deklaratën e organizatave.

“E gjithë procedura e ndjekur, nga Komisioni i Ligjeve deri në miratimin e këtyre projektligjeve në seancë plenare, është kryer në mungesë të transparencës me publikun dhe konsultimit me të gjitha organet e sistemit të drejtësisë dhe shoqërinë civile, si dhe në kushte urgjence, në më pak se 30 ditë nga depozitimi në Kuvend më 25 shkurt 2021. Mungesa e një procesi konsultimi gjithëpërfshirës krijon klimë mosbesimi ndaj kësaj pakete ndryshimesh ligjore të reformës në drejtësi,” vijon më tej deklarata.

Projektligjet u propozuan nga deputetët Vasilika Hysi, Adnor Shameti, Alket Hyseni, Klotilda Bushka dhe Ulsi Manja, që të gjithë socialistë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

I njëjti grup deputetësh propozuan dhe më pas parlamenti miratoi, shtatorin e kaluar një mori ndryshimesh të debatueshme mbi krimet zgjedhore, duke ia ngarkuar të gjitha hetimet vetëm një njeriu në prokurori dhe duke cënuar në këtë mënyrë një nga parimet kryesore të reformës në drejtësi, decentralizimin e prokurorisë.

Marre nga: BIRN 

(A.k.dosja.al)

Shto Koment