Politike

Numri dy i PD-së paralajmëron katastrofë nëse nuk bëhen zgjedhje, Paloka: Shkojmë me Ramën, u detyrua të ulej në tryezë

Nënkryetari demokrat flet për rrezikun që i kanoset sot demokracisë në Shqipëri ndërkohë që sipas tij përgjatë një viti me protesta të fuqishme, djegien e mandateve dhe denoncimin e pushtetarëve të korruptuar opozita ia doli të rikthejë vëmendjen e botës tek ajo se çfarë po ndodh në Shqipëri.
Featured image of article: Numri dy i PD-së paralajmëron katastrofë nëse nuk bëhen zgjedhje, Paloka: Shkojmë me Ramën, u detyrua të ulej në tryezë Edi Paloka
Përditësuar:

TIRANË– Edi Paloka nënkryetar i PD-së dhe ish- kryetar i Kuvendit shpreh shqetësimin se vendi tashmë është në një krizë totale; politike, ekonomike e sociale. Ai apelon se rrezikojmë madje një katastrofë humanitare. Në kushtet të tilla funksionari i lartë i PD-së thotë për “Gazeta Shqiptare”, se zgjidhja e kësaj situate vjen përmes zgjedhjeve të parakohshme. Sipas Palokës, vetëm zgjedhjet e lira do t’i japin vendit institucione legjitime dhe do të rikthejnë normalitetin. E kundërta shprehet Edi Paloka do na çonte me shpejtësi drejt katastrofës. Nënkryetari demokrat flet për rrezikun që i kanoset sot demokracisë në Shqipëri ndërkohë që sipas tij përgjatë një viti me protesta të fuqishme, djegien e mandateve dhe denoncimin e pushtetarëve të korruptuar opozita ia doli të rikthejë vëmendjen e botës tek ajo se çfarë po ndodh në Shqipëri.

Z.Paloka, viti 2020 nisi me dialog mes mazhorancës dhe opozitën për çështjen e reformës zgjedhore. Nga erdhi gjithë ky besim i opozitës tek kryeministri Edi Rama, nisur nga marrëveshja e 2017-ës…?
Meqenëse po e përmend, e ashtuquajtura “marrëveshje e 2017”-ës na ka mësuar të gjithëve pikërisht të kundërtën e kësaj që po thoni ju; na ka mësuar që Edi Rama është vetëm një hileqar i rëndomtë dhe për këtë arsye vetë Lulzim Basha e ka bërë të qartë më shumë se një herë se nuk do të ketë më asnjë marrëveshje Basha-Rama. Sa për uljen në tryezën e reformës zgjedhore, opozita po bën detyrën e saj. Ju e dini që përveç detyrimeve të tjera, qeverisë shqiptare dhe Edi Ramës i janë vënë 9 kushte prej Bundestagut si detyrim për hapjen e negociatave. Në këto nëntë kushte, që në fakt përfaqësojnë rrugën e daljes nga kriza ku është futur vendi, pika e parë është realizimi i reformës zgjedhore. Kryeministrit Rama i është bërë e qartë po në kushtet e Bundestagut se reforma zgjedhore mund të realizohet vetëm me opozitën reale në Shqipëri që sot është jashtë Parlamentit. Ky kusht që i vihet Ramës, është dhe e vetmja pikë nga nëntë, ku përfshihet opozita. Për këtë arsye ne e kemi bërë të qartë që në fillim gatishmërinë tonë, madje dhe këmbënguljen tonë për të realizuar dhe mbyllur sa më parë këtë pikë të rezolutës së Bundestagut gjerman që i hap rrugën tetë kërkesave të tjera të Bundestagut ndër të cilat implementimi i Kodit të ri Zgjedhor, pra zgjedhjet e parakohshme dhe dënimi i atyre që janë kapur në krime elektorale janë pikat më të rëndësishme.

Çfarë e detyroi opozitën të ulet në dialog me mazhorancën?
Në fakt, “nuk u detyrua” opozita të ulej në atë tryezë, sepse opozita është ajo që prej kohësh e ka kërkuar atë tryezë. Nëse do të përdornim termin “detyruar”, atëherë duhet përdorur për Edi Ramën e jo për opozitën. Siç dhe ju e dini shumë mirë, opozita ka paraqitur që në fillim propozimin e saj prej pesë pikash për realizimin e reformës zgjedhore ku kërkohet pikërisht realizimi i kësaj reforme jashtë parlamentit që e ka humbur legjitimitetin e tij. Ai që e kundërshtonte këtë qëndrim të opozitës e madje kërcënonte se brenda dhjetorit do ta votonte reformën në parlamentin monist, ishte pikërisht Edi Rama. Pra, nëse do të flasim me termat tuaj, ishte Rama që u detyrua të vinte në tryezën e kërkuar nga opozita dhe nuk kishte fare vend për dilema. E gjithë propaganda dhe zhurma që u ngrit në media duke filluar nga vetë Rama e pasuar nga ata që lëpijnë kockat e Ramës, kishte si qëllim pikërisht t’i shpëtonte fytyrën këtij të fundit duke hedhur teza apo pyetje si:

“Kush fitoi nga tryeza?”.
…Dhe kush fitoi realisht?
Për mua nuk ka asnjë rëndësi kjo pikë. Fitorja do të vijë për gjithë shqiptarët kur Edi Rama të plotësojë të gjitha kushtet e Bundestagut duke i hapur njëkohësisht rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe hapjes së negociatave për Shqipërinë.
Pas një viti konfliktual të politikës shqiptare, ku PD zhvilloi protesta të forta, keni pasur djegie mandatesh, shumë akuza ndaj qeverisë, por çfarë fitoi opozita përmes marrëveshjes së re me PS-në?
Si gazetar unë e di që teorikisht nuk ka pyetje të gabuara, prandaj po vazhdoj t’i përgjigjem drejtë. Nuk ka një marrëveshje tjetër PD-PS. Nuk e di ku e shihni?! Ka një ulje në tryeze të dy palëve, opozitës dhe parlamentit monist për realizimin e reformës zgjedhore si një nga kushtet e Bundestagut për t’i hapur rrugën zgjidhjes së krizës në vend.

…Dhe çfarë arriti opozita nga një vit më parë?

Kam dëgjuar dhe analistë për të cilët unë jam i bindur që nuk bëjnë lojën e Ramës, të thonë se opozita u kthye ku ishte, se i çoi dëm sakrificat etj., etj. Nuk është aspak kështu dhe për këtë mjafton të kthehemi me kujtesën një vit më parë.
Unë e kam thënë dhe herë tjetër prandaj po e përsëris shkurt; opozita me djegien e mandateve, zhvillimin e protestave më të mëdha në vend dhe diskretitimin e plotë të Ramës me 30 qershor, ka arritur të rikthejë vëmendjen e botës drejt rrezikut që kërcënon sot demokracinë në Shqipëri me një kryeministër si Rama si dhe ka arritur dhe treguar se sot opozita e bashkuar është, në fakt, mazhorancë absolute përballë një PS në kuotat më të ulta historike të saj. Sot të gjithë pranojnë që Rama është praktikisht i rënë, por harrojnë që kjo ka ardhur mbi të gjitha si pasojë e luftës se pozitës !

Për opozitën reforma zgjedhore është hapi i parë drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa mazhoranca ka deklaruar se kjo reformë bëhet për zgjedhjet e vitit 2021. Çfarë do të ndodhë pas marsit, afati kur duhet të mbyllet reforma e re elektorale?
Së pari, unë uroj që Rama t’i qëndrojë zotimit për ta mbyllur këtë reformë brenda 15 marsit e mos vazhdoje me hilet e tij prej njeriu të vogël, për ta zvarritur akoma më shumë.
Së dyti, në përgjigje të pyetjes tuaj e siç përmenda dhe më lart, në kushtet e Bundestagut bëhet e qartë se pas realizimit të reformës zgjedhore hapi tjetër që pritet dhe verifikohet është implementimi i saj dhe implementimi i një reforme zgjedhore bëhet vetëm më zgjedhje. E këtu bëhet fjalë për implementimin si kusht për hapjen e negociatave për të cilat do të diskutohet në maj të 2020, pra minimalisht qeveria duhet të shpallë përpara, zhvillimin e zgjedhjeve.
Sigurisht që flasim në rastin që Rama do të pranojë zbatimin e të gjitha kushteve të Bundestagut.

Çfarë i bën tjetër të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme?

Nuk janë vetëm kushtet e Bundestagut që i bëjnë të domosdoshme zgjedhjet. Vendi tashmë është në një krizë totale; politike, ekonomike e sociale. Rrezikojmë madje një katastrofë humanitare. Zgjidhja e vetme e kësaj situate vjen duke e futur vendin në rrjedhën normale të lëvizjes, vjen vetëm nëpërmjet zgjedhjeve që do t’i japin vendit institucione legjitime dhe do të rikthejnë normalitetin. E kundërta do na çonte, siç po na çon me shpejtësi, drejt katastrofës. Vetëm një i çmendur do të vazhdonte në këtë rrugë.
Unë personalisht jam i bindur që Edi Rama, nuk do të donte të zhvillonte zgjedhje as në 2021, madje asnjëherë më, nëse do të varej prej tij.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

A ka marrë garanci PD-ja se do të pranohen zgjedhjet e parakohshme? Marrëveshja PD-LSI, është një konsensus i arritur mes opozitës dhe shumicës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në pranverë apo në vjeshtë?
Unë nuk kam qenë pjesë e bisedimeve që janë kryer me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Për çfarë janë marrë vesh palët është bërë publike dhe është konkretizuar me tryezën e reformës zgjedhore. Zgjedhjet e parakohshme ndërkohë, siç përmenda dhe me parë, janë një detyrim, si e vetmja zgjidhje për të ndaluar çuarjen e vendit drejt katastrofës.

PD e mbështet ndryshimin e sistemit zgjedhor, konkretisht cilin lloj sistemi?
Partia Demokratike është shprehur qartazi se është e hapur të diskutojë dhe mbi sistemin zgjedhor. Nuk është hapur ndonjë diskutim për këtë çështje në PD sepse siç jemi deklaruar për ne pika e parë dhe më kryesore është garantimi i votës së lirë të shqiptarëve dhe këtë nuk e zgjidh sistemi, cilido qoftë ai. Fakti është që në Shqipëri janë përdorur disa sisteme por asnjëherë nuk kanë qenë sistemet garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Kush ia vë fajin sistemit për grabitjen apo shitblerjen e votës, thjesht i bën një shërbim Edi Ramës sepse kështu do të rezultonte që fajin e ka sistemi e jo Rama, Gjiknuri, Gjushi e me radhë gjithë horrat e kriminelët që tanimë janë kapur në krime elektorale.

A e legjitimoi PD-ja atë që për shumë kohë e keni cilësuar si simbolin e krimit elektoral, zotin Gjiknuri?
Simboli i krimit elektoral në Shqipëri është padroni i Gjiknurit, Edi Rama. Gjiknuri dhe gjithë të tjerët; Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Ulsi Manja, Taulant Balla e me radhë, janë vetëm ushtarët që zbatojnë urdhrat e Ramës. Dënimi i tyre është sot jo vetëm kërkesë e opozitës por dhe një nga kushtet e Bundestagut. Sa për dijeni, Partia Demokratike të shtunën ka kërkuar zyrtarisht që SPAK të marrë në shqyrtim dosjen 184!

Cila është mënyra më efikase për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin?
Mënyra më efikase për largimin e krimit nga politika është largimi i Edi Ramës. Normalisht do të përgjigjesha që mënyra efikase, do të ishte zbatimi i ligjit për dekriminalizimin. Por kjo do të shërbente për ato raste kur krimi infiltrohej fshehtas apo kundër vullnetit të politikës. Në fakt, ne jemi në kushtet kur krimin në politikë e ka futur dha vazhdon ta fusë me vullnet të plotë kryeministri i vendit. Rama e ka domosdoshmëri bashkëpunimin me krimin. Pushteti i tij është ngritur e qëndron vetëm mbi këtë lidhje të tij me krimin. 30 qershori e bëri më se të qartë këtë; megjithëse i vetëm në votimet e tij, Edi Rama prapë emëroi në postet e kryetarëve të bashkive njerëz të inkriminuar e prapë përdori krimin për të çuar njerëzit në votime. Prandaj e përsëris, mënyra më efikase për shkëputjen e krimit nga politika është largimi i Edi Ramës.

Çfarë sigurie ka PD-ja që përmes reformës së re zgjedhore, do të shkëputen lidhjet e Edi Ramës siç akuzon opozita nga ortakëria e tij me oligarkinë dhe krimin?
Nuk ka asnjë lidhje reforma zgjedhore me vullnetin e Ramës për të bashkëpunuar me krimin. Asnjë iluzion nuk kemi ne se reforma zgjedhore e zgjidh këtë problem. Sigurisht reforma me disa nene mund të kufizojnë mënyrat e manipulimit të zgjedhjeve por nuk drejtojnë dot vullnetin e deformuar të Ramës.

Cila është garancia e Partisë Demokratike që ajo çfarë ka arritur të shkruajë në letër, do të zbatohet? Dhe për të qëndruar tek drafti i reformës zgjedhore, a do ta përfshijë PD-ja në draftin e saj kërkesën për të pasur një qeveri tranzitore përgjegjëse, kujdestare, për çdo herë para zgjedhjeve?
Garanci për zbatimin e ligjit sigurisht që mbetet qeveria tranzitore dhe një qeveri me Edi Ramën në krye ka treguar qartazi se vetëm garanci për zbatimin e ligjit nuk mund të jetë, përkundrazi. Këtë e vulosi 30 qershori dhe për ata më skeptiket apo që bënin sikur nuk shihnin. Në këto kushte Partia Demokratike dhe opozita jo vetëm që nuk kanë hequr dorë nga qëndrimet e shpallura me kohë, por besoj që sot këtë qëndrim e mbështesin dhe ndërkombëtaret. Shqipëria nuk duhet të bëjë më shumë se Maqedonia në këtë rast.

Nëse zgjedhjet e parakohshme zhvillohen në qershor, a do të hyjë opozita me Edi Ramën Kryeministër në garën elektorale?
E kemi thënë dhe përsëritur, opozita është e gatshme të hyjë dhe t’i fitojë zgjedhjet. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet, pa përjashtuar asnjë mënyrë e rrugë, për t’ju dhënë mundësinë shqiptarëve që sa më parë të zgjedhin me votë të lirë, institucionet që duan t’i përfaqësojnë.

Marrë nga Gazeta Shqiptare

Shto Koment