Aktualitet

‘Palermoja e Re’/ Si u kthye Elbasani në “kasaphanën” e ekzekutimeve në muajin korrik, skeda e të vrarëve, cila ishte shkëndija e parë

Që prej 6 qershorit qyteti nuk ka qetësi dhe nuk do të ketë deri në goditjen e krimit nga Policia. Deri atëherë të vetmit që do të kenë shumë punë do të jenë varrmihësit dhe kronika e zezë…
Featured image of article: ‘Palermoja e Re’/ Si u kthye Elbasani në “kasaphanën” e ekzekutimeve në muajin korrik, skeda e të vrarëve, cila ishte shkëndija e parë Foto ilustruese

ELBASAN- Mëngjes, 8 qershor, teksa sapo kishte dalë në oborrin e shtëpisë së tij, Ardian Çapja qëllohet me snajper vetëm pak centimetra larg zemrës. Një dorë e stërvitur, pa gabime qëlloi nga një vend nga ku ‘kulla’ e Çapjave kishte pamjen më të qartë. Teksa në Drejtorinë e Policisë në Elbasan kishte mbledhje për aksionin anti-kanabis dhe parullat po ndërronin turnin, autorët nuk u ngutën në sulmin e tyre. Qëlluan Çapjan dhe me mendimin që e kishin lënë të vdekur u larguan me shpejtësi nga vendngjarja pa lënë asgjë pas veçse si gjithmonë një makinë të djegur. Pas shumë orësh brenda në operacion, 55-vjeçari ia doli që të mbijetonte por ky ishte vetëm fillimi i përplasjeve në Elbasan.

Vetëm pak javë më vonë, në mes të qytetit të Elbasanit një person me kapuç dhe me maskë anti-COVID qëllon pa mëshirë brenda makinës së tij, Emiljano Ramazanit. 39-vjeçari me precedentë të mëparshëm penalë sapo kishte dalë nga palestra, kur u qëllua për vdekje. “Rramami” ose i njohur ndryshe si “Ili”, duket se ka “paguar” për një gabim të bërë në të shkuarën, plot dy vitë më parë.

Dyshohet se eliminimi i Ramazanit ka lidhje me një tjetër vrasje që ka ndodhur në këtë qytet, në vitin 2018 dhe se ekzekutimi i tij është bërë për hakmarrje mes grupeve kriminale që operojnë në Elbasan. Bëhet fjalë për grupin e “Sakatit” i cili drejtohet nga 3 vëllezër dhe grupin e “Tarzanit”. Edhe pse nuk ka të akuzuar për ngjarjen, gjurmët të çojnë tek një përplasje e mundshme mes grupeve. Edhe pse “Ili” nuk rezulton i përfshirë direkt në vrasje por mendohet se ai ka pasur dijeni ose ka marrë pjesë në role të tjera për të kryer ekzekutime të ndryshme në qytet. Por ende nuk ka një pistë konkrete, lë më të akuzuar apo të prangosur.

Megjithatë vrasja e tij nuk u la me aq… “Dora ndëshkuese” qëlloi sërish dhe kësaj herë mikun më të ngushtë të 39-vjeçarit. Në orët e vona të 30 korrikut, pranë varrezave në një rrugë qorre u gjet i masakruar me armë dhe i larë në gjakun e tij, 23-vjeçari Regis Runaj. Një telefonatë e marrë pak para vrasjes e nxorri të riun nga shtëpia për të mos u kthyer më!

Në afërsi të zonës ku u gjet trupi i të riut, janë fiksuar shenjat e frenimit të një makine. Dyshohet se në këtë vend është marrë me forcë Runaj dhe është çuar deri në lagjen “Emin Matraxhiu”. Aty është qëlluar me thikë në trup, fytyrë, zemër dhe qafë dhe më pas është lënë mbi gjakun e tij për disa orë deri sa është pikasur nga banorë të lagjes, të cilët njoftuan menjëherë Policinë. Njësoj si me Ramazanin edhe vrasja e Runajt dyshohet të ketë një motiv. Dyshohet për prishje të pazareve të drogës por nuk përjashtohet fakti që shoku i ngushtë i Ramazanit mund të ketë pasur ndonjë informacion rreth konflikteve që ka pasur miku i tij i ndjerë apo të ketë “nuhatur” dorën që e ekzekutoi.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kaluan vetëm pak orë dhe Policia merr një tjetër mesazh për vrasje në Elbasan. Në qendër të qytetit dhënri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, Sokol Sanxhaktari dhe Ardiano Hajdari masakruan mikun e tyre të fëmijërisë, Florian Lamçen. Pas një pasditeje dhe një nate me alkool, Lamçja u masakrua në kokë nga një këmbë karrigeje dhe pësoi çarje të aortës në parakrah duke ndërruar jetë brenda lokalit, kur vetëm pak momente më parë kishte postuar në Facebook se po kalonte mirë me mikun e tij të fëmijërisë.

Tre vrasje brenda pak javësh, tentativa për ekzektutim të një prej njerëzve më të fuqishëm të qytetit, i përfolur për shumë ngjarje kriminale; Elbasani duket se është kthyer në Palermon e re të Shqipërisë. Dy vite më parë, ishte Shkodra ajo që gëlonte nga vrasjet dhe nga lajmet e kronikës së zezë. Por mesa duket, për këtë verë stafetën e merr Elbasani. Me më shumë grupe që operojnë, me më shumë të paidentifikuar, me më shumë viktima që nuk u gjendet motivi i vrasjes, qyteti i Shqipërisë qendrore është kthyer në çerdhen e krimit.

Grupet kërkojnë më shumë territor, më shumë pushtet. Tani nuk janë më vetëm dy familjet (mbiemrat janë të njohur për redaksinë) që e bëjnë ligjin. Të rinj, me më shumë njerëz, më të sofistikuar për të fshehur gjurmët kërkojnë të marrin shumë, duke mos kursyer asnjë “armik”. Tentativa e atentatit ndaj numrit një të Çapjave ka thyer heshtjen që kishte kapluar qytetin. Që prej 8 qershorit qyteti nuk ka qetësi dhe nuk do të ketë deri në goditjen e krimit nga Policia. Deri atëherë të vetmit që do të kenë shumë punë do të jenë varrmihësit dhe kronika e zezë…

(k.m.f.g/dosja.al)

Një Koment në “‘Palermoja e Re’/ Si u kthye Elbasani në “kasaphanën” e ekzekutimeve në muajin korrik, skeda e të vrarëve, cila ishte shkëndija e parë

  1. Nga Policia pret ti moj Redaksi!?
    Mos na hap barkun,aman…

Shto Koment