LIVE UPDATES
Insights

Padronët e dinjitetit

23 Prill 2021, 12:38 Nga DOSJA
Padronët e dinjitetit

Po marr përsipër të shkruaj vetëm për t’i dhënë përgjigje të shkurtër një pyetje të thjeshtë – Si e trajton e drejta evropiane fenomenin e sistemit të të dhënave që në Shqipëri po e njohim të gjithë me termin e sistemit të “patronazhistit”? Po ju lodh me ca vendime gjykatash – pikërisht për të shpjeguar se cila është përgjigja që merr kjo pyetje në Evropë. Evropa kështu i jep përgjigjet. Po e marr të mirëqenë faktin që sistem i patronazhistit ekziston ashtu siç është përshkruar, jo vetëm për shkak se denoncimet kanë konsistuar në fakte konkrete dhe jo hamendje, por edhe për shkak se këto fakte jo vetëm nuk janë kundërshtuar por edhe janë justifikuar, madje ligjëruar nga ata që i kanë ngritur, i përdorin dhe i shfrytëzojnë këto të dhëna dhe procedurat hetimore kanë filluar në
lidhje me këtë fenomen. Ka katër elementë në këtë histori që meritojnë, së pari, një parashtresë të shkurtër për të kuptuar nëse ka dhe çfarë lloj ndërhyrje ka nga pikëpamja e së drejtës evropiane, për të vlerësuar, në një moment të dytë nëse këto ndërhyrje do të përbënin shkelje apo jo në të drejtat themelore shtetasve, apo nëse ato mund të justifikohen. Përpara se t’i parashtroj shkurtimisht, po risjell sa për kujtesë
tre tekste themelore dhe disa referime tek aktet e tjera ndërkombëtare që e rregullojnë këtë fenomen, si dhe referimin tek neni i zbatueshëm i Kushtetutës së RSH dhe ligjin shqiptar.

A. Aktet

Neni 12 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut parashikon se: “Askush nuk mund të jetë objekt ndërhyrjesh arbitrare në jetën e tij private, familjen e tij, në banesën ose letërkëmbimin e tij, as objekt cenimesh të nderit dhe as të reputacionit të tij. Çdo person ka të drejtën të ketë mbrojtjen e ligjit kundër ndërhyrjeve ose cenimeve të tilla.” (shih gjithashtu nenin 17 të Paktit Ndërkombëtar të OKB mbi të drejtat civile dhe politike)
Neni 8 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut parashikon se:

“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.

2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mirëqenien ekonomike të vendit, për mbrojtjen e rendit ose për parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.” Në kuadrin e Këshillit të Evropës duhet përmendur gjithashtu Konventa 108 për mbrojtjen e të dhënave personale e vitit 1981, e modifikuar në vitin 2018, e cila e trajton në mënyrë të detajuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe referohet shpesh edhe nga Gjykata e Strasburgut. Neni 35 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se: “… 2. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim
të rasteve të parashikuara me ligj. 3. Kushdo ka të drejtë të njihet me të dhënat e mbledhura rreth tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj. 4. Kushdo ka të drejtë të kërkojë ndreqjen ose fshirjen e të dhënave të pavërteta ose të paplota ose të mbledhura në kundërshtim me ligjin.” Të dhënat personale mbrohen specifikisht nga ligji nr. 9887, 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Neni 8 i Kartës së BE mbi të Drejtat themelore parashikon:
“1. Çdokush ka të drejtë për mbrojtjen e të dhënave personale në lidhje me të. 2. Këto të dhëna duhet të përpunohen në mënyrë të drejtë, për qëllime specifike dhe në bazë të pëlqimit të subjektit të të dhënave ose mbi një bazë tjetër legjitime të parashikuar nga ligji. Gjithkush ka të drejtë të ketë qasje në të dhënat e mbledhura në lidhje me të dhe t’i korrigjojë ato.  3. Respektimi i këtyre rregullave i nënshtrohet kontrollit të një autoriteti të pavarur.” Në kuadrin e BE ka edhe dy akte të tjera që e rregullojnë këtë të drejtë, Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), hyrë në fuqi më 25 maj 2018, dhe Direktiva për Ruajtjen e të Dhënave (Direktiva 2006/24/EC e PE dhe e KM e 15 Marsit 2006). B. A ka ndërhyrje ndaj të drejtave dhe ndaj cilave të drejta i. Çfarë kontrollohet/raportohet Një kontroll i shpejtë i bazës të të dhënave, siç qarkullon në internet, nxjerr në pah se janë kontrolluar dhe raportuar në këtë bazë të dhëna të tilla si datëlindja, atësia, bindjet politike, origjina etnike, punësimi, marrëdhëniet financiare, etj. Një referim i shpejtë në nenin 2 të Konventës 108 të Këshillit të Evropës mbi të Drejtën e Individëve ndaj Përpunimit Automatik të të Dhënave Personale, tregon se: e dhënë personale është “çdo informacion që lidhet me një individ të identifikuar ose
të identifikueshëm”. Në të njëjtat terma shprehet edhe neni 3 i ligjit no. 9887, i lartpërmendur. Nuk ka dyshim që ato që gjen në bazën e të dhënave që është bërë objekt debati në Shqipëri, janë të dhëna personale. Sa për ilustrim po ofroj pak shembuj ku Gjykata e Strasburgut i konsideron këto të dhëna si të dhëna personale që duhen mbrojtur në kuadrin e nenit 8 KEDNJ: – Emri – Guillot k. Francës, 1996, etj. – Mbiemri – Güzel Erdagöz k. Turqisë, 2008, etj. – Datëlindja – Gaskin k. Mbretërisë së Bashkuar, 1989, Friedl k. Austrisë, 1994, etj. – Atësia – Odièvre k. Francës , 2003; Godelli k. Italisë, 2012, M.G. k. Mbretërisë së Bashkuar, 2002, Coudec and Hachette Filipacchi Associés k. Francës, etj. – Bindjet, anësia politike, ose pjesëmarrja në shoqata apo sindikata – Rotaru k. Rumanisë, 2000, Association “21 December 1989” and Others k. Rumanisë, 2011, Amann k. Zvicrës, 2000, Catt k. Mbretërisë së Bashkuar, 2019, etj. – Punësimi – Khelili k. Zvicrës, 2011, Sõro k. Estonisë, 2015, etj. – Marrëdhëniet apo situata financiare – M.N. and Others k. San Marino, 2015, Satakunnan Markkinapörssi Oy and Satamedia Oy k. Finlandës, 2017, etj. – Origjina etnike – S. and Marper k. Mbretërisë së Bashkuar, 2008, Ciubotaru k. Moldavisë, 2010, etj. Origjina etnike, bindjet, anësia politike, ose pjesëmarrja në shoqata apo sindikata parashikohen edhe si të dhëna sensitive nga neni 3 § 2 i ligjit 9887 (shih edhe Catt k. Mbretërisë së Bashkuar § 112, dhe S. and Marper k. Mbretërisë së Bashkuar § 66). ii. Kush e bën kontrollin Siç kuptohet nga të dhënat e bëra publike nga media dhe të konfirmuara nga të zotët e punës, ekziston një lloj kontrolli ose mbikëqyrje e shtetasve shqiptarë nga persona të caktuar të angazhuar nga një parti politike. Kjo situatë është afër asaj që Gjykata e Strasburgut e ka vlerësuar në çështjen Vukota-Bojić k. Zvicrës, të vitit 2016, ku detektivë privatë të angazhuar nga një kompani sigurimesh, pra që nuk përfaqësonin një autoritet publik, mbikëqyrnin lëvizjet e një personi për të parë nëse ai
po abuzonte me asistencën sociale. Gjykata vendosi shkelje në këtë rast sepse ligji zviceran nuk ishte i detajuar sa duhet në përcaktimin e të drejtave të kompanive të sigurimit për të mbikëqyrur personat që përfitonin nga asistenca sociale. Në kuadrin e BE, situata ngjan me çështjet e bashkuara GJDBE C-293/12 dhe C-594/12, Digital Rights Ireland Ltd k. Minister for Communications, Marine dhe Natural Resources and Others and Kärntner
Landesregierung and Others, vendim i Dhomës së Madhe i 8.4.2014, ku Gjykata e Luksemburgut duhet të analizonte nëse direktiva 2006/24/EC që ju kërkonte operatorëve publikë dhe private të telefonisë që të mbanin disa të dhëna deri në dy vjet, pasi këto mund të ndihmonin autoritetet në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Ajo ngjason gjithashtu me çështjen C-362/14, Maximillian Schrems k. Data Protection Commissioner, vendim i Dhomës së Madhe të Gjykatës së Luksemburgut i 6.10.2015. Në atë rast Schrems, një përdorues i Facebook, ankohej se vendimi i Komisionit Evropian të vitit 2000, i ashtuquajtur Safe Harbour, që autorizonte transferimin e të dhënave nga kompanitë evropiane, drejt kompanive amerikane dhe pastaj nga këto eventualisht
autoriteteve amerikane në luftën e tyre kundër terrorizmit, cenonte jetën e tij private.
Ajo që mund të vihet re nga të tre vendimet e lartpërmendura, është që autoritetet private kishin një bazë ligjore, në nivel kombëtar apo evropian, që i autorizonte për mbledhjen e të dhënave. Këtij momenti do i kthehem më vonë, në analizën e shkeljes apo jo në lidhje me situatën e patronazhistit shqiptar. iii. Krijimi dhe përdorimi i sistemit të të dhënave
Ngritja e një sistemi të dhënash personale ka qenë gjithashtu objekt shqyrtimi në një sërë vendimesh nga Gjykatat evropiane. Që nga Leander k. Suedisë, 1987, e deri tek Gaughran k. Mbretërisë së Bashkuar, 2020, etj, Gjykata e Strasburgut ka thënë se “thjesht ruajtja e të dhënave në lidhje me jetën private të një individi paraqet një ndërhyrje sipas kuptimit të nenit 8”. Përderisa, siç e thamë nën (i) më lart, që të dhënat që secili prej nesh mund t’i shohë në këtë sistem janë pjesë e jetës private në kuptimin evropian, krijimi i një baze që i regjistron ato është ndërhyrje në të drejtat që secilit prej nesh i garanton neni 8 i KEDNJ dhe neni 35 i Kushtetutës. Gjithashtu ngritja e një sistemi të dhënash, sidomos pa
pëlqimin e personave të prekur, duhet të shoqërohet me garanci të qarta dhe nga autoritete të pavarura për të shmangur abuzimet (Szabó dhe Vissy k. Hungarisë).
iv. Pëlqimi për dhënien e informacioneve dhe për përdorimin e tyre Një element i rëndësishëm në këtë histori është karakteri krejt sekret i tyre. Ndryshe nga sa shpallet
nga disa politikanë në Shqipëri, nuk besoj se ndokush është në gjendje të vërtetojë se këto të dhëna janë administruar me pëlqimin e ndonjërit, se të secilit jo se jo (shih Radu k. Moldavisë, 2014). Aq më pak nuk me rezulton që të jetë shpjeguar në detaje mënyra, përdorimi, qëllimi, afatet (po thonë se kanë 9 vjet që i mbledhin!!!). Në Evropë, vetëm për terrorizmin dhe veprat e rënda penale që rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe publike, thotë Gjykata e BE, mund të autorizohet mbajtja e këtyre të dhënave për periudha të shkurtra, 4 muaj deri 12 muaj në Francë, për shembull, të rinovueshme por vetëm nën kontroll të autoriteteve të pavarura dhe vetëm kur janë proporcionale. Për më tepër ato të dhëna duhet të jenë specifike dhe proporcionale dhe përdorimi i tyre i lidhur me një qëllim të caktuar. Ky përdorim duhet të jetë i rregulluar strikt edhe kur të dhënat janë
mbledhur me pëlqimin e personit, siç mund të jetë anëtari ose militanti i një partie, sindikate, etj. (shih Schrems, më lart si dhe nenet 6 dhe 7 të ligjit 9887). Vetë fakti që çdo qytetar shqiptar është në sistemin e lartpërmendur i jep përgjigje pyetjes se ky standard shkelet. (shih S dhe Marper, më lart, dhe vendimin e Dhomës së Madhe të Gjykatës së Luksemburgut të 6.10.2020 në çështjet e bashkuara C‑511/18 et C‑512/18, La Quadrature du Net etj. k. Kryeministrit, etj,).

Ndërkohë që po shkruaja sa më sipër, një element tjetër u bë publik nga mediat në Shqipëri – që gazetarët e ‘Lapsit’ janë thirrur nga prokuroria e cila ju ka kërkuar që të dorëzojnë bazën e të dhënave. Këtë lajm mund ta analizoja shkurtimisht si të pestin në listën e mësipërme, por po preferoj ta trajtoj në përfundim të këtij artikulli. C. A justifikohen ndërhyrjet Pasi konstatohet, siç e bëmë më sipër, se ngritja e sistemit të të dhënave përbën një ndërhyrje në jetën private të mijëra shtetasve shqiptarë, testi i thjeshtë në lidhje me këto ndërhyrje ndaj të drejtës për jetë private, që ju mësohet studentëve të drejtësisë që nga Tirana deri në Strasbourg, konsiston në katër etapa. Këto janë: (a) a është ndërhyrja e parashikuar nga ligji?; (b)a ndjek një qëllim legjitim?; (c) a është e nevojshme një një shoqëri demokratike?; dhe (d) a është proporcionale në raport me qëllimin e ndjekur? Analiza ime në këtë pikë mund të jetë tepër e shkurtër – krijimi i kësaj baze të dhënash personale nga një parti politike, cilado qoftë ajo, mbi prirjet politike të individëve që nuk kanë lidhje me atë parti, nuk parashikohet nga ligji – nuk di të ketë një ligj që e autorizon një gjë të tillë në Shqipëri. Analiza mbyllet këtu – një sistem të dhënash personale që ngrihet pa pasur një bazë ligjore është automatikisht në shkelje e nenit 35 të Kushtetutës dhe të nenit 8 të KEDNJ. Megjithatë, për hir të shterimit të fenomenit po preferoj të shtoj edhe dy radhë për elementët e tjerë të testit të mësipërm të shkeljes. Në lidhje me pikën (b), qëllimi legjitim i ngritjes të bazës të të dhënave, mua më duket absolutisht e pamundur që një parti politike, duke e lënë mënjanë realitetin
e simbiozës parti-shtet, por po flas për çdo parti politike në Shqipëri, të mund të pretendojë një qëllim legjitim në ngritjen dhe të administrimin e një bazë të dhënash personale të individëve në një vend të caktuar. I vetmi justifikim mund të qëndronte në dhënien e pëlqimit të personave që përfshihen në këtë bazë të dhënash, por siç e thashë më lart, duke specifikuar natyrën e të dhënave, qëllimin, dhe në funksion të një marrëdhënie konkrete, si anëtar ose militant partie, sindikate, OJFje, klient i një biznesi, etj. Kjo situatë më sjell ndër mend përpjekjet e avokatit të qeverisë britanike, Rabinder Singh QC, për të bindur Gjykatën në seancën e çështjes S dhe Marper k. Mbretërisë së Bashkuar, se sistemi britanik i të dhënave personale synonte luftën ndaj kriminalitetit dhe kjo ishte arsyeja e ngritjes së atij sistemi. Pavarësisht se e pranoi këtë argument (shih § 100) Gjykata gjeti shkelje për arsye të karakterit tepër të gjerë të sistemit. Gjerësia e sistemit britanik në atë çështje s’është gjë hiç në raport me këtë që ka ndodhur në Shqipëri. Ndërsa qeveria britanike përpiqej të justifikonte qëllimin e ngritjes së sistemit,
dhe tiparet specifike me qëllime legjitime – lufta kundër kriminalitetit, qeveri/partitë shqiptare nuk më rezulton t’i jetë referuar ndonjë qëllimi legjitim deri tani, përveç interesit përkatës elektoral. Pas përfundimeve në lidhje me ligjshmërinë dhe me interesin legjitim të krijimit të bazës të të dhënave të patronazhistëve, analiza e elementëve të nevojës në një shoqëri demokratike dhe proporcionalitetit nuk ka më asnjë kuptim.

Përfundim

Ngritja e sistemit të të dhënave nga një parti politike, i cili për më tepër ishte sekret, pa pëlqimin e personave të regjistruar dhe jashtë çdo kontrolli juridiksional nga autoritete të pavarura në lidhje me ligjshmërinë, qëllimin, nevojën dhe proporcionalitetin, duket të jetë në shkelje e pastër e 5 normave më themelore kombëtare dhe ndërkombëtare që mbrojnë të drejtën për të dhëna personale. Kjo situatë do duhej të vinte menjëherë në lëvizje autoritetet e zbatimit të ligjit për të kontrolluar nëse është shkelur ligji dhe të drejtat nga ngritja dhe sistemi i bazës të të dhënave. Megjithatë reagimi i prokurorisë dhe gjykatës shqiptare nuk ka përse të çudisë – duhen kuptuar, përveç kusureve të tjera janë edhe nën vetingun e organeve të zgjedhura pikërisht nga ata që ngrenë këto baza të dhënash. Ndaj hetojnë median që publikoi shkeljen e të dhënave personale dhe jo ata që mund ta kenë bërë. Është njësoj sikur pasojat e skandalit të Watergate të mos i vuante Presidenti Nixon por t’i vuanin Bob Woodward et Carl Bernstein sepse nuk nxorën burimin e informacioneve që botuan. Në këtë drejtim Andi Bushati dhe Mand Shkullaku mbrohen nga një jurisprudencë e tërë ku kolegët e tyre evropianë ju kanë rezistuar kërkesave të shteteve që të zbulonin burimet e tyre të informacionit (Goodwin k. Mbretërisë së Bashkuar, 1996, Financial Times Ltd and Others k. Mbretërisë së Bashkuar, 2009, Sanoma Uitgevers B.V. k. Holandës, 2010, Telegraaf Media Nederland… k. Holandës, 2012, Sedletska k. Ukrainës, e tre javëve më parë, më 1.4.2021). Ndërkohë që po mbyllja këtë shkrim, disa media botuan lajmin se edhe PD paska një sistem të ngjashëm. Këto media, përfshirë disa miq të mi socialistë, qarkulluan lajmin me njëfarë lehtësimi të
prekshëm, duke sugjeruar se “ja edhe kundërshtari”, kështu që nuk ka problem që ka sistem të dhënash. Ky reagim përsëri anashkalon thelbin e problemit, të zbatueshëm për PS për PD, për Partinë…, për Facebook, për TEG, etj, që mund të ngenë sisteme që ndërhyjnë në të dhënat personale. Mund dhe duhet të argumentohet madje që nëse qeveria e paska ditur, dhe një qeveri normalisht mund dhe duhet ta dijë, se partitë politike ose subjektet tjera private kanë sisteme të tilla dhe nuk paska marrë masa për mbrojtjen e të dhënave personale, që e ka detyrim multi-ligjor, përsëri kanë bërë shkelje përderisa kanë dështuar në marrjen e këtyre masave. Kam parë dhjetëra qeveri evropiane duke u lodhur edhe duke shkruar faqe të tëra argumentesh ligjore për të justifikuar ndërhyrjet në të dhënat personale, gjithmonë vetëm për një nga qëllimet legjitime të parashikuara
nga neni 8 § 2 i KEDNJ. A e mendoni dot një qeveri që të shkojë të argumentojë para gjykatave evropiane, se para atyre shqiptare nuk e përjashtoj, se nuk përbën problem sistemi i të dhënave sepse edhe kundërshtari i tyre politik bën të njëjtën ndërhyrje?! Këto përpjekje tregojnë se matësi i sjelljes të partive, të politikanëve, të medias dhe të një pjese, të madhe (?!), të shoqërisë sonë nuk është ligji dhe e drejta, por është sjellja e kundërshtarit. Prandaj paligjshmëria ulet këmbëkryq dhe serbes tek ne. Kjo nuk është mënyrë funksionimi e shtetit ligjor, ku ligji rregullon sjelljen e çdokujt, kjo ka tiparet e sjelljes në një shoqëri feudale. Tek ne është sjellja e kundërshtarit që rregullon dhe
përcakton sjelljen tonë, politike dhe sociale, dhe këto edhe mund të justifikohen deri diku, por ajo kushtëzon edhe sjelljen në raport me ligjin, dhe kjo është e papranueshme. Teoria e reciprocitetit nuk vepron në të drejtën publike dhe sidomos në të drejtën e brendshme, evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ajo vepron vetëm në të drejtën private dhe në të drejtën ndërkombëtare publike klasike, edhe këtu me limite. Ndaj ngatërrimi i shënjestrës hetimore nga prokuroria nuk është i rastësishëm. Ndaj edhe  ngritja e këtij sistemi – në kundërshtim me një mori standardesh të përmendura më lart – nuk i shqetëson autorët. Pse të rreken të argumentojnë se sistemi është në bazë të ligjit, për një qëllim legjitim, i nevojshëm apo proporcional, që janë kriteret e vetme evropiane të justifikimit të ndërhyrjes? Mjafton të gënjejnë kur thonë se kjo bëhet edhe në Evropë, ose të justifikohen se kështu bëjnë 6 edhe kundërshtarët!!! Mundet që nuk e kuptojnë as vetë që po gënjejnë. Këtu nuk jemi më tek patronazhisti i të dhënave personale, por tek padroni i të dhënave, i dinjitetit, i intelektit dhe i personalitetit të çdo shqiptari.

P.S. – lexova komente se sistemi i patronazhit qenka njësoj sikur dikujt ti japësh targën e makinës – Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane në 18 dhjetor 2018, (1 BvR 142/15), urdhëroi që ligji Bavarez për Policinë, është pjesërisht anktikushtetues në lidhje me njohjen automatike të targave…

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

opinione opinione ledi bianku ledi bianku

Sondazh

Poll
Insights 15 Prill 2021, 11:19

Buxheti dhe Becchetti

Ekonomia e Shqipërisë nuk arrin të prodhojë para. Të ardhurat buxhetore nuk kanë arritur të kalojnë 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë gjithë periu...

Insights 12 Prill 2021, 06:22

Pse i harruam gratë në pandemi?

Fytyra e tmerrshme e Coronës shfaqet si sëmundje, si vdekje dhe dëshpërim për shumë vetë. Gratë përballen me këtë çdo ditë, sepse ato mbajnë një barrë ve...

Insights 11 Prill 2021, 20:41

Rama kopjon barcaletën e Fatos Nanos

Edi Rama paska bere spot me ngjarjen e Fatos Nanos. Edhe kete ua thote nje nga ata qe e ka jetuar personalisht ngjarjen dhe njeri nga ata qe e hapi ne publik at...

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni