Politike

Kallëzimi ndaj Dvoranit/ Blushi: Padi për zyrtarë të tjerë, do të publikohet një video me fakte përvëluese për dhunimin e Kushtetutës

  • Meta kërkon takim me Bashën dhe Kryemadhin: Vendi në situatë dramatike, do të ketë vendime
  • Tedi Blushi ka paralajmëruar se në vijim do të ketë padi për persona e zyrtarë të tjerë që kanë shkelur Kushtetutën.
    Featured image of article: Kallëzimi ndaj Dvoranit/ Blushi: Padi për zyrtarë të tjerë, do të publikohet një video me fakte përvëluese për dhunimin e Kushtetutës Tedi Blushi

    Tiranë- Tedi Blushi zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta ka deklaruar se të hënën nuk ka diskutim që presidenti Ilir Meta do të bëjë një kallëzim penal ndaj Dvoranit, kreut të KED-së.

    Në reagimin e Presidencës theksohet se brenda javës do të publikohet një video me prova që sipas tij do të nxjerrin fytyrën e vërtetë të Ardian Dvoranit.

    “Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.”, reagon Tedi Blushi. Blushi  paralajmëroi se do të ketë padi edhe për zyrtarë të tjerë.

    Reagimi: 

    Të dashur kolegë gazetarë që më pyesni vazhdimisht a do të bëhet ditën e hënë kallëzimi penal i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se:

    Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.

    Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

    Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.

    Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më. Në këtë mënyrë, jo vetëm mbrojmë Kushtetutën e Republikës dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere, që paguajnë aq shtrenjtë që ky vend i NATO-s dhe nesër i BE-së, të arrijë standardet e tyre, të shtetit ligjor dhe të demokracisë.

    Një ditë më parë në një konferencë urgjente për mediat Presidenti Ilir Meta deklaroi se do të padisë në Prokurori, kreun e KED Ardian Dvoranin për ngërçin në Kushtetuese. Meta tha se Dvorani ka konsumuar dy vepra penale, shpërdorimin e detyrës dhe përvetësimin e titujve shtetëror. Kreu i Shtetit i cilësoi si mafioze veprimet e kreut të KED dhe të bëra qëllimisht që Presidenti të shkelte Kushtetutën. Meta iu përgjigj dhe akuzave të Ramës duke e quajtur të çmendur. Ai deklaroi se më këtë situatë alarmante popullit i ngelen tre rrugë: “Ose njerëzit të marrin armët që është e papranueshme, ose të pranojnë gjendjen, ose të largohen”.  Rama sot u shpreh se presidenti është në anën e gabuar të historisë.

    J.V/Dosja.al

    Shto Koment