Aktualitet

Padia e gjashtë në SPAK, Aleanca kallëzon Ramën, Veliajn dhe Ingelsin: Të pezullohet tenderi për projektin

Në kallëzimin e dorëzuar sot në SPAK, AMT ka akuzon kryeministrin Edi Rama, kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitektin danez, Bjarke Ingels.
Featured image of article: Padia e gjashtë në SPAK, Aleanca kallëzon Ramën, Veliajn dhe Ingelsin: Të pezullohet tenderi për projektin Anëtarët e AMT-së para SPAK-ut

TIRANË- Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar sot në Prokurorinë e Posaçme një kallëzim penal për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në kallëzimin e dorëzuar sot në SPAK, AMT ka akuzon kryeministrin Edi Rama, kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitektin danez, Bjarke Ingels.

Në një deklaratë AMT shkruan se kjo kërkesë e bërë nga ana tyre është në përputhje me nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale, dhe mbështetet në faktin se jemi përpara një projekti që ka shërbyer si mjet për kryerjen e veprës penale.

Sipas aleancës akuzat kundër zyrtarëve të lartë të shtetit dhe arkitektit janë disa nga shkelja e barazisë në tendera, korrupsion, dhënie e ndihmës për ndërtim të paligjshëm dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Po ashtu Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon pezullimin  e procedurave të tenderit për projektin e godinës së re deri në zgjidhjen përfundimtare të cështjes.

DEKLARATA E PLOTË

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, kallëzon sot në SPAK Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, Administratorin e kompanisë FUSHA SHPK Shkëlqim Fusha si dhe arkitektin danez Bjarke Ingels, për shkatërrimin e godinës së Teatrit kombëtar. Si rrjedhim i kësaj, AMT ka kërkuar gjithashtu masën e sekuestros preventive ndaj projektit danez, i cili konsiderohet se mund të zgjerojë pasojat e veprave penale të kryera, si dhe mund të lehtësojë apo nxisë vepra të tjera të tilla. Kjo kërkesë e bërë nga ana jonë është në përputhje me nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale, dhe mbështetet në faktin se jemi përpara një projekti që ka shërbyer si mjet për kryerjen e veprës penale. Vendosja e kësaj sekuestroje, do të ishte një masë që do të parandalonte pasojat e parekuperueshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për interesin publik që ka realizimi i këtij projekti.

Nga ana tjetër, referuar faktit se Bashkia e Tiranës, në shkelje të plotë të akteve ligjore në fuqi, ka hapur garën për projektin e ndërtimit të Teatrit të Ri, kemi kërkuar edhe pezullimin e procedurave të tenderit për këtë projekt, deri në zbardhjen e hetimeve dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Kjo masë, do të ndërpriste procesin për fillimin e punimeve derisa çështja të ketë përfunduar, gjë që do të krijojë mundësitë për rindërtimin e Teatrit, ashtu siç ishte, aty ku ishte. AMT kallëzon Ramën, Veliajn, Fushën dhe Ingels se kanë kanë shkelur në bashkëpunim me njeri tjetrin edhe akte ligjore si: Ligji Nr.9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar; Ligji Nr. 9367 datë 07.04.2005, për “Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”; VKM Nr.914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Me anë të këtij kallëzimi AMT merr përsipër të përcjellë zërin e artistëve dhe qytetarëve që besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe se zbatimi i tij është e vetmja mundësi që kjo shoqëri të ecë përpara. AMT, bëhet gjithashtu zëri atyre artistëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë me forcë realizimin e këtij projekti i cili është ngritur i tëri mbi një aferë korruptive që, veç të tjerash, ka një kosto të parekuperueshme për kulturën shqiptare. Faktet e bëra publike deri më tani në 5 kallëzimet e AMT-së, do të mjaftonin që vetë organi i prokurorisë të kishte nisur hetim kryesisht për këtë çështje, duke përmbushur në këtë mënyrë përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore. Me këtë çështje, SPAK ka rastin t’iu provojë qytetarëve se kjo prokurori, e ngritur posaçërisht për të hetuar krimin e zyrtarëve të lartë, ka përkushtimin e plotë për ta kryer misionin e saj. Ajo ka në dorë, jo vetëm ndëshkimin e abuzuesve, gjë që do ti kryente një shërbim të rëndësishëm vendit, por edhe shpëtimin dhe rikthimin e një monumenti të rëndësishëm historik e kulturor, të njohur tashmë ndërkombëtarisht. AMT mbetet e vendosur ta ndjekë këtë çështje, në të gjitha instancat përkatëse brenda dhe jashtë vendit, duke kërkuar me ngulm vendosjen e drejtësisë si dhe rikthimin e Teatrit në hijeshinë e tij të plotë, si ditën kur u ndërtua.

Tenderi për Teatrin

Pak ditë më parë Bashkia Tiranë ka hapur një tender me një fond limit prej 60,317,899 lekë nga Buxheti i Shtetit për projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Mësohet se Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin për “Studim-Projektim “Ndërtim i Teatrit Kombëtar”. Hapja e këtij tenderi rrëzon projektin e Bjarke Ingels, i cili është financuar nga kompania “Fusha Shpk”, pasi tashmë mund të marrin pjesë në garë dhe kompani të tjera.

Shembja e Teatrit Kombëtar

Teatri Kombëtar u shemb në datën 17 maj 2020 dhe solli disa protesta të njëpasnjëshme. Artistët e aktivistët, të mbështetur dhe nga opozita kundërshtuar aksionin e Policisë së Shtetit, e cila nxorri me dhunë ata që ishin brenda në godinë dhe shkatërroi brenda pak orëve kompleksin e teatrove. Reagimi qytetarë për shkatërrimin e godinës ishte i madh, por kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u shpreh se projekti për ndërtimin do të vijojë. Nga ana tjetër Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka zhvilluar takime në disa qytete dhe ka mbledhur firmat e peticionit për rindërtimin e teatri aty ku ishte dhe siç ishte më parë.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment