Bota

Bankat e Kinës marrin urdhër që të dezinfektojnë paratë, COVID-19 përhapet edhe nëpërmjet prekjes

Autoritetet u kanë kërkuar bankave që paratë të dalin në qarkullim vetëm pas 14 ditësh, pasi janë dezinfektuar me rreze ultravjollcë dhe temperatura të larta.
Featured image of article: Bankat e Kinës marrin urdhër që të dezinfektojnë paratë, COVID-19 përhapet edhe nëpërmjet prekjes Parate Kineze

KINË-Autoritetet kineze kanë urdhëruar të gjitha bankat dhe institucionet financiare në vend, që të dezinfektojnë të gjitha paratë që janë në arkat e tyre, si dhe t’i mbajnë në karantinë nga 7 deri në 14 ditë.

Sipas mediave të huaja ky vendim është marrë, pasi studimet shkencore kanë zbuluar se paratë janë një nga transmetuesit më të mëdhenj të virusit vdekjeprurës duke qenë se kalojnë dorë më dorë. Autoritetet u kanë kërkuar bankave që paratë të dalin në qarkullim vetëm pas 14 ditësh, pasi janë dezinfektuar me rreze ultravjollcë dhe temperatura të larta.

Shkencëtarët kinezë deri më tani kanë zbuluar se virusi është në gjendje që të mbijetojë në sipërfaqe metalike, xhami, plastike apo druri për më shumë se 9 ditë. Nisur nga këto të dhëna është shpërndarë edhe udhëzuesi higjieno-sanitar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që kërkon dezinfektimin e ambienteve të punës dhe të shtëpisë me alkol dhe lëndë të tjera që shkatërrojnë virusin brenda 1 minute.

“Nuk ka një kurë të posaçme për koronavirusin e ri, por parandalimi i përhapjes së tij është thelbësor në këtë fazë”- thuhet në një raport të shkencëtarëve kinezë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Virusi besohet se shpërndahet nga personi në person edhe përmes ajrit. Ajo që këshillojnë të gjithë ekspertët, është kujdesi i theksuar në higjienë, por edhe masat e karantinimit si të domosdoshme për parandalimin, ose minimizimin e përhapjes së virusit.

Koronavirusi po përhapet me shpejtësi në Europë. Në Itali deri më tani janë regjistruar 17 viktima dhe 650 të infektuar, ndërkohë numri këtyre të fundit po rritet nga ora në orë. Mes të infektuarve është edhe një fëmijë. Për këtë përhapje të virusit jashtë Kinës, OBSH është shprehur e shqetësuar. Ndërkohë harta e koronavirusit po zgjerohet, pasi raste të konfirmuara ka në Kroaci, Greqi, Austri, Danimarkë, Norvegji dhe në Rumani. Nga ana tjetër, koronavirusi po vijon të marrë jetë njerëzish në Kinë dhe vende të tjera, ku mësohet se në rang global janë regjistruar mbi 2.814 të vdekur dhe mbi 82.777 të infektuar. Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.

(A.K.Dosja.al)

Shto Koment