Blog

Opozitë guerrilje

Dhe pas disa muajsh sorrollatje, opozita tashmë e zëvendësuar në kuvend, e kërcënuar për asgjësim total me krijimin e një opozite të re, e ndodhur nën rrethimin ku u fut vetë s’ka asnjē rrugë tjetër reagimi.
Featured image of article: Opozitë guerrilje Foto ilustruese

Skenat e djeshme do mbeten gjatë në memorien e shqiptarëve, pse jo dhe të të huajve që kanë pasur mundësi për t’i parë. Pas një proteste paqësore para kryeministrisë, turma e protestuesve u mblodh para sallës së seancave plenare të kuvendit.Tym dhe zjarr, kapsolla dhe  fishekzjarrë tē drejtuar direkt mbi policinë. Një tufë e vogël adoleshentësh kryesonte aksionin opozitar.

Bilanci: Të paktën 10 të plagosur; punonjës të policisë dhe qytetarë. Imazhet e transmetuara nga mediat përcillnin tmerr. Njē protestues i shtrirë në tokë u rrethua nga tufë fotografësh e gazetarësh, kush të kapte foton apo planin më të mirë dhe askush nuk u afrua të shihte a kishte probleme serioze për jetën.

Dhe në fund lideri i opozitës i mblodhi të gjithë qëndrestarët te selia e vet, ku me sytë që i lotonin nga gazi lotsjellës me të madhe trumbetoi fillimin e opozitës guerrilje!

Këtë fillim viti kur opozita bëri lëvizjen e paprecedent të dorëzimit të mandateve, ata nuk e kishin shumë të qartë që kishin filluar një betejë shumë të vështirë, që kishin nisur një sulm të befasishëm shumë brenda territorit të kundërshtarit, pa bërë mirë llogaritë e forcave dhe pa asnjë ndihmë të huaj.

Lëvizjes suprizë të opozitës iu kundërpërgjigj mazhoranca me një tjetër lëvizje suprizë.

Në vend të negocionte ndonjë marrëveshje apo armëpushim të përkohshëm, xhenierët e Rilindjes me urdhër-direkt të komandantit të tyre shkatërruan urën e fundit që mund të përdorte opozita për tērheqje.

Pa kaluar as 48 orë i bënë dorëheqjet fakt të kryer dhe njoftuan KQZ për vakancat.

Kundërshtari u rrethua, tashmë s’ka asnjë mundësi tërheqjeje, e vetmja rrugë është ta asgjësojmë ose ai të dorëzohet me turp!

Dhe pas disa muajsh sorrollatje, opozita tashmë e zëvendësuar në kuvend, e kërcënuar për asgjësim total me krijimin e një opozite të re, e ndodhur nën rrethimin ku u fut vetë s’ka asnjē rrugë tjetër reagimi.

Ka filluar opozitën guerrilje!

Të dy gjeneralët vështrojnë fushën e betejës pa e ditur çfarë do ndodhë nesër!

Ata që do marrin pasojat janë qytetarët e thjeshtë!

Fushëbeteja që do shkatërrohet është Shqipëria!

Shto Koment