Aktualitet

OFL zbarkon në Gjirokastër, u dërgon formularët 5 “të fortëve” të dënuar për drogë dhe vrasje (EMRAT)

  • Kush është Endrik Lluka që OFL i dërgoi sot formularin
  • Krenar Skënduli, Gentian Sinomema, Adriatik Kanushi, Endrik Lluka dhe Ervis Canka duhet të deklarojnë pasuritë e tyre brenda 48 orëve.
    Featured image of article: OFL zbarkon në Gjirokastër, u dërgon formularët 5 “të fortëve” të dënuar për drogë dhe vrasje (EMRAT) Operacioni Forca e Ligjit

    Gjirokastër- Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularët për të deklaruar pasuritë e tyre, Krenar Skëndulit, Gentian Sinomemës, Adriatik Kanushit, Endrik Llukës, dhe Ervis Cankës. Të 5 personat që janë në “sitën” e OFL-së janë dënuar për trafik droge, vrasje, rrëmbim personi dhe vjedhje. Ata  duhet të deklarojnë pasurinë e tyre brenda 48 orëve.

    Endrik Lluka është arrestuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai akuzohet se në vitin 2016 vrau kushëririn e tij, Dorian Lluka, pas një sherri për 500 mijë lekë.

    Njoftimi i Policisë:

    OFL, 4 qershor Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

    Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

    – K. S., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    – G. S., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim;

    – A. K., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim;

    – E. Ll., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

    – E. C., banues në Përmet, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

    Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

    J.V/Dosja.al 

    Shto Koment