Ekonomi

OBSH i kërkon Shqipërisë të rishikojë skemën e financimeve për shëndetësinë, janë shumë të ulëta, ka pagesa të larta nga xhepi

Ndonëse të kufizuara burimet publike nga buxheti mbulojnë tërë popullatën me një paketë të gjerë shërbimesh falas, por në realitet është e vështirë të vlerësohet mbulimi i saktë, pasi pagesat e larta nga xhepi tregojnë se disa shërbime nuk ofrohen falas.
Featured image of article: OBSH i kërkon Shqipërisë të rishikojë skemën e financimeve për shëndetësinë, janë shumë të ulëta, ka pagesa të larta nga xhepi Foto ilustruese

SHQIPËRI– Shqipëria shpenzon më pak se mesatarja europiane dhe e Azisë Qendrore për shëndetin.

Shpenzimet totale të qeverisë për shëndetin janë 9-10% të totalit të shpenzimeve buxhetore, vlerë kjo më e ulët se mesatarja e në vendet me të ardhura të mesme të larta të vlerësuara nga Banka Botërore që shpenzojnë 12% të buxheteve vjetore për shëndetësinë raporton Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ndonëse të kufizuara burimet publike nga buxheti mbulojnë tërë popullatën me një paketë të gjerë shërbimesh falas, por në realitet është e vështirë të vlerësohet mbulimi i saktë, pasi pagesat e larta nga xhepi tregojnë se disa shërbime nuk ofrohen falas.

Ekipi i OBSH rekomandon se Shqipëria duhet të zhvillojë një program me fokus të synuar. Aktualisht, e gjithë popullata ka të drejtën e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor. Për të përdorur në mënyrë sa më efektive burimet financiare në dispozicion, vendi duhet të kalojë në një skemë të synuar, selektive, ku popullsia e cenuar ndaj rreziqeve financiare si, njerëz të papunë, pensionistë, gratë, fëmijët dhe adoleshentët të përfitojnë më shumë nga skema e sigurimeve që financohet nga qeveria/

OBSH ka kërkuar që financimi i shërbimeve nga skema e shërbimeve shëndetësore duhet të pasqyrojnë situatën aktuale epidemiologjike në vend, teksa duhen kryer studime më të detajuara rreth kostove. Këto rekomandime duhet të shihen si një strategji afat-shkurtër për të përmirësuar zvogëlimin e pagesave nga xhepi. Mekanizmat e financimit të shëndetësisë në Shqipëri janë të fragmentuara dhe të ndërlikuara. Kjo vështirëson gjurmimin e shpenzimeve.

OBSH përmend ekzistencën e pagesave joformale, të cilat janë të vështira për t’u vlerësuar. Për të qenë në gjendje të gjurmojë shpenzimet sipas burimit, Shqipëria duhet të institucionalizojë dhe implementojë sistematikisht llogaritë e sektorit shëndetësor. Kjo do të lejojë një menaxhim efikas të burimeve të mundshme për kujdesin shëndetësor.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Një pjesë e lartë e pagesave nga xhepi komprometojnë mbrojtjen financiare të popullatës. Në zonat rurale, kostot për të udhëtuar drejt spitaleve shoqëruar me koston e mundshme për shërbimet që nuk janë në dispozicion brenda sektorin publik, pengojnë aksesin e tyre në shërbimet shëndetësore.

Pagesat e larta nga xhepi për shërbimet shëndetësore janë një tregues se jo vetëm njerëzit e pasiguruar, por edhe ata që janë të përfshirë në skema përballen me pagesa informale.

Me herët, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara në një raport për planin e përgjigjes për rimëkëmbjen social ekonomike ndaj Covid-19 shprehu shqetësimin se Shqipëria, jo vetëm që ka shpenzimet më të ulëta për shëndetësinë nga gjithë shtetet e Europës Juglindore, por dhe në vitet e ardhshme planifikon që t’i ulë më tej ato.

“Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022. Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë. Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”, thuhet në raport.

Marrë nga Monitor.al 

Shto Koment