Aktualitet

‘O babi, na gjuajtën’, xhaxhai i Andi Malokut rrëfën telefonatën e fundit: Punonte si kamarier, jo si polic, s’e njihte më parë Ndojën

Sipas dëshmisë së xhaxhait, Andi nuk kishte ndonjë njohje të mëparshme me prokurorin Ndoja, thjesht kishte shkuar të punonte aty.
Featured image of article: ‘O babi, na gjuajtën’, xhaxhai i Andi Malokut rrëfën telefonatën e fundit: Punonte si kamarier, jo si polic, s’e njihte më parë Ndojën Andi Maloku

TIRANË– Pasi “luftoi me vdekjen” në  shtrat, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja që me manovrat e tij i shpëtoi jetën ‘shefit’ gjatë atentatit të datës 1 nëntor ndërroi jetë në Spitalin e Traumës pak ditë më parë, ku dhe po merrte mjekimin e nevojshëm.

Xhaxhai i tij, Bashkim Maloku, thotë për gazetën Shekulli, se shumë prej atyre që thuhen nuk janë të vërteta.

Ai thotë se djali ishte vetëm 23 vjeç dhe kishte punuar më herët si kamarier, jo si polic në Krujë.

Sipas dëshmisë së xhaxhait, Andi nuk kishte ndonjë njohje të mëparshme me prokurorin Ndoja, thjesht kishte shkuar të punonte aty.

“Andi punonte si kamarier dhe më pas mori një lokal me qira. Më pas e pa që nuk e përballonte dot se nuk i paguante qiranë dhe e mbylli. Ishte pa punë, pasi e mbylli lokalin dhe ishte në kërkim të punës”.

Bashkim Maloku në intervistë, tregon edhe telefonatën e fundit të Andit. “Andi kishte folur me të atin në telefon dhe i kishte thënë: o babi, na gjuajtën, jam plagosur”.

Xhaxhai shprehet i zhgënjyer edhe me policinë, e cila nuk i la fillimisht të shihnin Andin, pasi kishin blinduar spitalin. Ndërkohë që një ditë më pas nuk kishte asnjë polic në spital.

Policia nuk ngriti postblloqe, por u morën me familjarët, që ishin te spitali për t’i shoqëruar”, thotë ai.

“Me drejtësinë jemi të pakënaqur, dhe nga qeveria jemi të pakënaqur, sidomos ne që kemi kontribuar për këtë qeveri”.

Atentati i 1-nëntorit, si u plagos prokurori me shoferin dhe mikun e tij, Landi Muharremi

Një skenë hollivudi e krimit shqiptar u përsërit të shtunën në vendin e njohur si Mbikalimi i Shkozetit në Durrës. Makina tip “Benz”, ku po udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, ra pre e një atentati, pasi një makinë tjetër “Benz”, ngjyrë gri, nisi të qëllonte me breshëri, duke lënë të plagosur të tri personat që po udhëtonin në këtë makinë.

Prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij, ish-polici i Krujës Andi Maloku që ndërroi jetë më 7 nënëtor dhe një person i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale, Landi Muharremi (Aleksandër Laho), ngelën të plagosur pasi ndaj tyre u qëlluan mbi 20 plumba.

Atentatorët dyshohet se janë një skuadër vrasësish me pagesë, ndërsa pak orë pas ngjarjes në Ishëm, u gjet makina e tyre e padjegur, dhe brenda ndodheshin dy armët e përdorura në këtë atentat, përkatësisht dy kallashnikovë AK-47. Dosja i ka kaluar prokurorit Anton Martini, ndërsa Ndoja ka thënë se nuk i njeh autorët e atentatit. Për këtë ngjarje janë shoqëruar në Polici Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe, të cilët pas dëshmisë janë lënë të lirë.

I vetmi që ndodhet pas hekurave në lidhje me këtë ngjarje është Redjan Rraja, i njohur ndryshe si ‘Dara” i Krujës, që është gjithashtu edhe nipi i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Ai u arrestua nga Policia e Shtetit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi e më pas drejt Italisë dhe u zbulua nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën Benz ngjyrë gri, që u braktis i padjegur nga atentatorët në Ishëm.

Vetë Rraja ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë në atentat dhe se ka alibi për vendndodhjen e tij në momentin kur është kryer atentati. Megjithatë Gjykata e ka lënë të riun në burg deri në përfundimin e hetimeve për atentatin.

Pista kryesore që po hetohet në lidhje me atentatin ndaj Ndoja është ajo e pronave në Gjirin e lalëzit, ku mendohet të ketë pasur interes Rrumi. Kjo indicje erdhi pasi në “ML”-në  e prokurorit Ndoja u gjetën dosjet e vjedhura nga prokuroria një vit më parë, mes tyre edhe ajo e pronave të ish-gjyqtarit të vrarë Skerdilajt Konomit.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment