Politike

Nuk u regjistrua si kandidat, Beleri: Interpretim jo i saktë i ligjit. Si do i bllokoja planet e qeverisë për Himarën

Alfred Beleri, e quan mosregjistrimin e tij nga KQZ-ja si një sulm politik, ndërsa për vendimin e Kolegjit Zgjedhor të Apelimit thotë se ka interpretuar gabim ligjin. Beleri shprehet se kandidatura e tij do prishte planet e qeverisë për Himarën.

TIRANË- Alfred Beleri zyrtarisht nuk do të mund të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Pas vendimit të KQZ-së, për mosregjistrimin e tij, edhe Kolegji Zgjedhor i Apelit, ka vendosur kundër tij.

Në një Intervistë për Dosja.al Beleri e quan këtë si një vendim të padrejtë. Sipas tij interpretimi i ligjit ka qenë jo i saktë nga gjykata. Ai shprehet se veprat për të cilat është dënuar në 2003-shin nuk kanë të bëjnë fare as me vepra penale, as me thirrje për urrejtje nacionale, as poshtërim i simboleve dhe i Republikës.

“Veprat për të cilat jam dënuar në 2003-shin nuk kanë të bëjnë fare as me vepra penale, as me thirrje për urrejtje nacionale, as poshtërim i simboleve dhe i Republikës. Në vendimin e atëhershëm paraqitet se dy aktet që më penalizojnë ishin: një shkrim në një gazetë të kohës që nxirrte Shoqata e Himariotëve në Athinë dhe isha organizator i autobusave që erdhën nga Athina në Himarë për të votuar z.Vasil Bollano, kandidatin e atëhershëm të OMONIA-s në zgjedhjet e 2003-shit”, tha Beleri.

Më tej ai sqaroi se përse mendon se refuzimi i kandidaturës së tij është një sulm politik, ndërsa shtoi se nëse ai do të ishte zgjedhur kryetar i Himarës, nuk do të lejonte qeverinë për të punuar në kurriz të minoritetit grek.

Pjesë nga Intervista:

Z.Beleri, Apeli vendosi që të lërë në fuqi vendimin e KQZ-së, për të mos ju lejuar të kandidoni për kryetar Bashkie të Himarës, a keni një qendrim lidhur me këtë vendim?

Alfred Beleri: Vendimi për mua ishte një arsyetim i gjykatës, interpretim i ligjit jo i saktë, dhe ishte një vendim kundra frymës së ligjit për dekriminalizimin. Veprat për të cilat jam dënuar në 2003-shin nuk kanë të bëjnë fare as me vepra penale, as me thirrje për urrejtje nacionale, as poshtërim i simboleve dhe i Republikës. Në vendimin e atëhershëm paraqitet se dy aktet që më penalizojnë ishin: një shkrim në një gazetë të kohës që nxirrte Shoqata e Himariotëve në Athinë dhe isha organizator i autobusave që erdhën nga Athina në Himarë për të votuar z.Vasil Bollano, kandidatin e atëhershëm të OMONIA-s në zgjedhjet e 2003-shit. Zgjedhje për të cilat OSBE-ja, raporti i saj tha se ishin zgjedhje dhune, zgjedhje që kishin parregullsi. Për këtë arsye në 3 qendra votimi zgjedhjet u përsëritën pas 15 ditësh.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ju jeni shprehur se refuzimi i regjistrimit të emrit tuaj si kandidat për Himarën është një sulm politik i qeverisë. Përse mendoni që është një sulm i qeverisë ndaj jush?

Alfred Beleri: Besoj se gjithë procesi zgjedhor që po bëhet, të gjitha vendimet nga të gjitha organet, mundohen që të mos ketë zgjedhje në Shqipëri, të ketë vetëm një kandidat, vetëm ai i maxhorancës. Në Himarë, në datën 30 qershor po u bënë zgjedhje do të ketë vetëm një kandidat, atë të PS-së. Të gjithë 4-vjeçarin e fundit të gjitha iniciativat e marra nga Bashkia me mbështetjen e qeverisë qendrore janë në bëm të komunitetit. Gjithashtu, po të kishte garë në Himarë fituese nuk do të ishte Partia Socialiste dhe kandidati i saj. Pra i vetmi subjekt që kishte interes që Beleris të mos ishte kandidat, ishte kandidati i aktual, kryetari dhe Partia Socialiste.

A mendoni se do t’i prishte kanidatura juaj planet e qeverisë për Bashkinë e Himarës?

Alfred Beleri: Me veprimet që janë në cak të ligjit dhe nga mediet e kontrolluara nga qeveria më bëhet një sulm i paprecedentë, me ngjarje dhe me vepra të pandodhura dhe të pabëra. Në kohën që të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dinë nëse Beleris është i implikuar apo jo. Unë jetoj në Shqipëri me familjen time, nga 2014-ta jam këtu. Kam pasur marrëdhënie në çdo kohë, me çdolloj institucioni që do të pyesë që të zbardhë ngjarjen. Pse pikërisht tani u rihap sërish ajo çështje.

Z.Beleri, nëse ju do të zgjidheshit kryetari i Bashkisë së Himarës, si do t’i pengonit veprimet e qeverisë për shtetëzimin e pronave të minoritetit grek?

Alfred Beleri: Qeveria shqiptare kishte marrë një sërë iniciativash ligjore, pa kundërshtimin e qeverisë vendore, për shtetëzimin e të gjithë pasurisë bregdetare të Bashkisë Himarë, VKM-ja 708, 172. Nga denoncimet tona dhe nga mënyra sesi ne denoncojmë këto vendime, qeveria shqiptare u tërhoq, anuloi 172-shin dhe bëri një ndryshim tek VKM-ja 708, ku u dha të drejtë pronarëve të bënin regjistrimin fillestar të pronave. Procesi i regjistrimit fillestar kalon nga Bashkia. Në qoftëse ka një kryetar bashkie të kontrolluar siç e ka sot, do të bëhen manipulime në favor të oligarkëve dhe në dëm të fshatarëve, ashtu siç ka ndodhur në këto vitet e fundit, kur Bashkia Himarë udhëhiqet nga z. Goro.

(B.B & A.S/ Dosja.al)

Shto Koment