Aktualitet

“Nuk tërhiqemi pa marrë rrogat, kemi fëmijët pa bukë”/ Naftëtarët e Ballshit në ditën e dytë të grevës së urisë

Naftëtarët e Ballshit janë në ditën e dytë të grevës së urisë. Ata kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës.
Featured image of article: “Nuk tërhiqemi pa marrë rrogat, kemi fëmijët pa bukë”/ Naftëtarët e Ballshit në ditën e dytë të grevës së urisë Naftëtarët e Ballshit në grevë urie

Ballsh-Naftëtarët  e Ballshit janë futur sot në ditën e dytë të grevës së urisë, pasi një ditë më parë u solidarizuan me punonjësit e nën-stacionit të Poçemit. Në grevë urie deri më tani janë futur 10 naftëtarë, ndërsa shumë të tjerë vazhdojnë protestën jashtë dyerve të rafinerisë së naftës në Ballsh. Ata shprehen të vendosur se nuk do të dalin nga greva e urisë derisa t’u plotësohen kërkesat e tyre që janë marrja e pagave dhe rinisja e punës.

‘Që të dalim nga greva duhet të na japin pagat dhe duhet që të rinisë puna. Kemi fëmijët pa bukë, nuk tërhiqemi”, është  hprehur një prej naftëtarëve.

Ndërsa një tjetër: “Jemi shumë të vendosur për grevën dhe presim, zgjidhje nga qeveria. Nuk do të dalim nga kjo dhomë nëse nuk ka zgjidhje nga qeveria. Unë i kam hequr të dy fëmijët nga shkolla në Tiranë”. 

Ndërkohë, punonjësit e stacionit elektrik dhe të pompimit në Poçem janë sot në ditën e gjashtë të grevës së urisë, pasi kanë 27 rroga pa marrë. Kjo grevë urie ka sjellë edhe reagime nga ana e opozitës dhe e Avokatit të Popullit. Dy përfaqësues të Avokatit të Popullit, kanë vizituar grevistët e Poçemit dhe ato të Ballshit, ku edhe kanë dëgjuar ankesat e grevistëve, të cilët kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura. Tek ata ka shkuar edhe ish-deputeti i PD-së Luan Baçi, ka deklaruar se pushtetarët i kanë lënë në mëshirë të fatit dhe se askush nuk pyet për ta. Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u bëri thirjre strukturave të LSI-së në Fier që t’u qëndrojnë pranë punëtorëve.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Rafineria e Ballshit e administruar nga kompania “Tosk Energji” është mbyllur që në muajin shtator, dhe punëtorët prej asaj kohe kanë dalë në protestë. Naftëtarët kanë dalë disa herë në protestë në Fier, ku kanë kërkuar që të marrin pagat e tyre, por nuk janë dëgjuar nga autoritetet. Janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rafinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje e cila ka kaluar më pas për eksport.

J.V/Dosja.al 

Shto Koment