Aktualitet

Dyshimet/ Gjeti targat false dhe mjetin? Pse e kërkon policia Julin e Pashakos

Burime nga Policia e Shtetit i thanë Dosja.al se Sulo, i njohur ndryshe si Juli i Pashakos dyshohet se ka siguruar grabitjen e makinës dhe të targave me të cilën u sulmua prokurori.
Featured image of article: Dyshimet/ Gjeti targat false dhe mjetin? Pse e kërkon policia Julin e Pashakos Juli i Pashakos, Arjan Ndoja dhe foto nga atentati
Përditësuar:

TIRANËDosja.al ka zbardhur detaje të reja në lidhje me përfshirjen e Julian Sulos në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Burime nga Policia e Shtetit i thanë Dosja.al se Sulo, i njohur ndryshe si Juli i Pashakos dyshohet se ka siguruar grabitjen e makinës dhe të targave me të cilën u sulmua prokurori.

Ai u shpall në kërkim nga Policia si një nga personat kyç në atentatin ndaj Ndojas dhe tashmë dyshimet janë se në mos si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, Sulo ka siguruar mjete që u kanë ardhur në ndihmë personave që sulmuan prokurorin Ndoja, Pëllumb Muharremin dhe Andi Malokun, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në Spitalin e Traumës, pas gjashtë ditësh agoni.

Nga ana tjetër pasditen e sotme Forcat Operacionale dhe RENEA kanë zbarkuar për kontrolle në Elbasan, Peqin dhe Rrogozhinë, duke kontrolluar të gjitha zonat që frekuentonte Sulo, në mënyrë që ta arrestonin.

Por teksa Policia e kërkonte me ‘qiri’, Juli i Pashakos u shfaq në një lidhje telefonike në Abc News ku tregoi se këto ditë kishte qenë në Turqi dhe s’e nuk ka lidhje me atentatin.

Sot erdha se kam qenë për vizitë në Turqi se jam keq nga mushkëritë. Unë s’jam as i kërkuar, nuk di pse më lidhin me ngjarjen, sa erdha në shtëpi nga Turqia në Kosovë nga Kosova në shtëpi,”– tha ai ndër të tjera.

I vetmi që ndodhet pas hekurave në lidhje me këtë ngjarje është Redjan Rraja, i njohur ndryshe si ‘Dara” i Krujës, që është gjithashtu edhe nipi i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Ai u arrestua nga Policia e Shtetit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi e më pas drejt Italisë dhe u zbulua nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën Benz ngjyrë gri, që u braktis i padjegur nga atentatorët në Ishëm.

Vetë Rraja ka deklaruar dy ditë më parë për hetuesit, kur ka thënë se nuk ka patur gisht në atentatin e 1 nëntorit, pasi në atë kohë kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë bashkë me të dashurën e tij, modelen e famshme Kejvina Kthella

Megjithatë Gjykata e ka lënë të riun në burg deri në përfundimin e hetimeve për atentatin.

Pista kryesore që po hetohet në lidhje me atentatin ndaj Ndoja është ajo e pronave në Gjirin e lalëzit, ku mendohet të ketë pasur interes Rrumi. Kjo indicje erdhi pasi në “ML”-në  e prokurorit Ndoja u gjetën dosjet e vjedhura nga prokuroria një vit më parë, mes tyre edhe ajo e pronave të ish-gjyqtarit të vrarë Skerdilajt Konomit.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment