Politike

“Nuk ndalojmë koalicionet”, PD i përgjigjet Ramës: Po gënjen, shiko faktet. Ndryshimet kushtetuese cënojnë marrëveshjen e 5 qershorit

VIDEO
Bardhi u shpreh se ndryshimet kushtetuese që po miratohen në Kuvend po shkelin marrëveshjen e 5 Qershorit
Përditësuar:

TIRANË- Partia Demokratike, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Gamzent Bardhi, i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama për deklaratat e bëra sot në lidhje me Reformën Zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, Bardhi u shpreh se ndryshimet kushtetuese që po miratohen në Kuvend po shkelin marrëveshjen e 5 Qershorit

Numri 2 i PD tha se Rama gënjeu para shqiptarëve dhe partnerët strategjikë sot, kur deklaroi se do ndryshimet kushtetuese nuk prekin koalicionet. Bardhi citoi dhe 2 nene të marrëveshjes dhe shton se  faktet e mëposhtme nxjerrin zbuluar Ramës.

“I tmerruar nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm, me prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit ai po kërcënon rëndë stabilitetin e vendit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Opozita e Bashkuar është e vendosur ti shërbejë vetëm interesit të qytetarëve”, tha ai dhe shtoi se PD mbështet deklaratat e ndërkombëtarëve.

DEKLARATA E PLOTË

Edi Rama gënjeu para shqiptarëve dhe partnerët strategjikë sot, kur deklaroi se do ndryshimet kushtetuese nuk prekin koalicionet. Faktet e mëposhtme nxjerrin zbuluar gënjeshtrat e Edi Ramës: Neni 68 i Kushtetutës aktualisht parashikon se: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit.” Pra, parashikimi aktual për koalicionet në kushtetutë, është shumë i qartë. Cfarë bën Edi Rama me ndryshimin kushtetutes, të miratuar nga Komisioni i Ligjeve? E zhduk termin koalicione dhe e riformulon nenin 68 të Kushtetutës, si më poshtë: “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit.”

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kjo ndërhyrje e njëanshme në Kushtetutë shkel Marëvëshjen e 5 Qershorit: Ja faktet: Drafti i dakordësuar dhe firmosur nga palët, që Edi Rama thotë se do ta miratojë pa ndryshime. parashikon se “partitë pjesëtare të koalicionit të garojnë me lista shumemërore të veçanta”. Pra, marrëveshja, jo vetëm lejon koalicionet parazgjedhore, por u jep mundësinë partive politike brenda një koalicioni të garojnë me lista të veçanta”. Ja, ku është drafti, i dakordësuar mes palëve sipas Marrëveshjes së 5 Qershorit, ku thuhet shprehimisht se “Për partitë pjesëtare të koalicionit që garojnë me lista shumemërore të veçanta numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy.”

Ky nuk është neni i vetëm, që nxjerr zbuluar fatin se Edi Rama po prish marrëveshjen me heqjen e koalicioneve. Në nenin 36 të draftit të dakordësuar thuhet shprehimisht se “Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.” Sic duket qartë, e zezë mbi të bardhë : PS ka rënë dakord dhe ka firmosur që jo vetëm të vazhdohet me koalicionet parazgjedhore, por gjithashtu që një parti politike, pjesë e një koalicioni parazgjedhor, të paraqesë listën e vet të veçantë. Këtë dakordësi të arritur me mbështetjen e partnerëve strategjikë SHBA dhe BE përmes,  Edi Rama po tenton ta zhbëjë me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës.

Këto janë faktet që tregojnë se Edi Rama gënjen. I tmerruar nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm, me prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit ai po kërcënon rëndë stabilitetin e vendit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Opozita e Bashkuar është e vendosur ti shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe Bundestagut, dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit.

Më herët Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konfencë për mediat dhe prej andej i shtriu sërish dorën e bashkëpunimit kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Rama tha se është gati të takohet me Bashën dhe të heqin dorë edhe nga marrëveshja e 5-qershorit, nëse nuk e do. Rama tha se koalicionet nuk do të hiqen, por do të ndryshohen. Përsa i përket integrimit dhe ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, Rama iu kujtoi të huajve sovranitetin e shtetit shqiptar.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment