Blog

Nuk e kanë me Gretën

Problemet e Botës së përbashkët nuk zgjidhen nëse Greta nuk do të flasë. Ato mbeten aty, edhe nëse dikush, fundja, edhe e ka me Gretën. Apo je ende duke menduar, se pse nuk je në asnjë nga kategoritë më sipër?
Featured image of article: Nuk e kanë me Gretën Erion Delvina

Nuk e kanë me Gretën, por me Malenën dhe Svanten. “U bo kjo vajza e Malenës dhe e Svantës të mbajë fjalim në OKB!”. Pastaj vazhdojnë: “unë e kam çunin me dhjeta edhe s`i ndihet zëri…”

Të tjerë nisen nga premisa, që një njeri që vuan nga një çrregullim duhet të paguajë doemos faturën e mospasjes së mendimeve. “Një i sëmurë duhet izoluar, e jo publicizuar”. Ju e dini se sa shqiptarë sot turravrap nguten ta ofendojnë tjetrin me etiketime gjuhësore, që burojnë nga ASD-ja. Nga një e tillë sindromë është e prekur edhe Greta.

Të tjerë e kanë me të qenit 16-vjeçare, e jo me Gretën. E vjetra gjen sheshpërballjen me të renë. “Ene 16 vjeç, ene bo si njish”.

Nuk e kanë me Gretën, por me faktin që Greta, iu drejtua kamerave të gjithë Botës dhe presidentëve më të fuqishëm të planetit, pa qenë anëtare e forumit rinor partiak ku, me siguri, në vend të ngrohjes globale, do t`i duhej të mendonte për ngrohjen e sedrës së kryetarit përpara të pranishmëve.

Nuk e kanë me Gretën, por mbase me të qenit vajzë. “Vajzë kjo dhe agreson verbalisht burrin më të fuqishëm të planetit, Presidentin e SHBA-ve? Epo jazëk ai prind, po s`ia dha ca dacka të mira…Të bilbiloste vajza ime ashtu, e shihje ti…”

Nuk e kanë me Gretën, por me kurbën rritëse të suksesit mediatik, që pati në një vit e gjysmë aktivizma e saj. Ka ojf-istë këtyre anëve që, vetëm për t`u prezantuar si “aktivistë”, janë vetëftuar edhe për emisione që trajtojnë metodat inovative të qerimit të patates.

Nuk e kanë me Gretën, por me mbështetjen që ka fituar aktivizma e saj. Greta nuk shkroi kurrë një projekt e të kërkonte financime për të. Shkuan mbështetësit te Greta, pasi idetë e saj origjinale gjetën pëlqimin. Ajo nuk themeloi kurrë një ojf “për të bërë ca plaçkë”. “Ç`na qenka kjo mbrojtëse e mjedisit, që nuk e përdor aktivizmën për të bërë ca gjoba?”. Ajo ndërmori një fushatë, që fitoi mbështetje.

Nuk e kanë me Gretën. E kanë me faktin që ajo lexonte në letër. Duhet ta bënte në prompter? Apo duhet ta mësonte përmendësh, diçka që më parë, gjithsesi, ka qenë në letër? Çfarë do të ndryshonte?

Nuk e kanë me Gretën. E kanë me faktin që fjalimi i saj kishte pathos. Bukur. Mbaj një fjalim më të mirë në mbledhjen e radhës. Bëj një gjë me jetën tënde!

Nuk e kanë me Gretën. E kanë me faktin që, edhe pse bënë buzë, vithe dhe gjoks, “del një kokëpakrehur e bohet e famshme”.

Nuk e kanë me Gretën, por me faktin që ajo nuk ka të dashur.

Nuk e kanë me Gretën. E kanë me George Soros-in. Do të fitoja Nobel-in në mjekësi nëse do t`ia gjeja helmin shërues kësaj manie. “Një foto e Gretës dhe e Soros-it po çan rrjetin…”

Ka, sigurisht, njerëz që Gretën e shohin si përforcuese të mesazheve të një agjende të majtë, një lëvizjeje të gjelbër. As ata, megjithëse më duken më të respektuarit në listimin e mësipërm, nuk e kanë me Gretën, por në të drejtën e tyre nuk u besojnë lëvizjeve të gjelbra, idesë së ngrohjes globale e me radhë.

Askush pra, nuk e ka me Gretën. E kanë me diçka tjetër, të cilën, Greta na ndihmoi ta kthejmë në vëmendje.

Vetë aktivizma e saj është mesazh i pazëshëm: individi shmang çrregullimin vetjak, triumfon e i del përsipër, për t’u investuar në një interes të përgjithshëm- çrregullimet shoqërore të neoliberalizmit, duke menduar e vepruar globalisht dhe gjelbër. Greta ka të drejtë jo sepse vuan nga një çrregullim, por sepse, përtej problemit vetjak, ajo investohet në çrregullimet e një Bote, problemet dhe zgjidhjet e të cilave na përkasin të gjithëve.

Problemet e Botës së përbashkët nuk zgjidhen nëse Greta nuk do të flasë. Ato mbeten aty, edhe nëse dikush, fundja, edhe e ka me Gretën. Apo je ende duke menduar, se pse nuk je në asnjë nga kategoritë më sipër?

Etiketa:

Shto Koment