Politike

“Notojmë kundër rrymës por s’jemi kampionë”, Bushati me mesazhe të forta: Shqipëria ka humbur shumë shanse (VD)

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit, Bushati u shpreh se leksioni që ka nxjerrë vetë ai nga takimet në BE është që duhet një konsensus kombëtar për të përparuar.
Përditësuar:

TIRANË– Ish-minsitri i jashtëm Ditmir Bushati ka folur në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit, Bushati u shpreh se leksioni që ka nxjerrë vetë ai nga takimet në BE është që duhet një konsensus kombëtar për të përparuar.

Bushati theksoi më tej se vendi në këtë rrugë nuk ka humbur vetëm një shans. Sipas ish-ministrit, ai që e thotë këtë gjë, po fsheh të vërtetën.

“Kush thotë që ka humbur një shans në ‘95-‘96 siç kam thënë unë, thjesht nuk ka thënë të vërtetën e plotë. Të njëjtin shans humbëm edhe në 2001, qëndruam më pas 3 vjet në tryezën e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si asnjë vend tjetër. Qëndruam 10 vjet në pritje nga aplikimi për anëtarësim në BE dhe ende s’kemi nisur dot këtë process,”– tha Bushati ndër të tjera.

Ish-ministri Bushati theksoi më tej se Shqipëria ka notuar kundër rrymës, dhe në këtë mënyrë nuk mund të ketë rezultatet që priste.

“Ne kemi notuar kundër rrymës. Të notosh kundër rrymës nuk ke suksesin që pret. E për ta kuptuar këtë nuk ka pse të jesh kampion noti. Një pakt kombëtar për Europën, që secili bën detyrat që i takon,”– tha ai më tej.

Pjesë nga fjala e Ditmir Bushatit

I gjithë debati këto ditë rreth Rezolutës së Bundestagut gjerman është disi artificial për disa arsye. S’duhet të na vijë surprizë, pasi Gjermania është një partner i ndershëm dhe kritik i drejtë. Ka mbajtur të njëjtin qëndrim në raport me Greqinë gjatë krizës së eurozonës. Është Gjermania vendi që për herë të parë e formalizoi këtë procedurë kushtëzuese me Serbinë. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Është absurde nga opozita që përpiqet të legjitimojë kauzën e saj, përmes qëndrimeve që vijnë nga Bundestagu, ndërkohë që vetë i bishtnon përgjegjësive duke mos qenë në Parlament.

Do të ndaja një eksperiencë personale, duke qenë se këtë proces kam pasur fatin ta shoh në kapacitete të ndryshme, që nga bankat e shkollës e më pas si nëpunës civil, si konsulent, si aktivist i shoqërisë civile, si ministër i Jashtëm. Leksioni nr. 1 që kam nxjerr nga takime me nivelet e ndryshme në vendet e BE-së është se në mënyrë që të përparojmë na duhet konsensus kombëtar. Ne kemi notuar kundër rrymës. Të notosh kundër rrymës nuk ke suksesin që pret. E për ta kuptuar këtë nuk ka pse të jesh kampion noti. Një pakt kombëtar për Europën, që secili bën detyrat që i takon.

Natyrisht, barrën kryesore e ka qeveria, por përgjegjësia është e përbashkët. Ndaj askush nuk duhet të fërkojë barkun kur disa angazhime të përbashkëta nuk zbatohen.

Nëse zgjedh të braktisësh Parlamentin, nuk mund të gafurresh dhe të kërkosh që reforma zgjedhore duhet të ishte bërë.

Çështja themelore sot është jo çfarë mendon Gjermania, Franca, Hollanda apo Greqia për ne por ku jemi ne? Si e projektojmë Shqipërinë e gjeneratës tjetër? Kush thotë që ka humbur një shans në ‘95-‘96 siç kam thënë unë, thjesht nuk ka thënë të vërtetën e plotë. Të njëjtin shans humbëm edhe në 2001, qëndruam më pas 3 vjet në tryezën e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si asnjë vend tjetër. Qëndruam 10 vjet në pritje nga aplikimi për anëtarësim në BE dhe ende s’kemi nisur dot këtë proces.

Nuk na janë ndarë për 30 vjet çështjet e reformës zgjedhore dhe drejtësisë. Ky vend, ky rajon është më rëndësi të zhvillohet për të patur sukses, për të ndryshuar faqen për gjeneratën e re. Një student më pyet pse s’kam të njëjta të drejta si një student në Rumani, Bullgari e Kroaci. Nuk po flas për Poloninë apo vendet Baltike se janë shoqëri me traditë të pasur demokratike.

Por atëhere si ta adresojmë çështjen e mundësisë së barabartë, duke punuar dhe përcaktuar bashkë cilat janë themelet e shtëpisë, pastaj me orenditë secili ka shijen e vetë? Sot duhet ta adresojmë barazinë e shanseve mes qytetarëve, duke shtruar themelet e përbashkët të kësaj shtëpie. Ndaj me këtë rezolutë shpresoj të kemi hedhur një hap për detyrat që duhet të bëjnë si Kuvend, pasi roli ynë kontrollues dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe biznesin do të jetë i pazëvendësueshëm.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment