Politike

“Një minutë heshtje për Bashkim Finon “/ Rama nga Lushnja: Jam i pakënaqur me punën time  

VIDEO
Gjatë fjalës së tij, Rama kujtoi ish-kryeministrin dhe ish-deputetin e PS-së, Bashkim Finon. Ai u ka kërkuar qytetarëve të Lushnjes që të mbajnë një minutë heshtje për Finon. 
Featured image of article: “Një minutë heshtje për Bashkim Finon “/ Rama nga Lushnja: Jam i pakënaqur me punën time   Edi Rama

LUSHNJE- Kryeministri Edi Rama, ka vizituar ditën e sotme Lushnjen, ku ka bërë fushatën e tij elektorale në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij, Rama kujtoi ish-kryeministrin dhe ish-deputetin e PS-së, Bashkim Finon. Ai u ka kërkuar qytetarëve të Lushnjes që të mbajnë një minutë heshtje për Finon.

“Faleminderit nga zemra! Nuk rri dot pa ndarë me ju, që për mua është moment i vështirë, sepse më duket sikur vetëm këtu, unë u pajtova me faktin që Bashkimi nuk është. Derisa pa ardhur këtu e kisha më të lehtë dhe nuk më dukej edhe aq reale ikja e tij. Ndërsa në këtë shesh ku kemi qenë shpesh, ai nuk është më dhe tani mua më duhet të pajtohem me këtë fakt. Erjoni bëri shumë mirë që na ftoi të gjithëve dhe që duhet ta duartrokasim Bashkim Finon. Por unë do t’iu lutesha që të mbajmë një minutë heshtje për Bashkim Finon. I paharruar qoftë kujtimi!

Bashkimi hyn tek ata njerëz që edhe kur largohen, mbeten brenda nesh, falë kujtimit që lënë, falë gjurmës së pashlyeshme që lë prania e tyre në jetën tonë dhe jam i bindur që njësoj si unë, në këtë moment, mendojnë të gjithë ata mes jush që e kanë njohur Bashkimin, jo thjesht nga televizori, as nga tribunat, por nga afër. Të gjithë atyre që e kanë njohur Bashkim Finon u them që ditën e diel kanë një detyrim më shumë, kanë një borxh më shumë, jo thjesht për të votuar për veten e tyre, jo thjesht për të votuar për gjithçka që ne përfaqësojmë dhe gjithçka që lidhet drejtpërdrejtë për mirë me një detyrë nga këto që ne bëjmë e themi, por kanë një borxh më shumë për të votuar edhe për Bashkimin.

Bashkimi erdhi në Lushnje kur ishte një figurë e  mirënjohur kudo dhe Lushnja ishte një stacion tjetër i jetës së tij brenda familjes politike. Iu them sinqerisht që ai u lidh aq shumë me Lushnjen, saqë nuk linte rast kur ne takoheshim pa më folur për Lushnjen, për çfarë duhej bërë në Lushnje. Jo vetëm çfarë duhej bërë në kuptimin e punëve të mëdha, por çfarë duhej bërë për një familje, për njerëz që kishin halle dhe të cilëve, Bashkim Fino kurrë nuk ua mbylli derën dhe i siguroi të gjithë se dikujt që nuk ia ka zgjidhur një hall, të jetë i bindur se ai ka bërë të gjitha ato që ka mundur”, tha Rama.

Ndër të tjera, Rama ka thënë se ata kanë ata kanë shumë arsye që të ndihen krenarë për punën që kanë bërë, ndërsa për vetën Rama tha se është i pakënaqur me punën e tij, pasi dëshironte që të bëntë edhe më shumë.

“Sot mendoj që ne kemi arsye të ndihemi krenarë për çfarë kemi bërë në gjithë këto vite. E kam mirë parasysh nga ku jemi nisur, por unë nuk dua të flas për çfarë kemi bërë. Çfarë kemi bërë ju i dini, i keni para syve. Gjithkush që do t’i vlerësojë, i vlerëson jo thjesht në vetvete, por duke pasur parasysh edhe nga ku jemi nisur.

Unë do të doja të thoja çfarë kemi ende për të bërë dhe mbi të gjitha do të doja të ndaja me ju një të vërtetë shumë të thjeshtë. Këtu në Lushnje mund ta ndaj edhe më thjeshtë se në vendet e tjera, që unë përgjithësisht e konsideroi veten një njeri të pakënaqur me punën time, me punët që ne bëjmë. Dëshiroj të bëjmë shumë më tepër dhe mendoj që në çdo gjë që bëjmë, ka gjithmonë për të menduar se mund të bëjmë më mirë.  Në kampionatin e të pakënaqurve, unë maksimumi mund të luftoj për endin  dytë, se vendin e parë e zë Erjon Braçe,” u shpreh Rama.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Rama gjithashtu ka folur edhe për Erion Braçen, ku ka thënë se me atë nuk kraasohet njeri për mënyrën se si punon. Ai tha se Braçe është shumë i pakënaqur dhe se do që çdo punë të bëhet sa më mirë.

“Erjoni është njeriu më i pakënaqur që unë njoh. Të jenë të bindur të gjithë ata që i thonë vetes të pakënaqur në këtë moment se nuk ka shans të jenë më të pakënaqur sesa Erjoni.

Ky është momenti kur ndahen zgjedhjet që njerëzit bëjnë. Ka dy mënyra për t’u sjellë me pakënaqësinë. Njëra është mënyra për t’iu dorëzuar pakënaqësisë, për t’i lënë rrugë të lirë mërzisë e pastaj, duke i lënë rrugë të lirë mërzisë, për t’u ndierë i pafuqishëm, i lodhur, i pamotivuar, për të patur nevojë të ulesh, të shtrihesh, të rrish e të mos dalësh nga shtëpia, për të pasur nevojë të flasësh e flasësh vetëm për mërzinë. Kjo është njëra rrugë.

Rruga tjetër është rruga e Erjonit dhe fatmirësisht është dhe rruga e të gjithë atyre që janë edhe për hir të së vërtetës, njerëzit më të afërt të Erjonit, që nuk janë në Tiranë, nuk janë në Parlament, pavarësisht se Erjoni është një shok shumë i mirë dhe aty ku duhet, kur është i nevojshëm për njerëzit e tij më të afërt për të cilët ai flet me pasionin më të madh e për të cilët, ai zotohet deri në pikën që ndonjëherë më shikon mua nga poshtë, shtrëngon dhëmbët dhe matet që a mund të më arrijë grushti apo jo. Janë ata atje që gdhihen më herët nga të gjithë në fushat e Divjakës, që dalin pa u gdhirë, që kujdesen për tokën, që kur dalin nga shtëpia i puthin fëmijët në gjumë dhe kur kthehen shpesh herë i gjejnë përsëri në gjumë. Ata janë njerëz të pakënaqur. Po të ishin të kënaqur, nuk do të zgjoheshin dot aq herët, po të ishin të kënaqur ktheheshin më herët në shtëpi, do t’ua linin të tjerëve të bënin punën e tyre. Por është qenia i pakënaqur me veten gjatë gjithë kohës që bën të shkosh më tutje. Është qenia i pakënaqur me pikën ku je ngjitur që të bën të vazhdosh të ngjitesh drejt majës,” tha Rama.

(I.A/dosja.al)

Shto Koment