Aktualitet

Një ditë nga skadimi i afatit për SPAK, vjen në Tiranë prokurorja që hetoi ish-kryeministrin kroat

Prokurorja Tamar Laptosh ka mbërritur në Shqipëri, ku edhe do të qëndrojë për dy vite në Shqipëri dhe do të ndajë me prokurorët shqiptarë eksperiencën e saj në goditjen e korrupsionit në nivelet më të larta të politikës. Nesër është afati i fundit i aplikimeve për SPAK.
Featured image of article: Një ditë nga skadimi i afatit për SPAK, vjen në Tiranë prokurorja që hetoi ish-kryeministrin kroat Prokuroja Tamara Laposh në Shqipëri

TIRANË- Kur edhe një ditë ka mbetur nga afati i fundit për të aplikuar për SPAK, në Tiranë ka mbërritur prokurorja Tamar Laptosh, e cila hetoi ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader dhe zëvëndësin e tij.

Laptosh do të qëndrojë për dy vite në Shqipëri dhe do të ndajë me prokurorët shqiptarë eksperiencën e saj në goditjen e korrupsionit në nivelet më të larta të politikës.

Ditën e djeshme ajo mori pjesë në takimin e organizuar nga misioni EURALIUS në Tiranë, për shkëmbimin e eksperiencave mes prokurorëve dhe gjyqtarëve në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kur unë po hetoja ish-kryeministrin, besueshmëria e publikut nuk ishte shumë e lartë sepse ai ishte i fuqishëm dhe arrogant. Ne vinim nga një eksperiencë në të cilën nuk ishte hetuar ekzekutivi, por më pas u mblodhën prova dhe gjatë procesit besueshmëria e publikut u rrit”, mësohet se ka thënë Laptosh.

Më tej, ajo ka shtuar se në procesin e Vettingut është shumë e rëndësishme besueshmëria e prokurorëve që do të përzgjidhen për të qënë pjesë e SPAK dhe bashkëpunimi i tyre me Gjykatën Speciale. 

Pas takimit në një deklaratë për mediat, ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ofroi edhe njëherë mbështetjen e BE-së për të gjithë prokurorët që do të aplikojnë dhe do të jenë pjesë e SPAK.

“Para pak kohe u kënaqa dhe u gëzova që u takova me një numër të madh prokurorësh dhe gjyqtarësh që kishin interes për të aplikuar në SPAK. Deri tani kemi pasur një numër aplikimesh por do të ishte më mirë të kishim dhe të tjera sepse sa më shumë të kemi aq më mirë është për të zgjedhur. Ndaj ne dëshironim që të bisedonim me të gjithë ata që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e kësaj strukture në mënyrë që t’i bënim thirrje dhe një herë atyre por që të ecet përpara ne këto përpjekje. Kjo është e rëndësishme pasi të gjithë këta individë do të japin kontributin e tyre jo vetëm për shoqërinë shqiptare por dhe për vënien e drejtësisë në të ardhmen. Unë kam thënë shpesh që kjo është një çështje e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe integrimin e BE”, tha ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca.

Deri më tani për SPAK kanë aplikuar 12 prokurorë, ndërkohë që ka ende 3 vende bosh. Prokurorët që kanë aplikuar janë: Anton Martini, Klodian Braho, Besnik Muçi, Eneid Nakucin, Edvin Kondilin, Dolorez Musabelliu, Eugen Beci, Dritan Prençi, Shkëlzen Cena, Vladimir Mara, Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Çfarë është SPAK ose siç njihet ndryshe Prokuroria e Posaçme?

SPAK është njësia që do të ndjekë çështjet penale në emër të shtetit shqiptar kundër korrupsionit të niveleve të larta drejtuese dhe krimit të organizuar. SPAK ka të drejtë të përfaqësojë shtetin në të trija shkallët e gjyqësorit siç janë Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë.

SPAK është e pavarur në funksionim dhe ushtron detyrën përmes prokurorëve të Posaçëm që do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Prokurorët e SPAK do të kenë një mandat 9-vjeçar dhe ky mandat mund të ndërpritet vetëm nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë

Shto Koment