Aktualitet

Vettingu në Polici/ Ish-shefi i SHÇBA Oltion Shehu në “telashe”, nuk justifikon 1.4 milion lekë pasuri: Punoja në një bingo

Në lidhje me figurën, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konstatoi se Shehu nuk ka probleme dhe nuk është shoqëruar me persona me lidhje kriminale. Por ky nuk ishte edhe rasti i pasurisë.
Featured image of article: Vettingu në Polici/ Ish-shefi i SHÇBA Oltion Shehu në “telashe”, nuk justifikon 1.4 milion lekë pasuri: Punoja në një bingo Foto ilustruese
Përditësuar:

TIRANË– Ditën e sotme u zhvillua seanca e parë dëgjimore për Vettingun në Polici, ku në “ditë” kaloi ish-shefi i Sektorit të Ankesave në Sherbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, e cila do të hetojë efektivët e policisë përbëhet nga Marjeta Gjelaj, Ela Kerka dhe Ana Kapaj. 

Në lidhje me figurën, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konstatoi se Shehu nuk ka probleme dhe nuk është shoqëruar me persona me lidhje kriminale. Por ky nuk ishte edhe rasti i pasurisë.

Në pasurinë e Shehut u konstatua një problem, pasi ai nuk justifikonte dot shpenzimet në raport me të ardhurat, të cilat kapnin shumën e rreth 1.4 milion lekëve.

Në fjalën e tij para Komisionin Vlerësues, Oltion Shehu tha se nga viti 1996-2003 ka punuar pa siguracione, duke punuar në një bingo si shef salle, banakier dhe kamarier. Pikërisht gjatë kësaj periudhë, Shehu shprehet se ka pasur të ardhura të larta nga bakshishet, të cilat nuk i ka të deklaruara dhe rrjedhimisht të pa justifikuara.

Gjatë këtyre viteve, ish-shefi i SHÇBA-së pretendon se nuk ishte në dijeni që ka qenë edhe pa siguracione. Si prona të tij, Shehu ka deklaruar një shtëpi dykatëshe në njësine numër 8, një automjet dhe kursime bankare.

Vendimi për të do të jepet më datën 8 nëntor, në orën 11, në të njëjtën ditë që do të zhvillohet seanca dëgjimore për zëvëndësin, Adriatik Agon.

Efektivët e policisë kanë deklaruar në formular të ardhurat vit pas viti dhe çdo pasuri që disponojnë. Vettingu në Policinë e Shtetit, njësoj si ai në drejtësi, shihet si një premisë e cila do identifikojë punonjësit me integritet profesional dhe të pa implikuar me krimin e organizuar. Të gjithë efektivët të cilët nuk justifikojnë pasurinë do të përjashtohen nga radhët e Policisë së Shtetit dhe më pas çështja do t’ju kalojë institucioneve ligjzbatuese.    

(k.m/dosja.al)

Shto Koment