Politike

Nis vaksinimi kundër gripit i edukatoreve në kopshtet e Tiranës, Veliaj: Lehtësojmë sistemin shëndetësor nga mbivendosja e disa sfidave

Veliaj dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin sot në Kopshtin 36, ku u krye vaksinimi i stafit.
Featured image of article: Nis vaksinimi kundër gripit i edukatoreve në kopshtet e Tiranës, Veliaj: Lehtësojmë sistemin shëndetësor nga mbivendosja e disa sfidave Erjon Veliaj

TIRANË– Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin sot në Kopshtin 36, ku u krye vaksinimi i stafit. Veliaj theksoi se vaksinimi do të përfundojë brenda Vitit të Ri, ndërsa ftoi edhe bashkitë e tjera të ndjekin këtë shembull.

Jam i lumtur që filluam sot këtë garë, për të vaksinuar të gjithë këtë komunitet. Të na gjejë Viti i Ri të kompletuar me këtë vaksinë. Do të thotë, të shfrytëzojmë maksimalisht, sidomos ditët e ngrohta me diell, sa nuk ka ardhur dimri i vërtetë. Ftesa për të gjitha bashkitë e tjera është të ndjekin shembullin e Tiranës dhe të çiftohen me Qendrën Shëndetësore më të afërt, me shërbimin ambulant, që vaksinimi të bëhet te vendi i punës, në çerdhe, kopshte e shkolla; është mënyra më efikase për të evituar radhët”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi domosdoshmërinë e lehtësimit të sistemit shëndetësor në këtë periudhë të vështirë në betejën ndaj COVID-19. “Është shumë e rëndësishme që ta lehtësojmë sistemin nga mbivendosja e disa sfidave dhe le të fokusohemi te Covid-19, sepse vaksina e gripit ekziston, mund të shpërndahet në mënyrë efektive, brenda pak ditëve, në rreth gjysmë milionë banorë, sidomos te grupet vulnerabël, të moshuarit, ata që kanë sëmundje kronike dhe ata që shërbejnë në front, kur vjen puna te trajtimi i fëmijëve, qofshin mësuesit, edukatoret apo edhe ndihmëset, sanitaret që kemi nëpër çerdhe dhe kopshte”, shtoi ai.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Manastirliu tha se: “U angazhuam që në krye të herës për të siguruar vaksinën ndaj gripit për grupet e riskuara dhe arritëm që ta 4-fishonim sasinë e dozave të vaksinës për këtë vit, për të siguruar një barrierë më të mirë mbrojtëse për të gjithë grupet e riskuara dhe sot nisim programin e vaksinimit në komunitet, pranë vendit të punës, për të gjithë edukatore dhe arsimtarët në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit kundër gripit në këtë periudhë të mbivendosjes edhe të virozave stinore, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh:

“Edhe 230 mijë doza të vaksinës kundër gripit falas që kanë mbërritur dy ditë më parë janë shpërndarë në qendra shëndetësore, pjesë e sasisë prej 380 mijë vaksinash që qeveria i financoi falas, për të siguruar vaksinimin e sigurt të të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe grupet e tjera të riskut, mes të cilave edhe një kategori e ndjeshme për ne siç janë edukatoret dhe arsimtarët. Eshtë një moment i rëndësishëm për të kujtuar edhe njëherë të gjithë qytetarët që janë në grupet e riskut, për t’u lidhur me mjekun e familjes dhe për të bërë vaksinën kundër gripit falas në qendrën tuaj shëndetësore”, tha Manastirliu.

Duke e konsideruar vaksinimin kundër gripit edhe një ushtrim të mirë parapërgatitor për vaksinën antiCOVID, Manastirliu tha se Shqipëria është në linjën e parë për ta patur vaksinën kundër COVID19 sapo ajo të dalë. “Jemi duke punuar për të siguruar të gjithë investimet e nevojshme dhe trajnimin e stafit për vaksinën antiCOVID. Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet instrumentit COVAX dhe ka parapaguar 3.9 milion dollarë për të siguruar vaksinën antiCOVID për grupet e riskuara, për 20% të popullatës. Jemi duke punuar edhe me Komisionin Europian, por edhe me disa shtete të veçanta të Bashkimit Europian, për të mundësuar që në momentin që vaksina të jetë e disponueshme, Shqipëria të jetë në një linjë me vendet e tjera, për ta patur vaksinën e sigurt, efektive dhe falas për të gjithë qytetarët”, tha Manastirliu.

(A.B)/Dosja.al

Shto Koment