Politike

Prokuroria merr gjurmët e gishtave të Valdrin Pjetrit, Rama: S’është kriminel… por fshehu dënimin

  • Rama: Të ndryshojmë ligjin, partitë s’verifikojnë dot kandidatët
  • Prokuroria sekuestron gjurmët e gishtave të Valdrin Pjetrit, për t'i ballafaquar me ato të Italisë. Interpol Tirana do të krahasojë gjurmët e ardhura nga Interpol Roma. Reagon Rama: Pjetri s'është kriminel. Shefi i qeverisë, thotë se shteti duhet të verifikojë kandidatët pasi partitë nuk e bëjnë dot këtë gjë.
    Featured image of article: Prokuroria merr gjurmët e gishtave të Valdrin Pjetrit, Rama: S’është kriminel… por fshehu dënimin Edi Rama, Valdrin Pjetri dhe PP

    TIRANË- Pak ditë pasi Partia Demokratike publikoi dokumentet e dënimit të Valdrin Pjetrit për trafik droge në Itali, ashtu siç edhe u paralajmërua, Prokuroria e Përgjithshme, ka kërkuar të marrë gjurmët e gishtave të Pjetrit.

    Prokuroria do të bëjë krahasimin e gjurmëve të gishtave të Pjetrit, me ato të sekuestruara nga drejtësia italiane. Shenjat e gishtave do të dërgohen tek zyrat e Interpol Tiranës, për t’u ballafaquar me ato të Interpol Romës. Burime nga PP, i thanë Dosja.al se Valdrin Pjetrit i është kërkuar që të japë gjurmët e gishtave.

    Grupi hetimor i është drejtuar me kërkesë interpolit dhe Europolit në lidhje me precedentët penalë, ndalimet, arrestimet dhe dëbimin e Valdrin Pjetrit në shtetin italian në periudhën 2001-2002.

    Dokumenti nga Prokuroria
    Dokumenti nga Prokuroria

    Ndërkohë që sërish kryeministri Edi Rama, ka komentuar çështjen ‘Pjetri’. Përmes disa reagimeve në Twitter, kryesocialisti është shprehur se Pjetri nuk është kriminel, por se fshehja e dënimit, është tradhti ndaj socialistëve dhe votuesve të tij. Rama thotë se PS e ka të pamundur bashkë me partitë e tjera që të bëjë verifikime për kandidatët, dhe se këtë gjë duhet që t’a bëjnë organet ligjzbatuese.

    Tri ditë më parë, Partia Demokratike publikoi dokumentet ku sipas tyre vërtetohet se kryebashkiaku i Shkodrës ka qenë dënuar me 18 muaj burg në Itali për drogë. Pjetri nga ana tjetër, dha dje dorëheqjen dhe tha se do të fokusohet në zbardhjen e të vërtetës, duke mohuar dënimin. Rama pezulloi të gjitha funksionet e tij në Parti, ndërkohë që ende ka ngërç lidhur me datën e re të zgjedhjeve në Shkodër.

    (F.g/dosja.al)

    • 10:47

      Rama: Pjetri s'është kriminel, fshehja e ngjarjes është e patolerueshme!

      Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish rastin e Valdrin Pjetrit dhe akuzat e PD për dënimin në Itali. Rama thotë se Pjetri nuk është kriminel, por shton se fshehja e dënimit, është e pafalshme dhe e përjashton atë nga gara.

      “Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme! Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë.”-shkruan Rama në rrjetet sociale.

    Shto Koment