Aktualitet

Sonila Bejtja, anëtarja e 7-të e Gjykatës Kushtetuese! KED dha “ok”, Meta e dekretoi pa humbur kohë. Kim, Soreca dhe Calavera: S’ka pushim deri në plotësimin e vakancave

Sonila Bejtja është gjyqtarja e shtatë e Gjykatës Kushtetuese. Ajo është dekretuar nga presidenti Ilir Meta pak pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi emrin e saj tek zyra e kreut të shtetit. Bejtja zë vendin e Besnik Muçit, i cili u shkarkua nga Vettingu pas emërimit nga Meta. Tanimë numri i vendeve të ngelura bosh në 'Kushtetuese' është 2.
Featured image of article: Sonila Bejtja, anëtarja e 7-të e Gjykatës Kushtetuese! KED dha “ok”, Meta e dekretoi pa humbur kohë. Kim, Soreca dhe Calavera: S’ka pushim deri në plotësimin e vakancave Sonila Bejtja dhe Ilir Meta

TIRANË–Presidenti Ilir Meta ka emëruar gjyqtaren Sonila Bejtja, anëtaren e radhës në Gjykatën Kushtetuese. Dekretimi i Metës është bërë pasditen e sotme, vetëm pak orë pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi listën përfundimtare të kandidatëve pranë ambienteve të Presidencës. Pas emërimit të gjyqtares kanë reaguar Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dhe Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, të cilët kanë përgëzuar Metën për vendimin. Soreca në një postim që ka bërë në rrjetet sociale shkruan se ky vendim përforcon funksionalitetin e Gjykatës, ndërsa Kim thotë se puna duhet të vazhdojë deri sa të vendosen 9 anëtarë.

Po ashtu ka reaguar edhe Shefja e Operacionit të Monitorimit në Shqipëri (ONM) Genoveva Ruiz Calavera, e cila ka thënë se ky vendim do të përforcojë funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese.

Në mbledhjen e ditës së sotme, KED ka intervistuar sot me gjyqtaren Bejtja, duke e vlerësuar me 76.83 pikë dhe vendosi në përfundimin e mbledhjes që ajo të jetë anëtarja e shtatë e Gjykatës më të lartë në vend. Menjëherë pas mbledhjes, emri i Bejtjes iu dërgua presidentit Meta, i cili nuk humbi kohë dhe e dekretoi. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sonila Bejtja ishte e vetmja kandidate në shqyrtimin e KED për vendin bosh të Besnik Muçit në Gjykatën Kushtetuese. Dy kandidatët e fazës së parë, Altin Binaj dhe Zhaklina Peto ishin në konkurrencë me Bejtjen, ku i pari u emërua në GJK, pasi ishte kandidat edhe për vendin e pestë vakant, ndërsa Zhaklina Peto është skualifikuar 2 herë nga KED dhe ka ankimuar vendimin. 

Gjykata Kushtetuese u bë funksionale disa ditë më parë me betimin e anëtarit të gjashtë të saj, Përparim Kalo. Institucioni përbëhet nga 9 anëtarë, 3 që zgjidhen nga kreu i shtetit, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë e cila ende nuk është funksionale. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi. 

(a.b;a.k;f.g/Dosja.al)

  • 23:03

    Emërimi i anëtarit të 7-t të Kushtetueses/ Shefja e ONM: Lajm i mirë! hap i madh për të përforcuar funksionalitetin e Gjykatës

    Genoveva Ruiz Calavera

    Genoveva Ruiz CalaveraShefja e Operacionit të Monitorimit në Shqipëri (ONM) Genoveva Ruiz Calavera ka reaguar pas emërimin të anëtares së 7-të të Gjykatës Kushtetuese. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Calavera ka thënë se vendimi është një hap i madh për për të përforcuar funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë para vitit 2020. “Lajm i mirë. Një tjetër hap i madh për të përforcuar funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë para vitit 2020”, shkruan Calavera. Kujtojmë se sot Presidenti Ilir Meta ka emëruar Sonila Bejtjen, duke dekretuar kështu gjyqtaren e tretë nga vakancat e tij dhe të shtatën për ‘Kushtetuesen’. Lidhur me këtë, ka reaguar, ambasadorja e SHBA Yuri Kim duke theksuar se puna nuk duhet të ndalet deri në anëtarin e 9-të.

  • 20:35

    Emërimi i Sonila Bejtes në GJK, Yuri Kim: Falenderoj presidentin Meta, puna duhet të vazhdojë, deri sa të plotësohen 9 vendet

    Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri ka reaguar pas emërimit të Sonila Bejtes në Gjykatën Kushtetuese, nga Presidenti Ilir Meta. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Kim ka falenderuar metën për dekretimin, sakaq shton se Kushtetuesja u bë funksionale para Vitit të Ri. Po ashtu ajo thotë se kandidatët e kualifikuar duhet  t’i përgjigjen thirrjes për detyrë në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë, siç i përshtatet Aleatit të NATO-s dhe aspirantit të BE-së. “Faleminderit presidenti Meta për dekretimin e kësaj mbrëmje gjyqtari i 7-të i Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar së bashku me urgjencë – në përgjigje të drejtpërdrejtë të opinionit të Komisionit të Venecias, BE-së dhe kërkesës së njerëzve – Presidenca, Parlamenti dhe KED kanë bërë që Kushtetuesja të jetë funksionale para datës 31 dhjetor. Presidenti, KED dhe Parlamenti meritojnë merita për arritjen e kuorumit + 1, por nuk mund të ketë pushim derisa të plotësohen të 9 vendet. Puna duhet të vazhdojë në vitin e ri. Ne i nxisim kandidatët e kualifikuar t’i përgjigjen thirrjes për detyrë në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë, siç i përshtatet Aleatit të NATO-s dhe aspirantit të BE-së.”- ka thënë ajo. 

  • 20:18

    Emërimi i Sonila Bejtes në GJK, Soreca: Përgëzoj Metën dhe KED

    Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, ka reaguar pasi Presidenti Ilir Meta ka emëruar gjyqtaren Sonila Bejtja, që të jetë anëtare e shtatë në Gjykatën Kushtetuese. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Soreca ka përgëzuar Metën dhe KED, duke thënë se ky vendim përforcon funksionalitetin e Kushtetutës. “Sot President Ilir Meta   ka dekretuar Znj. Sonila Bejtja si Anëtare e 7-të e Gjykatës Kushtetuese. Ne e përgëzojmë Presidentin dhe KED për plotësimin e këtij vendi të lirë të punës. Ky vendim i rëndësishëm përforcon më tej funksionalitetin e Gjykatës.”- shkruan Soreca.

  • 19:56

    DEKRETI! Presidenti Meta emëron Sonila Bejten në Gjykatën Kushtetuese

    Sonila Bejtja

    Presidenti Ilir Meta ka vendosur që gjyqtarja Sonila Bejtja të jetë emërimi i shtatë në Gjykatën Kushtetuese. Pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi sot listën përfundimtare me renditjen e kandidatëve, Meta emëroi magjistraten Bejtja, e cila renditej në listë me 76.83 pikë. Tanimë në Kushtetuese kanë mbetur vetëm 2 vende vakante.

    NJOFTIMI I PLOTË I PRESIDENCËS:

    Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta sot më datë 28.12.2020, ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e krijuar pas mbarimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Muçi, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11364, datë 22.11.2019.

    Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 66, datë 28.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019, si më poshtë:

    1) Sonila Bejtja 76.83 Pikë

    Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë, e mbi të gjitha në mënyrë të qëndrueshme të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 7/dh pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11886, datë 28.12.2020, ka vendosur që: – Zonja Sonila Bejtja të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

  • 16:21

    Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, KED i dërgon Metës emrin e Sonila Bejtes

    Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do i dërgojë Presidentit Ilir Meta emrin e Sonila Bejtja për vendin vakant si anëtare e shtatë e Gjykatës Kushtetuese. Me emërimin e Sonila Bejtjes, Gjykata Kushtetuese bëhet me 7 anëtarë. KED pas përfundimit të intervistimit të kandidates, vijoi me procedurën e pikëzimit dhe renditjes, ku më pas ka marrë dhe vendimin. Bejtja garonte për vakancën e shpallur nga presidenca në 22 nëntor 2019.

    NJOFTIMI: 

    KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e saj në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësimit të njohurive në gjuhën angleze. Pas përfundimit të intervistimit të kandidates, KED vijoi me procedurën e pikëzimit dhe renditjes. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve bëri pikëzimin e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe miratoi vendimin përkatës. KED vijoi me miratimin e vendimit mbi listën përfundimtare të renditjes dhe raportit përkatës, i cili do t’i dërgohet menjëherë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

  • 8:44

    Ngritja e Gjykatës Kushtetuese/ KED mblidhet sot, zhvillon intervistë me kandidaten, Sonila Bejtja

    Këshilli i Emërimeve për Drejtësinë do të mblidhet sërish ditën e sotme për të zhvilluar intervistën me kandidaten për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja. Mbledhja do të zhvillohet në orën 10:00. Bejtja është kandidatë për Gjykatën Kushtetuese. Në rend dite do të jetë dhe procedura për Altin Binajn, procedurë e cila u ndërpre seancës e kaluar.

    Njoftimi i KED:

    Brenda afatit 5 ditor nga përfundimi i procedurës së verifikimit, të parashikuar nga neni 239/1 i ligjit nr. 115/2016, ditën e hënë datë 28.12.2020, ora 10:00, thirret mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me këtë rend dite:Shpallja e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikësnë datën 22.11.2019Miratimi i ekspertit per vlerësimin e nivelit te zotërimit te gjuhës së huaj (atë angleze), te deklaruar nga kandidati i lejuar per vendin vakant ne Gjykaten Kushtetuese.Ndërprerje e procedurës se vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në gjykatën Kushtetuese për kandidatin e lejuar: Altin Binaj. Relatimi për procedurën e ndjekur për vlerësimin e kandidaturës së kandidatëve të lejuar: Sonila Bejtja. Zhvillimi i intervistës me kandidatët e lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019, si më poshtë: Sonila Bejtja. Vlerësimi, pikëzimi dhe renditja për kandidatët e lejuar. Diskutimi dhe miratimi i listës përfundimtare të renditjes, si dhe i raportit përkatës.

Shto Koment