Aktualitet

“Ngrirja e veprimeve” në hipotekën e Tiranës, Semanaj: Procedurë kalimtare, s’ka bllokim të shërbimeve

Semanaj shprehet se nuk ka asnjë bllokim të veprimeve në hipotekën e Tiranës. Sipas tij kjo është thjesht një procedurë kalimtare, për shkak të riorganizimit që mund të ketë vonesa të vogla në përgjigje, por nuk ka bllokim të procesit.
Featured image of article: “Ngrirja e veprimeve” në hipotekën e Tiranës, Semanaj: Procedurë kalimtare, s’ka bllokim të shërbimeve Elion Semanaj, Drejtori i Njësisë së Titujve të Pronësisë

TIRANË- Elion Semanaj, Drejtori i Njësisë së Titujve të Pronësisë, në një intervistë për Dosja.al, sqaron se çfarë ka ndodhur me veprimet në hipotekën e Tiranës. Ai shprehet se ka qenë s’bëhet fjalë për bllokim, por për një fazë tranzitore, ku veprimet kryehen tek ADISA.

Pse në hipotekën e Tiranës janë bllokuar të gjitha veprimet?

Nuk është e vërtet që janë bllokuar veprimet në “hipotekë”, pasi nuk ka më “hipotekë”, por Agjensia Shtetërore e Kadastrës, e cila është krijuar me ligjin 111/2018 “Për kadastrën” i cili ka hyrë në fuqi me datë 21.03.2019. Agjensia e cila është krijuar si bashkim i 1-Agjencisë së Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale,2-Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike dhe ZRPP-së, ku pavarësisht ristrukturimit të këtyre institucioneve në një të vetme duke marë parasysh dhe punën voluminoze të inventarizimit, arkivin, mjetet e punës, logjistika, baza materiale, sistemet elektronike dhe dixhitale të institucioneve që përfshihen në ristrukturim e që i janë transferuar ASHK-së, nga ana e sporteleve tona është ofruar shërbimi normalisht për të gjitha llojet e kërkesave të qytetarëve, të cilat janë kompetencë të zgjidhen nga institucioni ynë.

 Në të pesta Drejtoritë Vendore të Kadastrës Tiranë nuk është bllokuar asnjë ditë të vetme shërbimi. Shërbimi vazhdon normalisht për të gjithë qytetarët. Cdo shërbim kryhet pranë zyrave të ADISËS, edhe pse në riorganizim ASHK, puna nuk është bllokuar asnjë sekondë.             

 Po në rrethe pse qëndrojnë prej javësh zyrat e bllokuara?

 Në asnjë moment nuk është bllokuar shërbimi për qytetarët as në Tiranë dhe as në rrethe. Është thjesht një procedurë kalimtare, për shkak të riorganizimit që mund të ketë vonesa të vogla në përgjigje, por nuk ka bllokim të procesit. Aktualisht, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë veprojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë Drejtoritë Vendore dhe Zyrave përkatëse të shërbimeve.

 Kush janë personat përgjegjës që duhet të merret me qytetarët?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Nuk ka një person përgjegjës që merret me qytetarët, pasi janë sportelet e shërbimeve (ADISA atje ku është implementuar) pranë zyrave të ASHK, të cilat vazhdojnë punën normale të aplikimeve.

Kur do të përfundojë procesi për shkrirjen e drejtorive në të gjithë vendin?

Ky proces tashmë ka përfunduar ligjërisht. Aktualisht jemi në fazën e invendtarizimit të dosjeve, problematikave në harta apo regjistrime, si dhe unifikimin e procedurave që deri dje ishin burokratike. Vet ligji 111/2018 “Për Kadastrën” ka parashikuar një periudhë kalimtare prej 6 muajsh, por që ne do e përmbyllim më shpejt.

Kur u projektua të merret ky vendim, a patët ju një komunikim me instancat më të larta shtetërore për të kërkuar sqarime se çfarë do të bëhej me qytetarët që tashmë janë të bllokuar për shkak të këtij vendimi?

 Nuk ka asnjë bllokim për shkak të kësaj vendimarrje, përkundrazi ligji “Për Kadastrën” zhbllokon dhe zgjidh një herë e përgjithmonë problematikat e mbartuara prej gati 30 vitesh.

(Dosja.al)

Shto Koment