Blog

Ngrije zërin, ji vetvetja!

T’i dalësh shumicës përballë e të ngresh zërin për një temë që ti e gjykon të padrejtë kërkon guxim dhe integritet. Përndryshe të sillesh si një dele e të ndjekësh tufën, do t’i japësh një dorë mbështetjeje konsolidimit të totalitarizmit dhe kështu nuk do të ketë aspak progres.
Featured image of article: Ngrije zërin, ji vetvetja! Jeta Dedja

E keni vënë re se sa e lehtë është të bëhesh pjesë e një grupi nëse bie gjithnjë dakord me të dhe nuk i del kundër? Nga ana tjetër, e keni vënë re sesa e tendosur bëhet situata kur mendimi yt ndryshe vë në diskutim çështjen dhe autoritetin e dikujt në grup duke çuar në prishje të ekuilibrit?

T’i dalësh shumicës përballë e të ngresh zërin për një temë që ti e gjykon të padrejtë kërkon guxim dhe integritet. Përndryshe të sillesh si një dele e të ndjekësh tufën, do t’i japësh një dorë mbështetjeje konsolidimit të totalitarizmit dhe kështu nuk do të ketë aspak progres.

Kur vihet në pikëpyetje një vendim apo ide, mbështetësit do të nxiten të mbledhin më tepër argumente në favor të idesë së tyre, dhe kjo është shumë pozitive apo jo. Por të këmbëngulësh në idetë e tua e të mos pranosh se ato mund të jenë të gabuara kjo do të çojë drejt tufëzimit tënd me delet e bindura dhe largimit të deleve të zeza.
Pikërisht prej frikës së largimit, ka plot “dele të zeza” që zgjedhin të tufëzohen. Frika e refuzimit, përjashtimit i bën plot njerëz të ulin kokën, ta hanë veten me dhëmbë, të ndrydhin ndjenjat dhe të shkelin mbi nderin e tyre.

Por për çfarë ia vlen e gjithë kjo? A ka vlerë më të madhe sesa të thuash të vërtetën tënde e të jesh i ndershëm me veten sesa ta gënjesh atë? Po të mos ishin njerëzit e ndershëm në këtë botë nuk do të kishim arritje të të drejtave të njeriut, nuk do të kishim zhvillim.
I duhet t’i jemi mirënjohës pafund personaliteteve që zgjodhën gjatë jetës së tyre të sakrifikonin komfortin e të qënit pjesë e shumicës së fortë për të dalë të vetëm kundër padrejtësive më të vogla dhe të mëdha.

Prirja për të dominuar është njerëzore kjo nuk do të thotë se nuk është edhe shtazore. Por njerëzit përmes proceseve të tyre mendore kanë detyrimin të shprehin mendimet e tyre dhe jo veç të veprojnë instinktivisht si kafshët përmes vrapit ose qëndrimit në tufë. Aftësitë për të folur apo shkruar njerëzit duhet t’i përdorin jo vetëm për të thënë “Yes man” apo për të firmosur symbylltazi në letër të bardhë. Të artikulosh mendimet e tua të vërteta, të përpunuara apo edhe pa filtra do të thotë t’i bësh një shërbim të madh edhe vetes dhe shëndetit tënd mendor. Është vërtetuar se ndrydhjet e mendimeve i çojnë njerëzit drejt problemeve të ndryshme psikologjike. Pse t’ia bësh këtë dëm vetes? Fol hapur, ngrije zërin, ndiq ndërgjegjen tënde, ji i ndershëm me të. Mund edhe të gabosh, por mos e vrit mendjen. Ti ke të drejtë të mendosh ndryshe!

(Marrë nga FlasShqip.ca)

Shto Koment