Dikur

“Ngrihuni e flisni ç’keni për armikun Beqir Balluku”, djali i ish-ministrit zbulon të fshehtat çfarë tha Enveri në plenumin e partisë

shmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945.
Featured image of article: “Ngrihuni e flisni ç’keni për armikun Beqir Balluku”, djali i ish-ministrit zbulon të fshehtat çfarë tha Enveri në plenumin e partisë Beqir Balluku

TIRANË– Publikohet historia e panjohur të Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”. Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes,  ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.

“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi. Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e dërgonin. Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.

Dëshmon për Memorie.al, Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, i cili rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.

Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që i’u bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore? Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?

Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri. Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të. Nisur nga ky fakt dhe për t’u njohur akoma dhe më shumë me anën e panjohur të figurës së Beqir Ballukut dhe familjes së tij, në vazhdën e dhjetra shkrimeve të kësaj natyre që kanë gjetur vënd në faqet e Memorie.al, ne i’u drejtuam për një intervistë të gjatë zotit Çlirim Balluku, të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.

Zoti Çlirim, si e mbani mënd fillimin e goditjes ndaj babait tuaj?

Goditja ndaj babait, filloi diku atu nga qershori i vitit 1974, me Aktivin e Ushtrisë që u zhvillua në vilën e Mbretit Zog që ndodhet edhe sot në kodrat e qytetit të Durrësit.

Para asaj mbledhje, a kishit vënë re ndonjë ndryshim në gjëndjen shpirtrore të babait tuaj dhe a fliste ai  për ndonjë problem që kishte në atë kohë?

Më sa më kujtohet pas datës 22 qershor të vitit 1974, babai filloi të kishte disa probleme në lidhje me një material, i cili më vonë është i njohur si “Tezat e Zeza” ku ishte dhe ajo që u quajt “Teoria e Rrëshqitjes”. Lidhur me problemet që i kishin dalë atij për këtëo materiale, në atë kohë ne fëmijët nuk dinim gjë, sepse babai nuk bisedonte me ne për probleme pune. Për herë të parë atë që po ndodhte me babanë tonë ne e mësuam vetëm ne prag të mbledhjes që u zhvillua në Vilën e Zogut në Durrës.

Pas asaj mbledhje që u zhvillua në Durrës, a filloi Beqiri të bisedonte me ju në familje dhe çfarë u thoshte në lidhje me akuzat që i kishin ngritur atje. A përmëndi ai atëhere ndonjë nga emrat e udhëheqjes së lartë që e kishin kritikuar në Aktivin e Ushtrisë?

Babai filloi të fliste në shtëpi pas mbledhjes së Durrësit dhe atë gjë ai e bëri sepse e pa shqetësimin tonë që rrinim me ankth se diçka po ndodhte me të. Në bisedat e pakta që bënte me ne në shtëpi, ai përsëri ishte i matur dhe tepër konçiz. Babai na thoshte se të gjitha akuzat që ishin ngritur në ato mbledhje që po bëheshin në Durrës, nuk qëndronin dhe atë gjë e lidhte me faktin se Ushtria Shqiptare ishte e fortë. Pak a shumë kjo gjë ishte kryefjala e atyre bisedave që bënte babai me ne ato ditë.

Pas mbledhjes së Durrësit, a u ndje ftohja e “shokëve të udhëheqjes” me babanë tuaj dhe në atë kohë  ju erdhi më njeri në shtëpinë tuaj siç ju kishin ardhur më përpara?

I’u kam treguar dhe më parë se në fillimet e viteve ‘70, anëtarët e Byrosë Politike vinin në shtëpinë tonë vetëm për raste të veçanta (datëlindje, Viti i Ri etj). Si rrjedhojë në korrik të vitit 1974, nuk kish çfarë ftohje të shihnim prej tyre. Përsa i përket miqve të tij, sapo u njohën me problemin u larguan, pra në shtëpi nuk vinte më njeri.

Po pas mbledhjeve të tjera të Byrosë Politike dhe Plenumeve ku vazhdoi goditja ndaj Beqir Ballukut, a i’u thoshte gjë babai kur vinte në shtëpi?

Natyrshëm që tashmë bisedonim. Mbledhja e Byrosë Politike ishte përcaktuese për fatin e familjes sonë. Ndërsa në Aktivin e Ushtrisë analizën e drejtonin Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, në Byronë Politike merrnin pjesë të gjithë antarët me në krye Enver Hoxhën. Akuzat ishin po ato të Aktivit të Ushtrisë të veshura politikisht, të cilat u kundërshtuan me forcë deri në fund nga imatë Beqiri.

Cili ishte mendimi i babait tuaj në atë kohë lidhur me akuzat që i bëheshin?

Nga bisedat që kemi bërë ne në atë kohë me babanë, ai dilte me konkluzionin se: të gjitha akzuat ndaj tij ishin të montuara dhe të parapërgatitura në bazë të një skenari tepër të qartë dhe me qëllim goditjen dhe largimin e tij nga Ministër i Mbrojtjes. Ai gjykohej me shkas për një material të cilin akoma nuk e kishte dorëzuar të përfunduar, e çishte më e çuditshmja, ai material ndodhej në kasafortën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Cila ishte mbledhja ku u godit më fort Beqir Balluku dhe cilët ishin ata që ngritën akuza dhe mbajtën qëndrim më të rreptë ndaj tij?

Nga Aktivi i Ushtrisë në Durres, në Byronë Politike deri në Plenumin e Pestë që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, goditja erdhi e shkallëzuar dhe në rritje. Ndërsa në Aktivin e Ushtrisë u akuzua për kundërshtim të tezave të Këshillit të Mbrojtjes, në Byronë Politike akuzat u rënduan duke u cilësuar si “devijator i vijës së Partisë dhe si agjent i imperializmit dhe i social-imperializmit”. Maja arriti në Pleniumin e pestë që unë do t’a cilësoja gjyq të sajuar politik me moton: “Çfarë keni për të shtuar të tjera për armikun e popullit”? Plenumi u kthye në nje maskaradë ku shumica e të pranishëmve merrnin fjalën për të fituar kredit ndaj Enver Hoxhës. Pra hetimi filloj në Aktiv, vendimi u mor në Byronë Politike dhe pretenca u dha në Plenum. Kështu kish funksionuar gjithnjë ky mekanizëm.

Po nga Enver Hoxha a pati sulme Beqir Balluku?

Dua të shtoj diçka. Në Aktivin e Ushtrisë, Enver Hoxha nuk merrte pjesë, ai i ndiqte zhvillimet nga Tirana. Këtu nuk bëhet fjalë për sulm por për direktiva. Në mbledhjen e Byrosë ai nuk la vend të tjerëve për analizë, por dha direktivën: “Beqiri ka dalë nga vija e marksizëm-lenininzmit”. Kaq është e mjaftueshme për të cilësuar si shkoi kjo mbledhje më pas.

A ju tregoi babai  se çfarë akuzash i kishte bërë Enveri në atë Plenum?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Si fillim desha të bëj një parantezë lidhur me atë Plenum. Ne mendonim se dita e Plenumit do të ishte hera e fundit që do të shihnim babanë tonë, Beqirin, por nuk e arrestuan menjëherë pas mbledhjes, kështu ai pati fatin të kthehej në shtëpi ku bisedoi gjerë e gjatë me ne duke na treguar të gjitha ato që kishte ndodhur në atë Plenum dhe gjithçka ishte thënë ndaj tij.

A mund të na thoni diçka rreth atyre që biseduat me babanë tuaj kur ai erdhi në shtëpi pas përfundimit të atij Pleniumi?

Ne biseduam gjatë, por ajo që është më e rëndësishmja për ju, mendoj se janë akuzat e Enver Hoxhës në adresë të babait tonë, Beqirit, dhe cilat ishin fjalët që na tha ai në shtëpi lidhur me ato akuza. Më kujtohet që babai erdhi në shtëpi pasdreke dhe fjalët e para të tij ishin për vendimet që ishin marrë aty në adresë të tij, pra përjashtimin e tij nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore dhe gjithashtu ishte përjashtuar edhe nga Partia. Në atë Plenium Enveri ishte shprehur duke thënë se “Beqir Balluku ishte tradhëtari më i madh që kishte parë Shqipëria deri në atë kohë”. Por ato akuza nuk qëndronin kurrsesi, sepse po të kishte qenë Beqir Balluku tradhëtar, ai do të kishte tradhëtuar në vitin 1948 dhe në 1960 (i’u kujtoj ngjarjet me Titon dhe atasheun ushtarak sovjetik në Tiranë) kur atij i’u afrua një një mbështetje e madhe nga jashtë. Dhe kurrsesi babai nuk mund të tradhëtonte në vitin 1974 kur ai nuk kishte asnjë lloj mbështetje. Këto ishin pak a shumë thelbi i përgjigjieve të babait, ndaj akuzave që i kishte bërë Enver Hoxha në Plenium. Po kështu desha të shtoj se duke e njohur mirë babanë tonë, me ato që po ndodhnin, mua personalisht më humbi krejtësisht besimi tek Partia.

Po pse deri në atë kohë ju nuk kishit pasur asnjë rezervë në lidhje me vijën që po ndiqte Enver Hoxha me udhëheqjen e lartë?

Për të qenë sa më i sinqertë me ju dhe me lexuesin deri në fund, desha të them se unë me vëllanë tim, Ladin, duke qenë se kishim dalë disa herë jashtë me sportin, kishim parë nivelin ekonomik dhe zhvillimin e atyre vëndeve e shpesh herë bënim krahësimin ndërmjet tyre me Shqipërinë. Ndërsa përsa i përket dënimeve të njerëzve të pafaj për probleme politike, unë me Ladin thonim se aty arrinte kulmi. Por të gjitha ato biseda ne i bënim vetëm me njëri tjetrin dhe kurrë jashtë shtëpisë.

Çfarë ndodhi me babanë tuaj pas atij Plenumi dhe si rrodhën ngjarjet më vonë?

Pas atij Pleniumi, babai qëndroi në shtëpi edhe për afro dhjetë ditë të tjera, sepse si duket, ata që e kishin sulmuar dhe goditur në atë Plenum, nuk e kishin vendosur ende se ku do e dërgonin. Ato ditë që babai qëndroi i mbyllur në shtëpi, rreth e rreth shtëpisë sonë, u shtuan masat e sigurisë, gjë e cila bëhej pa rënë në sy, por dukej fare qartë me shtimin e ushtarëve të armatosur pak më tutje vilës sonë. Ndërsa babai qëndroi i mbyllur në shtëpi, ne të tjetër dilnim dhe nuk na ndalonte njeri. Por mendoj se edhe ndaj nesh ishte vendosur masa e survejimit.

Ato dhjetë ditë që Beqiri qëndroi i mbyllur në shtëpi, a patët ndonjë vizitë dhe a shkeli aty njeri tjetër jo pjestar i familjes?

Ato dhjetë ditë në shtëpinë tonë mundën të vinin dy persona. I pari ishte një stomatolog nga Poliklinika Qëndrore, të cilin vajta dhe e mora unë, pasi babai kishte probleme me dhëmbët. Kur vajta atje, ai u tregua shumë i gatshëm dhe erdhi në shtëpi duke e mjekuar në kushtet që mund të mjekohet një njeri jashtë klinikës stomatologjike. Mund të them se, si vajtja ime atje dhe ardhja e atij stomatologu në shtëpinë tonë, kanë qenë të kontrolluar nga organet përkatëse.

Po njeriu tjetër që thatë se erdhi në shtëpinë tuaj, kush ishte?

Personi tjetër që erdhi në shtëpinë tonë ato ditë që babai qëndroi aty i izoluar, pas atij Plenumi që e kishte cilësuar atë tradhëtar dhe armik, ishte kuzhinjeri i familjes sonë, Nuredin Bufi, i cili erdhi në shtëpinë tonë deri ditën e fundit që ne qëndruam aty. Nuredinin ne e kishim si njeriun e shtëpisë (punonte aty për më shumë se 25 vjet), por ardhja e tij në atë kohë ishte një guxim më shumë se i tepruar, pasi pas shkarkimit dhe përjashtimit të babait nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore, atij i’a hoqën dhe të gjithë personelin e shërbimit, me shoferin, shoqëruesit, rojet etj. Për atë mirënjohje apo njerzillëk që tregoi Nuredini ndaj familjes sonë, organet e Sigurimit të Shtetit e dënuan më pas me dy vjet burg, duke e akuzuar gjoja për një derë hekuri.

Po nëna juaj, Znj. Taibe Kafazi, nga ishte me origjinë, çfarë shtrese shoqërore i përkiste familja e saj dhe ku kishte punuar deri në atë kohë?

Origjina e nënës sonë është nga Berati dhe ajo rrjedh nga një familje bejlerësh të cilët pothuaj të gjithë pasurinë e tyre e kishin shkrirë për Luftën Antifashiste Nac-Çlirimtare. Nje nga vëllëzërit e nënës sonë, (daja i im) u vra gjatë luftës në vitin 1943 dhe ështe shpallur dëshmor i Atdheut. Njëri nga dajat, që gjatë Luftës kur ishte ilegal në Tiranë, ka pasur njohje dhe miqësi me babanë tonë, Beqirin dhe si rezultat i saj u bë më pas edhe miqësia me familjen e tyre. Dhe nëna mori pjesë aktive në Luftë, duke u inkuadruar në Brigadën e III-të partizane, ku për pak kohë babai ish komisar i saj. Ndërsa nëna jonë, Taibja, në vitin 1974 kur filloi goditja ndaj nesh, pati punuar në Ndërrmarjen Artistike “Migjeni” në Tiranë.

Pas largimit nga Tirana më 5 gusht 1974, ku e dërguan babanë tuaj, Beqirin, nënën, Taiben, Lulen dhe Agimin?

Pas largimit nga Tirana, babai, nëna, Lulja, Agimi dhe Agroni udhëtuan në drejtim të qytezës së Roskovecit, që ishte paracaktuar si vëndi i internimit. Në atë qytezë të vogël, ata u vendosën me banim në katin e dytë të një pallati, që ishte “rregulluar” apostafat për familjen tonë.

Sa kohë qëndruan ata në qytezën e Roskovecit dhe a u lejonin ju të tjerëve që ishit në Tiranë për të shkuar dhe për t’i takuar ata?

Në Roskovec, babai bashkë me pjesën e familjes që e shoqëronte nuk qëndroi për më shumë se një muaj e gjysëm, sepse ata i lëvizën edhe që andej duke i internuar përsëri për në Selenicë të Vlorës. Por gjatë asaj periudhe kohe që ata qëndruan në Roskovec, ne nuk pengoheshim per te shkuar atje, por natyrisht të gjitha lëvizjet tona ishin të kontrolluara nga Sigurimi i Shtetit.

Gjatë kohës që ata ishin në Roskovec, me çfarë të ardhurash financiare mbahej familja dhe si i kalonte ditët atje babai juaj, Beqiri?

Gjatë kohës që babai me nënën, Lulen, Agronin e Agimin qëndruan në Roskovec, ata mbaheshin vetëm me pensionin e babait të cilin nuk i’a dhanë menjëherë, por i’a vonuan për shumë kohë. Ndërsa lidhur me pyetjen që bëtë se si i kalonte babai ditët atje në Roskovec, i’u them se gjatë asaj kohe, ai nuk doli për asnjë minutë nga shtëpia. Ai qëndronte në shtëpi duke lexuar libra dhe gjithashtu degjonte radio dhe shikonte televizorin bardh e zi që i’a kisha dërguar unë nga Tirana. Kjo përsa i përket kohës së lirë sepse në këtë kohë babai kishte diçka të rëndësishme për të bërë, “autokritikën” me shkrim që i’u kërkua nga Plenumi i V-të i Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Le të kthehemi pak më pas në kohë, kur në fillim të këtij Plenumi u shtrua pyetja nga Enver Hoxha: “Ç’dënim mendoni t’i japim Beqir Ballukut”?

Pasi ishin dëgjuar më të zellshmit që bërtisnin “të arrestohet këtu armiku i popullit”, pati një propozim që në kontekst ishte: “të mendohet dhe brënda tre muajve të na paraqesë në Komitetin Qëndror me shkrim, një autokritikë të shëndoshë ku të na paraqesë veprimtarinë e tij armiqësore”. Enver Hoxha e mbështeti këtë propozim dhe Plenumi që kuptoi se ky ishte urdhëri i tij, e miratoi atë një zëri. Pra në Roskovec babai shkroi shumë dhe këtë material e solli në Tiranë vëllaj Agimi, i cili i’a dorëzoi në dorë Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës. Dua të theksoj se këtë material asnjë nga ne nuk e ka lexuar.

(Marrë nga Memorie.al)

Shto Koment