Sport

Ngo te Tirana? Jo pa mbyllur kontratën e vjetshme…

Menaxheri Cenolli: “Ne nuk kemi dëshirë të bëjmë polemika. Koha do ta tregojë nëse Halili e ka fituar apo humbur bastin me Ngo”
Featured image of article: Ngo te Tirana? Jo pa mbyllur kontratën e vjetshme…
Përditësuar:

TIRANE – Majkëll Ngo është kthyer në një çështje te kampionet e Tiranës. Sulmuesi shtatlartë anglez, i cili ishte edhe shënuesi më i mirë i bardhebluve sezonin e shkuar, nuk ka rinovuar kontratën dhe aktualisht është lojtar i liri. Kohët e fundi po përflitet mjaft rikthimi i Ngo në radhët e Tiranës, madje është përfolur se presidenti Halili është i gatshëm të paguajë deri në 8500 euro në muaj për të.

Por e vërteta qëndron ndryshe, sipas menaxherit Mario Cenolli, i cili mbron interesat e sulmuesit anglez. Edhe pse nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes së Ngo, sërish në radhët e Tiranës, agjenti i futbollistit në një rrëfim të gjatë për “Panorama Sport”, shprehet që përpara se të flitet për një kontratë të re, duhet mbyllur marrëveshja e vjetshme. Cenolli deklaron se ajo ende është e hapur, pasi klubi i Tiranës nuk i ka shlyer detyrimet ndaj sulmuesit Majkëll Ngo, ndërkohë që ai ka komentuar edhe fjalët e presidentit Halili, i cili është shprehur se Ngo nuk e pranojnë klubet e tjerë përveç Tiranës.

“Sigurisht që nuk mund të më vijë mirë, si mua ashtu edhe Majkëllit për ato deklarata. Cili është ai lojtar që nuk do të ndihej i fyer pasi dëgjon nga presidenti i tij ato fjalë, për më tepër që Ngo u shpall kampion dhe kryegolashënues i ekipit. Ngo dhe unë jemi surprizuar që zoti Halili ka folur në këtë mënyrë për një lojtar që ka dhënë shumë për t’u shpallur kampion. Duke parë se çfarë ka dhënë për Tiranën, mendoj se janë deklarata kontradiktore.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Presidenti ka thënë që Ngo është toleruar nga Tirana, por ama edhe vetë lojtari e ka toleruar klubin. Presidenti e di shumë mirë se për çfarë arsyeje bëhet fjalë. Gjithsesi, ne nuk kemi dëshirë të bëjmë polemika. Koha do ta tregojë nëse Halili e ka fituar apo humbur bastin me Ngo. Secili ka mendimin dhe idetë e tij, çdo njeri është i lirë ta bëjë këtë. Thjesht unë mendoj se përpara se të bëhen të tilla deklarata, duhen menduar mirë. Unë e njoh presidentin Halili si një person të matur në deklaratat e tij, por këtë herë ndoshta nuk është matur aq sa duhet,”- është shprehur menaxheri Mario Cenolli.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment