
TIRANË- Maturantët do të kthehen në bankat e shkollës më 18 maj, pas një ndërprerje të gjatë që prej 9 marsit, kur u shënuan edhe dy raste e para me COVID-19 në vendin tonë. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar të gjitha masat e marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ndërmjet nxënësve.
Shahini shkruan se gjatë këtyre ditëve janë vendosur postera dhe sinjale orientuese, ndërsa është kryer edhe dezinfektimi i shkollave.
























“Vijon puna përgatitore në shkolla për masat që sigurojnë distancimin fizik mes nxënësve. Gjatë gjithë këtyre ditëve janë vendosur postera dhe sinjale të tjera orientuese, si dhe është kryer dezinfektimi i shkollave për të qenë gati të mirëpresim maturantët më datë 18 maj“, shkruan Shahini.
Maturantët do të kthehen në bankat e shkollës më 18 maj, për të kryer konsultimet e fundit që do të kryhen përpara provimeve të maturës, të cilat nisin më 6 qershor.
Shahini ka theksuar se në provimin e maturës do të ketë pyetje nga viti i parë dhe viti i dytë dhe deri në momentin kur u ndërpre shkolla, ndërsa i gjithë testi do të jetë me alternativa.
(G.Sh./Dosja.al)