Aktualitet

Vrasja e ish-policit Malko! Vëzhgoi lëvizjet e "shënjestrës" dhe ndihmoi autorët për ekzekutimin, Apeli lë në fuqi dënimin 25 vite burg për Blendi Tetën

Fillimisht Blendi Teta u arrestua për akuza, të cilat kanë të bëjnë me moskallëzimin e krimit dhe veprime të cilat pengojnë zbardhjen e së vërtetës të ngjarjes.

4 Dhjetor 2025, 15:23 Nga E.d
Vrasja e ish-policit Malko! Vëzhgoi lëvizjet e
Bledi Teta

TIRANË- Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën. Teta akuzohet për përfshirje në atentatin e ndodhur më 27 gusht të vitit 2019, ndaj ish-policit Santiago Malko. Fillimisht Blendi Teta u arrestua për akuza, të cilat kanë të bëjnë me moskallëzimin e krimit dhe veprime të cilat pengojnë zbardhjen e së vërtetës të ngjarjes.

Por më pas akuzat ndaj tij ndryshuan, ndaj ai akuzohet si i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë Malko. Çështja u shqyrtua, pasi Gjykata e Lartë riktheu çështjen për rishqyrtim në GJKKO, me një tjetër trupë gjykuese.

Njoftimi i gjykatës: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare), sot më datë 04.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi.

Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 32, datë 14.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues - disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues B.T., ndaj vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.  Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, sot më datë 04.12.2025.

Si ndodhi ngjarja?

Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMW X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Për vrasjen e Malkos, prokuroria akuzoi 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica./Dosja.al

 gjkko tiranë bledi teta

Sondazh

Poll