Aktualitet

Drogë&banane/ Skandali i 49 kutive që u zhdukën në Port, pse 'harroi' Policia e Durrësit të sekuestrojë pamjet filmike? (SHKELJET)

Një dorë e fshehtë, me siguri e apasionuar pas bananeve ka shkuar dhe ka tërhequr nga konteineri plot 49 kuti. Këto kuti, në parim kanë patur banane, por indiciet dhe informacioni policor flet për një ngarkesë të madhe droge që ishte dekonspiruar dhe do të kapej nga Policia. 

18 Korrik 2022, 12:58 Nga f.g
Drogë&banane/ Skandali i 49 kutive që u zhdukën në Port,
Trifon Murataj dhe droga

DURRES- Trifon Murataj, pronari i kompanisë "BanaKing", duhet të jetë habitur shumë pasditen e 16 korrikut, kur administratori i kompanisë e ka njoftuar se në konteinerin e mbërritur nga Ekuadori mungonin plot 49 kuti, përmbajtja e të cilave është një gjeagjëzë. Për Policinë e Shtetit dhe median, por jo për pritësin. Konteineri ka mbërritur në Shqipëri në portin e Durrësit, më 7 korrik dhe është zbarkuar nga Anija për tu depozituar në zonën e sheshit portual. Siç Dosja.al mësoi, kjo vendosje bëhet e rastësishme dhe në menaxhim nga Porti, që përgjigjet vetëm për procedurat orientuese dhe ato të sigurisë, por jo për kutitë dhe mbushjen e tyre. 

Konteineri i Bana King, u vendos në Port pa vulosjen me plumb dhe numrin përkatës serial, dy elementë të detyrueshëm sigurie. Por edhe pse zhveshur, konteineri me banane u fut dhe qëndroi në pritje të zhdoganimit në një ritual të çuditshëm amullie, nga ku nuk merret vesh, nëse në konteiner ka banane apo pluhur të bardhë, nga ai që e gjen shitjen në portet e Evropës.

Telenovela meksikane në fakt sapo ka nisur. Historia vazhdon. Një dorë e fshehtë, me siguri e apasionuar pas bananeve ka shkuar dhe ka tërhequr nga konteineri plot 49 kuti. Këto kuti, në parim kanë patur banane, por indiciet dhe informacioni policor flet për një ngarkesë të madhe droge që ishte dekonspiruar dhe do të kapej nga Policia. 

Vjedhja, marrja nuk dihen me datë dhe me orë. Për këtë informacion thelbësor do të na vinte në ndihmë Policia e Shtetit, por prej dy ditësh Policia e Durrësit është mekur. Një informacion edhe më i pakuptimtë vjen i raportuar nga "Report Tv", që thekson se Policia e Durrësit ka harruar të sekuestrojë pamjet e sigurisë të datave nga 7 korrik e deri më 15, duke sekuestruar vetëm pamjet filmike të 16 korrikut 2022. Ajo që nuk kuptohet është fakti pse Policia ka administruar vetëm pamjet e datës 16 korrik, kur porti dhe terminali i konteinerëve janë monitoruara 24 orë me kamera sigurie në çdo cep. 

Telenovela vazhdon në një tjetër seri. Edhe pse e njëjta kompani është bërë kryefjalë për sasinë 117 kilogram me kokainë që iu kap në dhjetor, skandali thellohet duke mos e kaluar konteinerin në zonën e riskut. Procedura doganore parashikon që çdo konteiner i nisur nga Amerika Latine duhet të kalojë në zonën e riskut për tu verifikuar në skaner, por pikërisht ky konteiner u parkua më 7 korrik në katin e dytë sipër një konteineri tjetër, duke shmangur kontrollin e shpejtë në skaner. 

Teksa AntiDroga qëndronte duke vëzhguar konteinerin në Port, një dorë bën magji dhe zhduk fiks 49 konteinerë duke lënë në Policinë e Durrësit 20 persona. 18 prej tyre janë punonjës të doganës që pretendojnë se nuk kanë asnjë informacion se a erdhi i hapur konteineri nga jashtë apo u zbras në Port. Ndërsa dy të tjerët janë shoferi dhe punonjësi i kompanisë, Altin Muhametaj dhe Nazmi Allgjata. 

Tufat e ngelura të bananeve u gjetën nga Policia e Durrësit që ka nisur të vuajë nga "amnezia" duke mos sekuestruar pamjet e duhura filmike por ato të ditës pas pilafit. 

Edhe pse do të duhet të shkonte Policia te droga, në Shqipëri, situata ka ndryshuar. Kësaj here, drogës i del vetë për zot pronari. Shkon ta marrë para se ta gjejë Policia dhe iu lë targën. Madje për t'ja përmbyllur komedinë, pronarit i mungojnë arkat dhe i kërkon llogari Policisë. Sigurisht, hetimet vazhdojnë. 

trifon murataj porti i durresit kokaine ne banane

Sondazh

Poll