Politike

Ndërmjetësimi i OSBE-së sipas përvojës së Ramës. Ja si do shpëtojë Llukashenko

18 Gusht 2020, 14:22 Nga DOSJA
Ndërmjetësimi i OSBE-së sipas përvojës së

Edi Rama, në funksionin e Presidentit të OSBE-së, u vetëofrua për negociim të krizës Bjelloruse. Skeptikët e kësaj lëvizjeje, duhet të mbajnë parasysh arsyen e daljes në shesh të kundërshtarëve të Presidentit Llukashenko. Ata janë aty për zgjedhje të lira, një temë që Edi Rama e njeh mirë. Madje e kaloi me sukses valën e protestave për zgjedhje të lira vetëm 1 vit më parë.

Opozita la parlamentin, dorëzoi mandatet, doli në protesta dhe kërkoi largimin e tij, por ai ia doli, jo vetëm të qëndrojë, por edhe të bëjë një palë zgjedhje pa opozitë fare dhe pastaj ta sjellë opozitën në tryezë për t’u sjellë siç i pëlqen atij.

Llukashenko e ka pak më të vështirë se Rama, duke parë që Bashkimi Europian është kundër tij, ndërsa SHBA-ja është pothuajse kundër. Mbështetja e Putinit ishte e vetmja shpresë për të, deri kur Rama u vetëofrua si negociator.

Nuk ështe rastësi që, sapo Presidenti i OSBE-së, që ka rastisur të jetë Kryeministri ynë, u përfshi në lojë, Llukashenko doli me një propozim origjinal: Zgjedhje te reja nuk do ketë pa u bërë nje referendum.

Për ata me kujtesë të dobët, a nuk ishte kjo zgjidhja që i dha Rama kundërshtarit të tij në PS, kur ai i kërkoi zgjedhje? A nuk e votoi në Kongres referendumin që Kongresi të mos zgjidhte mes tij dhe Ben Blushit? Ja pra ku është ideja e parë. Brilante: Shkojmë në kuti, jo për zgjedhje, për të vendosur a të bëjmë zgjedhje.

Nuk mbaron këtu, jo se nuk donte Rama, po nuk u bindën protestuesit. Ata bënë sikur nuk e dëgjuan propozimin ndjellës së Llukashenkos, që, vërtet eksporton makina, ama importon ide nga Shqipëria.

Pasi ra referendumi se nuk kishte Kongres për ta votuar, Presidenti bjellorus luajti kartën e të fortit: Kur të vdes unë do bëhen zgjedhje të parakohshme. Kjo kartë duket më shumë origjinale sesa e Ramës, duke mos patur asnjë shenjë frike nëpër reshta.

Por ama mësohet se Rama i ka çuar në vesh të ngjashmit të tij idenë brilante të krijimit të një tryeze të quajtur Këshilli Politik, ose politicheskiy cobjet, siç i thonë në Rusinë e bardhë që për gjuhë zyrtare ka rusishten.

Kundërshtimeve të Llukashenkos për t’u dorëzuar te Sovjeti modern, Rama u është përgjigjur me përvojën e shkëlqyer shqiptare, ku ngriti një Këshill si ai për të gënjyer opozitën dhe ndërkombëtarët, që të shuheshin protestat deri sa të vinte vera dhe njerëzit të mendonin për pushimet. Kështu edhe aty, pas pak vjen vjeshta, dimri, dëbora, akulli, rifillon sezoni i Hokejit në akull dhe njerëzit do harrojnë që kishte zgjedhje presidenciale që përfunduan me rezultatin 80 përqind në favor të pushtetmbajtësit – sulmues i hokejit.

Një rezultat të ngjashëm arriti Presidenti i OSBE-së në zgjedhjet lokale. Madje atij ia njohu edhe Bashkimi Europian, edhe Shtetet e Bashkuara. Vetëm OSBE-ja nuk ia njohu plotësisht, por kjo ndodhi përpara se të merrte në dorë frenat e Institucionit.

Për të gjitha këto arsye, janë të gjitha kushtet që Bjellorusia t’i rikthehet paqes dhe jeta të vazhdojë normalisht. Me ndërmjetësimin e veçantë të OSBE.

Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike edi rama llukashenko edi rama llukashenko

Sondazh

Poll