Politike

Sulmet ndaj Blushit, a është shkak oferta e Ramës?

5 Prill 2019, 10:16 Nga DOSJA
Sulmet ndaj Blushit, a është shkak oferta e Ramës?

TIRANE- Fotografia e Blushit duke hyrë në Kryeministri bashkë me një nga biznesmenët më të mëdhenj në vend Samir Mane, u bë virale dje nëpër portale. Komentet ndaheshin sipas përkatësisë apo qëndrimeve të portaleve; mbështetësit e qeverisë e përcillnin si një lajm të mirë, kundërshtarët si një lajm të keq. Këta të fundit madje, e përballnin me kohën kur iku nga Rilindja dhe shpalli partinë e re, LIBRA, për të vënë në dyshim kredon morale të ish – politikanit.

Ajo e djeshmja ishte shpërthimi i një pakënaqësie ndaj Blushit dhe Top Channel, që është artikuluar, më zë të ulët, vazhdimisht nga portalet opozitare apo oponente të qeverisë dhe ishte akumuluar si zemërim apo si zhgënjim.

E akuzojnë Blushin që e shndërroi televizionin kryesor kombëtar në shërbëtorin e Ramës, ndërkohë që deri në 2017 ishte kundërshtari më i madh i tij. Një pjesë e tyre, ndoshta votues të LIBRA, kanë të drejtë ta kërkojnë tek ish- drejtuesi i saj, përfaqësimin e votës së tyre.

Më saktë do të kishin, nëse Blushi do të ishte akoma në politikë, nuk do të kishte pranuar pamundësinë për të udhëhequr një lëvizje antisistem në kushtet aktuale. Ashtu siç bëri. Me një shkrim të gjatë shpjegoi se nuk është terreni për ta bërë një lëvizje dhe ndoqi jetën e tij, duke pranuar rezultatin, pavarësisht deformimit.

Nuk kërkoi rinumërim si PDIU, por konstatoi se nuk kishte një votë masive kundër sistemit dhe përpjekja e tij ishte e pafrytshme. I kthyer në jetën private, pasi zgjodhi rikthimin në media pas 20 vjetësh, ata që e shikonin si politikan, vazhdojnë t’i kërkojnë llogari. A kanë të drejtë kur akuzojnë Top Channel se i shërben qeverisë dhe Blushin si shkaktar të këtij shërbimi?

E vërteta është që Top Channel dhe Klan apo gjithë televizionet, kombëtare ose jo, po ndjekin të njëjtën stategji ndaj qeverisë. Të gjendur përballë një Kryeministri që kontrollon gjithë ekonominë, por edhe përballë nevojës për shikueshmëri, kanë dorëzuar edicionet e lajmeve tek ERTV, por kanë ruajtur pavarësinë e emisioneve tematike.

Në Talk Show te Klan, TCH apo NEWS 24 mund të ketë përplasje të mendimeve të lira apo të instruktuara të të gjitha palëve, përfaqësues të partive dhe shoqërisë, por edhe informacion, atë informacion që nuk e gjen në edicionet e lajmeve të asnjë TV përveç Fax News.

Ky paradoks i Televizionit që përgënjeshtron edicionet e lajmeve në emisionet tematike apo debatet, është një mënyrë shpëtimi nga kontrolli i Qeverisë. E përdorin njësoj të gjithë, por askush nuk akuzon drejtuesit e Televizioneve të tjera.

Ben Blushi është shënjestra e preferuar, jo vetëm nga njerëzit që i besuan në 2017, jo vetëm nga ata kundërshtarët e përhershëm, por edhe nga ata që kanë frikë se Rama po insiston ta rikthejë në politikë me një ofertë të re. Oferta e përfolur para disa muajsh mesa duket vazhdon të jetë pezull mes të dyve.

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike ben blushi edi rama samir mane televizionet shqiptare ben blushi edi rama samir mane televizionet shqiptare

Sondazh

Poll