Politike

Projekti i rindërtimit, Qeveria miraton fondin 7.2 mld lekë për rindërtimin e banesave

15 Prill 2020, 21:10 Nga DOSJA
Projekti i rindërtimit, Qeveria miraton fondin 7.2 mld lekë për

TIRANË- Qeveria ka miratuar sot kalimin e fondit prej 7.2 miliardë lekësh lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, sipas projekteve model të miratuara.

Sipas vendimit të sotëm mësohet se projektet e miratuara janë të projektuara në formën e shtëpive individuale 1+1, 2+1 dhe 3+1, dhe në total me këtë fond Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit është parashikuar të ndërtojnë 3400 banesa.

VENDIMI I PLOTË

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.202, DATË 5.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pikat 1 dhe 2, të vendimit nr.202, datë 5.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohen, si më poshtë vijon: “1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, në masën 7 280 349 288 (shtatë miliardë e dyqind e tetëdhjetë milionë e treqind e dyzet e nëntë mijë e dyqind e tetëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, sipas projekteve model të miratuara.
2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’u kalojë njësive zbatuese, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, në masën prej 5 440 470 210 (pesë miliardë e katërqind e dyzet milionë e katërqind e shtatëdhjetë mijë e dyqind e dhjetë) lekësh pa TVSH.
b) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 1 839 879 078 (një miliardë e tetëqind e tridhjetë e nëntë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e shtatëdhjetë e tetë) lekësh pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

(A.B. Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike programi i rindërtimit vendim i qeverise programi i rindërtimit vendim i qeverise

Sondazh

Poll