Politike

Kryengritja paqësore/ Berisha: Rama ka hedhur në Lanë ëndrrën evropiane, me datë 17 të gjithë në protestë

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se kryeministri Rama ka hedhur në Lanë ëndrrën europiane të shqiptarëve, ndërsa thekson se procesi i integrimit është bllokuar për shkak të korrupsionit dhe shkatërrimit të sistemit të drejtësisë.

1 Prill 2026, 14:07 Nga I.A
Kryengritja paqësore/ Berisha: Rama ka hedhur në Lanë
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar situatën në vend si një paralizë të plotë të shtetit ligjor dhe një devijim të rrezikshëm nga rruga europiane. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se kryeministri Rama ka hedhur në Lanë ëndrrën europiane të shqiptarëve, ndërsa thekson se procesi i integrimit është bllokuar për shkak të korrupsionit dhe shkatërrimit të sistemit të drejtësisë.

Ai shton se kapitujt kyç të negociatave me Bashkimi Europian, që lidhen me shtetin ligjor dhe drejtësinë, kanë dështuar. Berisha u bëri thirrje qytetarëve që më datë 17 të bashkohen në një protestë të cilën e cilëson si “kryengritje paqësore”.

”Pra, kurrë ndonjëherë vendi nuk ka qenë në një paralizë si sot. Shteti ligjor është i asgjësuar. Ëndrra evropiane e shqiptarëve është e hedhur në Lanë. Edhe njëherë, përfaqësues të BE kanë sqaruar se nuk është votuar IBAR për Shqipërinë dhe ata, të cilët duan të paraqesin Shqipërinë sikur është votuar, ata nuk kanë respektin më minimal për veten e tyre. Mashtrojnë shqiptarët. Jo, nuk është votuar. Dhe nuk mund të votohet duke u bërë mburojë e korrupsionit, duke asgjësuar sistemin e drejtësisë. Çfarë është kapitulli 23-24? Janë funksionimi i drejtësisë dhe shtetit ligjor. Po janë kapitujt kryesorë këta, janë shinat më themelore dhe vlerësime në këto kapituj mbeti në klasë. Dhe Edi Rama në këto kapituj mbeti në klasë. Përpiqet Edi Rama ta mbulojë, i cili është varrmihësi i shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit. Edhe njëherë, u bëj thirrje shqiptarëve, me datën 17 të gjithë në protestë, në kryengritjen paqësore si zëri i vetëm në Shqipëri. Në Shqipëri ka mbetur vetëm zëri i qytetarëve për t’i dalë zot vetes,” tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll