Politike

Nga hidrokarburet deri te sheqeri e mishi/ Berisha: Problemi më madhor i ekonomisë sot janë oligopolet

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se tregu shqiptar është i mbizotëruar nga oligopolet të cilat, veprojnë si antitreg duke mos iu përgjigjur konsumatorit.

1 Prill 2026, 13:40 Nga I.A
Nga hidrokarburet deri te sheqeri e mishi/ Berisha: Problemi më madhor i
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha shprehu shqetësim për oligopolet në Shqipëri, duke i quajtur ato si shqetësim për ekonominë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se tregu shqiptar është i mbizotëruar nga oligopolet të cilat, veprojnë si antitreg duke mos iu përgjigjur konsumatorit.

“Sot, problemi më madhor i ekonomisë së tregut dhe qytetarëve shqiptarë, janë oligopolet. Gjatë këtyre javëve, me të drejtë, jemi ndalur tek oligopoli i hidrokarbureve, i naftës. Por, në tregun shqiptar nuk është ky i vetmi oligopol. Oligopol në tregun shqiptar është edhe kafshata. Oligopol është sheqeri. Është mishi. Oligopolet pra janë mamuthët e tregut. Nuk janë fenomen shqiptar, ose nuk janë vetëm shqiptar. Jo. Janë pothuaj pantotenikë. Duhet pranuar. Por ndaj oligopoleve, shteti ligjor i garanton mbrojtje qytetarit nga abuzimi potencial i marrëveshjeve të fshehta midis anëtarëve të oligopoleve.

Në qoftë se ju merrni sot tregun e hidrokarbureve, janë disa kompani të licencuara. Në qoftë se merrni tregun e mishit, janë disa kompani të licencuara. Në qoftë se merrni tregun e sheqerit, janë disa kompani të licencuara. Por, këto licenca a shërbejnë këto për të rregulluar tregun apo në marrëveshje të fshehtë asgjësojnë konkurrencën? Vetëkuptohet, oligopoli është një dukuri e ndërmjetme midis konkurrencës së ndershme dhe monopoleve. Oligopolet në Shqipëri nga një analizë arrijnë një veprimtari antitreg, antiqytetar. Kjo sepse peshojnë në kandar dhe blejnë me lecka nga Edi Rama e poshtë,“ tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll