Politike

GJEDNJ kundër Shqipërisë, Malltezi: Shkelje në procesin gjyqësor në rastin tim

Në veçanti, rasti evidenton një sërë pengesash procedurale të hasura nga Malltezi, përfshirë vonesat e gjata në shqyrtim, refuzimin e ankimit mbi baza formale, si dhe mungesën e aksesit në dosjen gjyqësore.

31 Mars 2026, 14:12 Nga I.A
GJEDNJ kundër Shqipërisë, Malltezi: Shkelje në procesin
Jamarbër Malltezi

Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në rastin e Jamarbër Malltezit ka nxjerrë në pah problematika serioze në funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Jamarbër Malltezi, gjatë një deklarate për mediat ka deklaruar se çështja lidhet me një proces për shpifje ndaj Taulant Ballës, ku sipas vendimit, mënyra se si janë trajtuar procedurat gjyqësore ka cenuar standardet e një procesi të rregullt ligjor.

Në veçanti, rasti evidenton një sërë pengesash procedurale të hasura nga Malltezi, përfshirë vonesat e gjata në shqyrtim, refuzimin e ankimit mbi baza formale, si dhe mungesën e aksesit në dosjen gjyqësore. Sipas GJEDNJ-së këto elemente, kanë ndikuar drejtpërdrejt në kufizimin e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe efektiv.

Vendimi përbën një tregues të qartë të sfidave që vijon të përballet sistemi i drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar nevojën për respektimin e standardeve konventore dhe garantimin e aksesit real në drejtësi për qytetarët.

Deklarata e Malltezit:

GJEDNJ sot ndëshkoi praktikën antiligjore të gjykatave në Shqipëri të cilat janë nën frikën e Edi Ramës dhe japin vendime politike ekstraligjore. GJEDNJ njoftoi sot vendimin e saj në lidhje me padinë time ndaj Taulant Ballës për shpifje. Në këtë vendim ajo rrëzoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u bë mburojë e shpifjeve të Ballës dhe manipulimeve të prokurorëve të SPAK, duke më refuzuar mua ankimin mbi pretendimin e pabazuar të kalimit të afatit 4-mujor. 14 vite më parë Taulant Balla shpifi në lidhje me tokën e pronarëve privatë tek ish-klubi Partizani. Unë bëra padi civile dhe Gjykata e Shkallës së Parë më dha të drejtë dhe dënoi Ballën për shpifje. Gjykata e Apelit mori vendimin sipas të cilit e drejta e Ballës për lirinë e fjalës përfshin të drejtën e deklaratave të rreme.

Gjykata e Lartë nuk guxoi të merrte vendim për 8 vjet (2014-2022), e më pas rrëzoi rekursin me pretendimin që ka ndryshuar Kodi i Procedurës Civile në 2017 – pra 3 vite pasi që ishte depozituar çështja në GJL, kur vetë Kodi ka një nen që tregon se çështjet që ishin në gjykim do vijonin të trajtoheshin me kodin e vjetër. Jo vetëm kaq, por nuk njoftuan vendimin deri pas më shumë se 3 muajsh me qëllim që të pengohej ankimi në Gjykatën Kushtetuese. Qëllimit politik i shërbyen drejtësia politike me mashat e saj – prokurorët Millonai dhe Kraja – duke sekuestruar dosjen origjinale të procesit civil, pa asnjë nevojë, sepse për çfarëdo qëllimi që t’u duhej dosja mund t’i bëhej një kopje zyrtare. Në mungesë të dosjes gjyqësore, me gjithë kërkesat me shkrim pranë gjykatës, dosja nuk na u vu në dispozicion – prapë mundësoi aksesin në gjykatë.

Kjo është e padëgjuar në asnjë vend të botës dhe është shpërdorim detyre nga prokurorët kamikazë të Edi Ramës dhe Taulant Ballës. GJK e kontrolluar nga Edi Rama rrëzoi kërkesën kinse u paraqit pas afatit 4-mujor, në kundërshtim me jurisprudencën e konsoliduar të GJEDNJ mbi çështjen e afatit 4-mujor nga momenti i njoftimit të palës dhe jo nga momenti i marrjes së vendimit që merret në fshehtësi, pasi këtë të fundit pala nuk mund ta dijë. Të gjitha këto veprime arbitrare të një drejtësie të deformuar dhe bërë njësh me soros-politikën pamundësuan aksesin tim në gjykatë.

Vendimi i GJEDNJ vërtetoi se në Shqipëri gjykatat u bënë urë ndaj pushtetit për të luftuar “armiqtë e Partisë” dhe se procesi është ndotur nga pushteti i sulltanit. Falenderoj GJEDNJ për konfirmimin e standardeve konventore për të drejtat e njeriut, detyrimin e gjykatave shqiptare që ta shqyrtojnë ankesën duke respektuar të drejtat e mia kushtetuese dhe konventore, si edhe pagesën e dëmit moral për këtë vonesë. Me këtë rast shpresoj që gjyqtarët shqiptarë të ngrihen në nivelin e detyrës duke u bërë shtetarë e jo lepe-peqe të pushtetit.

jamarbër malltezi

Sondazh

Poll