Aktualitet

Arratisja e Altin Ndocit/ Lirohet drejtori i burgut të Durrësit

Gjyqtari Xhevdet Lika pranoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke zëvendësuar qëndrimin në burg me atë të "arrestit në shtëpi".

31 Mars 2026, 09:14 Nga D.S

Arratisja e Altin Ndocit/ Lirohet drejtori i burgut të Durrësit

DURRËS- Gjykata e Durrësit vendosi këtë të hënë lirimin nga qelia të ish-drejtorit të IEVP-së, Indrit Cerloj, i cili dyshohet për shpërdorim detyre lidhur me arratisjen e Altin Ndocit.

Gjyqtari Xhevdet Lika pranoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke zëvendësuar qëndrimin në burg me atë të "arrestit në shtëpi". Mësohet se ky vendim vjen pas shqyrtimit të rrethanave të çështjes.

Si ndodhi ngjarja?

Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit. Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit.

Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit. Të dy efektivët që e shoqëronin brenda spitalit, e ndoqën dhe njëri prej tyre mësohet se ka qëlluar në ajër jashtë spitalit për ta trembur të arratisurin.

Ngjarja dyshohet të ketë qenë e mirë menduar dhe e planifikuar, pasi jashtë spitalit të paraburgosurin e priste një makinë, një Audi luksoze A7 e bardhë me targë AA700RS në pjesën e parkimit, me të cilën u larguan. Po ashtu, pas arratisjes, postblloqe të shumta policie janë ngritur në rrugët e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Policia e Durrësit, përveç kontrolleve në qytet dhe fshatrat përreth ka shtrirë kontrollet edhe në Kavajë. Ndërsa në qarqet kufitare, Fier, Tiranë, Lezhë, e më gjerë ka pika kontrolli ne hyrje të qyteteve. Sakaq, Drejtoria e Burgjeve ka nisur një hetim për sqarimin e plotë të rrethanave se si u arratis 38-vjeçari Altin Ndoci./Dosja.al

arratisja e altin ndocit lirohet drejtori i burgut të durrësit indrit cerloj

Sondazh

Poll