Politike

"Diskriminim i arsimit universitar"/ Boçi: Shqipëria jashtë hartës botërore, na e kalojnë edhe Sudani e Etiopia

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai u shpreh se universiteti i Shkodrës ka vetëm një godinë të përfunduar, ndërsa pjesa tjetër e infrastrukturës është e amortizuar.

30 Mars 2026, 17:53 Nga E.d
"Diskriminim i arsimit universitar"/ Boçi: Shqipëria
Luçiano Boçi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka folur për diskriminim në arsimin universitar. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai u shpreh se universiteti i Shkodrës ka vetëm një godinë të përfunduar, ndërsa pjesa tjetër e infrastrukturës është e amortizuar.

Ai tha se kërkesat e pedagogëve dhe drejtusve të saj nuk kanë marrë zgjidhje. Sipas tij, Shkodra duhet të kishte një kampus universitar të mirëorganizuar, duke marrë parasysh rëndësinë dhe rolin e universitetit. 

Në fund, deputeti demokrat tha se ekziston një ndarje shumë e qartë midis Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të rretheve, gjë e cila do të çojë në humbjen e autoritetit të tyre, mbylljen e shumë degëve dhe zhdukjen tragjike të tyre.

"Në këtë parlament është folur shpesh për diskriminimin e veriut. Janë sjellë fakte për diskriminim ekonomik, social dhe në shumë fusha, por nuk ma merrte mendja që ky diskriminim të shtrihej edhe në arsimin universitar. Ju e dini shumë mirë që Shkodra është kryeqendra e veriut, por universiteti i saj nuk ka përfituar këtë profilizim nga politikat tuaja. Sot ai ka vetëm një godinë të përfunduar, ndërsa pjesa tjetër e infrastrukturës është e amortizuar.

Megjithëse kam parashtruar një sërë kërkesash, as pedagogët e as drejtuesit nuk kanë marrë zgjidhje. Sot Shkodra duhet të kishte një kampus universitar të mirëorganizuar, duke marrë parasysh rëndësinë dhe rolin e universitetit. Së paku, Shkodra duhet të ishte qendër e licencimit akademik për mësuesit, për gjuhët e huaja dhe për promovimin e turizmit, si dhe të luante një rol rajonal në përgatitjen e mësuesve të diasporës, kërkesa këto të shprehura edhe nga vetë komuniteti akademik.

Gjithashtu, është kërkuar integrimi i një godine të re në infrastrukturën e universitetit, që aktualisht nuk funksionon – senatoriumi. Pse nuk mund t’i jepet kjo mundësi? Ka edhe kërkesa të tjera: godina e rektoratit është nga viti 1994 dhe nuk është restauruar. Universitetet kanë nevojë për kërkim shkencor, por edhe për infrastrukturë, ndërkombëtarizim dhe mbështetje financiare, gjëra që nuk janë bërë deri tani.

Sa i përket ndërkombëtarizimit dhe statusit të pedagogëve, ju keni diskriminuar të gjithë pedagogët, si të Shkodrës, ashtu edhe të Shqipërisë, duke mos indeksuar pagat e tyre në përputhje me inflacionin. Sa i përket ndërkombëtarizimit, klasifikimi i fundit QS Ranking tregon se asnjë universitet shqiptar nuk renditet mes 1500 më të mirëve, ndërkohë që rajoni ka universitetet e tij.

Më e keqja është se në këtë rangim, universitetet që janë renditur më mirë janë në Afrikë, si Sudani dhe Etiopia, pavarësisht të ardhurave për frymë shumë më të ulëta se në Shqipëri. Kjo tregon qartë se niveli i dobët i universiteteve shqiptare nuk është vetëm për shkak të mungesës së financimit, por edhe për shkak të politikave që i braktisin dhe i diskriminojnë ato.

Sot ekziston një ndarje shumë e qartë midis Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të rretheve, gjë që, në perspektivë, do të çojë në humbjen e autoritetit të tyre, mbylljen e shumë degëve dhe, pse jo, zhdukjen tragjike të këtyre universiteteve," tha Boçi./Dosja.al

luçiano boçi kuvend arsimi

Sondazh

Poll