Aktualitet

VIDEO/ Banorët e Rrjollit sërish në protestë para Kuvendit: Po na vjedhin tokën, autoritetet duhet të reagojnë

Në duar ata mbajnë pankarta në të cilat shkruhet “Po na vjedhin tokën”, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse. 

30 Mars 2026, 17:23 Nga E.d
VIDEO/ Banorët e Rrjollit sërish në protestë para
Foto ilustruse

TIRANË- Banorët e Rrjollit vijonë protestën e tyre, por këtë herë tubimi i tyre është zhvendosur para ambienteve të Kuvendit. Në duar ata mbajnë pankarta në të cilat shkruhet “Po na vjedhin tokën”, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse.  

“Kryeministri del e thotë se kanë letrat e falsifikuar, a ka shkuar ndonjë herë të shohë se çfarë ndodh në këto institucione tona”, është shprehur një nga protestuesit. Prej shumë kohësh, banorët e Baks-Rrjollit janë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë, ndërkohë që ata janë shprehur të vendosur se do të mbrojnë tokat e tyre. 

Ata pretendojnë se biznesmeni Bashkim Ulaj, sëbashku me Fatmir Shpellzajn po u grabisin pronat e tyre. Për këtë arsyeje ata kundërshtojnë ndërtimin e resortit dhe kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse. 

Gjatë protestës së ditës së sotme të pranishëm ishin pjesë disa komunitete, si ai i Rrjollit në Velipojë, të Ballshit, të Gjoricës, të Kurdarisë, të Zall Gjoshajt dhe të Gurasit të Pogradecit.

Luçiana Kokaj, banore e Rrjollit, ka deklaruar se banorët kanë dorëzuar në Kuvend një kërkesë që të ketë një seancë dëgjimore për problematikën e Rrjollit. Gjatë një prononcimi për mediat, ajo tha se deputetët duhet të marrin kohë dhe t'i dëgjojnë problematikat e tyre. 

“Ju jeni aty për të na përfaqësuar ne si ligjvënës. Ne kemi dorëzuar edhe një kërkesë në Parlament, që të ketë një seancë dëgjimore për problematikën e Rrjollit. Deputetët duhet të marrin kohë dhe të na dëgjojnë ne. Nuk duhet të vijnë te ne vetëm kur është koha e votave, por edhe kur ne kemi nevojë”, tha Luçiana Kokaj./Dosja.al

 banorët e rrjollit kuvendi protesta

Sondazh

Poll