Politike

"Problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama"/ Bardhi: Kur duhet të zgjidhte Europën, kryeministri zgjodhi të mbrojë veten

Në postimin e tij, Bardhi shprehet se, Rama duhet t’u japë përgjigje dy pyetjeve, duke theksuar se rasti i Belinda Balluku e ka nxjerrë atë zbuluar.

30 Mars 2026, 17:00 Nga E. D
"Problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi
Gazment Bardhi

TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë ditës së sotme. Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi thekson se negociatat me BE-në kanë ngecur për shkak se Rama po mbron korrupsionin dhe veten e tij. 

Në postimin e tij, Bardhi shprehet se, Rama duhet t’u japë përgjigje dy pyetjeve, duke theksuar se rasti i Belinda Balluku e ka nxjerrë atë zbuluar. Ai tha ndër të tjera, se anëtarësimi në BE nuk është çështje procedurash teknike, por është çështje e zbatimit të reformave dhe e besimit mes palëve, por sipas Bardhit, besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit me votën e mazhorancës në Parlament.

Në fund, Bardhi thekson se, kur Rama duhet të zgjidhte Europën, ai zgjodhi të mbrojë veten, ndërkohë shtoi se problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama!

Postimi i Bardhit: 

E VËRTETA QË EDI RAMA FSHEH PËR NEGOCIATAT

Edi Rama dhe kryenegociatorja folën sot gjatë për negociatat, por nuk përmendën askund të vërtetën e madhe: negociatat kanë ngecur, sepse Edi Rama ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin. Nga vendet anëtare akoma nuk ka asnjë vendim që të miratojë ecurinë e deritanishme të reformave dhe, pa këtë miratim, ne nuk mbyllim dot asnjë kapitull dhe jo më të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar brenda 4 viteve të ardhshme, siç ka premtuar Kryeministri.

Sot Edi Ramës nuk i takonte të sillej si drejtor drejtorie i Ministrisë së Bujqësisë. As të fshihej pas punës teknike të kryenegociatores. Apo akoma më keq, të linte përgjegjësinë e “sqarimit” të vendeve anëtare tek tre ministra të tij. Edi Rama duhej të sillej si kryeministër dhe t’u thoshte shqiptarëve pse Mali i Zi po përparon shpejt me negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka mbetur në vendnumëro.

Edi Rama duhet t’u japë përgjigje dy pyetjeve të thjeshta: A ka lidhje ngecja e negociatave me mbrojtjen personale që Edi Rama i bëri Belinda Ballukut, duke zvarritur dhe duke penguar drejtësinë të hetojë korrupsionin në paradhomën e tij? A ka lidhje ngecja e negociatave me presionin e kryeministrit ndaj drejtësisë dhe nismat e tij antidemokratike për të ndaluar drejtësinë të shkojë deri tek kryeministri?

Anëtarësimi në BE nuk është çështje procedurash teknike. Nuk është çështje reformash në letër. Është çështje e zbatimit të reformave dhe e besimit mes palëve. E sigurt është se besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit me votën e mazhorancës në Parlament.

Rasti i Belinda Ballukut e ka nxjerrë krejt zbuluar Edi Ramën. Kur ai duhet të zgjidhte Europën, kryeministri nën shantazh zgjodhi të mbrojë veten! Nëse nesër do të dëgjoni nga Edi Rama ose vartësit e tij se problemi është Europa, mos u besoni! Problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama!

gazment bardhi edi rama be

Sondazh

Poll